Home / Kryesoret / Protestat, përditshmëri në jetën e qytetarëve të Maqedonisë

Protestat, përditshmëri në jetën e qytetarëve të Maqedonisë

Për shkak të gjendjes shoqërore-politike dhe ekonomike, por edhe të përgjithshme, protestat në Republikën e Maqedonisë janë bërë pjesë e përditshmërisë. Kjo mund të konstatohet lehtë nëse vetëm gjatë periudhës së fundit bëhet një analizë e shkurtër mbi protestat të cilat janë mbajtur gjatë ditëve të fundit.

Protestat kundër shpërnguljes masive të qytetarëve nga Maqedonia, protesta e përfaqësuesve të bashkësisë etnike turke në Maqedoni për shkak të fyerjeve të bëra nga ana e kryeredaktorit të TV “Sitel” ndaj këtij komuniteti, protestat e mjekëve specializantë të cilët kërkonin përmirësimin e statusit të tyre, më pas protesta me të cilën u shënua një vjetori i vdekjes së Tamarës së vogël, ku qytetarët e tubuar kërkuan përgjegjësi nga ana e kompetentëve për vdekjen e saj.

Po ashtu, gjatë javës disa ditë protestuan edhe taksistët e Gjevgjelisë, të cilët janë të pakënaqur nga mënyra e transportimit të refugjatëve nga Gjevgjelia deri në Tabanoc, gjegjësisht se refugjatët transportohen edhe gjatë ditës edhe gjatë natës me Hekurudhat e Maqedonisë, meqë ata kërkojnë që gjatë natës refugjatët të transportohen me tren, ndërsa gjatë ditës të shfrytëzojnë transportin taksi.

Për këto arsye ata disa herë bllokuan qytetin dhe rrugët. Këto janë vetëm disa nga protestat të cilat gjatë disa ditëve të fundit kanë ndodhur në Maqedoni, në përgjithësi në Shkup. Nuk duhet harruar as protestat e të punësuarve të kompanisë Ohis, të cilët protestojnë për shkak të, siç thonë, se me vite atyre askush nuk ua zgjidh problemin me kompaninë falimentuese Ohis.

Kohëve të fundit aktuale ishin edhe protestat e përfaqësuesve të autoshkollave. Ata kundërshtonin ligjin e ri për autoshkolla i cili parasheh vendosjen e kamerave në automjete gjatë trajnimit të kandidatëve. Në ditën e parë të muajit të dytë të këtij viti në protestë doli edhe Sindikata e diplomacisë së Maqedonisë para Ministrisë së Punëve të Jashtme kundër, siç u shprehën “degradimit dhe politizimit” në Ministrinë e tyre, me kërkesë që të pezullohen ndryshimet e Ligjit për punë të jashtme të vitit 2008 e deri me sot.

Më tej qytetarët e komunës së Karposhit protestuan për shkak të planeve urbanistike dhe degradimit të mjedisit jetësor. Mes tjerash, nga mesi i muajit janar tubim zhvilluan edhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare. Gjegjësisht, me një letër drejtuar eurokomisarit Johanes Hahn, delegacionit të BE-së dhe ambasadës amerikane, më shumë se 70 organizata joqeveritare, kërkuan anulimin e datës së zgjedhjeve të paraparkoshme parlamentare të parapara më 24 prill.

Ata konsiderojnë se detyrimet kyçe të Marrëveshjes së Përzhinës nuk janë përmbushur, me çka sipas tyre nuk ka bazë për zgjedhje korrekte, demokratike dhe kredibile.

Shikuar nga prizmi i statistikës, nga fillimi i vitit e deri më tani, janë organizuar së paku 15 protesta, që do të thotë se për 45 ditët e para të vitit, çdo tretën ditë në Maqedoni ka ndodhur të paktën një protestë

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *