Home / Kryesoret / Shoqëritë civile nga BeH-ja dhe Kosova: Nuk ka vullnet politik për heqjen e vizave

Shoqëritë civile nga BeH-ja dhe Kosova: Nuk ka vullnet politik për heqjen e vizave

Në organizim të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Fondacionit për Shoqëri të Hapur në Bosnjë e Hercegovinë (BeH), sot ka filluar konferenca dyditore e cila ka për qëllim ngritjen e çështjes për liberalizimin e vizave midis Kosovës dhe BeH-së me temë “Vizat – barrierë komunikimi midis Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës”, raporton Anadolu Agency (AA).

Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, medieve dhe artistëve nga BeH-ja dhe Serbia, kanë ardhur në Kosovë për të takuar homologët e tyre kosovarë: shqiptarë, boshnjakë dhe serbë, me qëllim të vazhdimit të nismës për ngritjen e çështjes së lirisë së lëvizjes në mes të Kosovës dhe BeH-ja në çarqe më të larta vendimmarrëse rajonale dhe ndërkombëtare.

Dita e parë e konferencës u mbajt në Graçanicë afër Prishtinës dhe tuboi folës eminent, ndër ta, Muharrem Zejnullahun, kryetarin e Komunitetit të Shqiptarëve në BeH, njëherësh ish ambasadorin e BeH në Shqipëri dhe Mal të Zi, Sanela Bilaloviq, redaktoren e programit në gjuhën boshnjake në Radio Televizionin e Kosovës (RTK 1), Isak Vorguçiq, drejtor i RTV KiM nga Graçanica dhe Goran Zoriq, përfaqësues i OJQ-së KVART nga Prijedori dhe shumë të tjerë.
Folësit fillimisht dhanë vlerësimet e tyre lidhur me sistemin bilateral të vizave, ndikimet negative që ato kanë në gjitha sferat e jetës dhe sidomos në kufizimin e madh të lëvizjes së lirë të shtetasve të këtyre dy vendeve.

Sipas ish ambasadorit të BeH në Shqipëri dhe Mal të Zi, Muharrem Zejnullahut, kjo çështje është kryekëput politike pasi që, nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, shteti i tij ka deklaruar se nuk do ta njeh pavarësinë e Kosovës, rrjedhimisht, as dokumentet kosovare.

Sipas tij, në vitin 2011, BeH ka zbutur qëndrimin duke vendosur regjim të vizave dhe kosovarët duhet të shkojnë në ambasadat e BeH në Podgoricë apo Shkup për të marr vizat. Njëherësh, Zejnullahu e cilësoi regjimin e vizave të BeH ndaj kosovarëve si më të ashprin në Evropë dhe që në fakt, më shumë pamundëson se sa lejon vizitat e kosovarëve në BeH.

Ndërkohë, rikujton ai, në vitin 2014, Kosova ka vendosur reciprocitetin dhe tash qytetarët e BeH duhet të udhëtojnë në Zagreb apo Tiranë për t’u pajisur me viza. Kjo sipas Zejnullahut duhet të ndryshojë.

“Natyrisht se edhe në Bosnjë e Hercegovinë një ditë do të vijë në rend, pranimi i realitetit. Ky realitet është fakt i pakthyeshëm se Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, në drejtim të integrimit të plotë në strukturat ekonomike regjionale dhe se nesër do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara. Ky ëhstë proces i pandalshëm. Është çështje e kohës”, tha Zejnullahu.

Ai shtoi se dikush duhet ta bëjë hapin e parë dhe sipas tij, ky shtet duhet të jetë BeH-ja.

“Bosnjë e Hercegovina duhet ta bëjë hapin e parë sepse ky hap quhet pranimi i dokumenteve. Askush nuk po kërkon nga BeH, ende jo zyrtarisht që të pranoj Kosovën dhe as që ka presione tjera nga pala e tretë apo faktori ndërkombëtar që BeH duhet ta pranoj, në këtë moment, pavarësinë e Kosovës, sepse ju të gjithë e dini situatën e brendshme politike në të cilën ky shtet gjendet”, theksoi Zejnullahu, tash kryetar i Shoqatës së Shqiptarëve në BeH.

Ai shpjegoi se një gjë e tillë është e mundshme nëse takohen përfaqësuesit zyrtarë të Ministrive të Jashtme të dy vendeve, në një terren neutral siç propozoi ai, Podgoricën, për të filluar bisedimet për njohjen e dokumenteve dhe lehtësimin e lëvizjes së lirë, pa hyrë në çështje politike.

Ish ambasadori i BeH shpjegoi se përkundër sistemit tejet të komplikuar ekzekutiv në BeH, ku ekzistojnë 5 nivele të administrimit, kompetencat e politikës së jashtme i takojnë ekskluzivisht Presidencës e cila përbëhet nga tre anëtarë: një boshnjak dhe një kroat nga Federata e BeH, si dhe një serb nga entiteti i Republikës Serbe.

Ai rikujtoi se, qysh në vitin 2008, presidenca e BeH kishte deklaruar se do t’i përcjellë zhvillimet rajonale dhe konform tyre do të veprojë. Duke u bazuar në bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel, pastaj lirinë e lëvizjes ndërmjet qytetarëve të këtyre dy vendeve ku kosovarët me letërnjoftime mund të udhëtojnë për në Serbi, Zejnullahu deklaroi se modeli ekziston por duhet vullneti politik.

Isak Vorguçiq, drejtori i Radiotelevizionit Kim nga Graçanica, televizion lokal me program në gjuhën serbe, këtë çështje nuk e konsideron si politike por si cenim të drejtave të njeriut për lëvizje të lirë, ndërsa jep edhe modelin grek për zgjidhje të problemit.

“E kam ndërmend Greqinë e cila është shtet që nuk e ka pranuar Kosovën por i ka pranuar dokumentet. Prandaj nuk jam i bindur se kjo është çështje politike por më shumë është pyetje e të drejtave të njeriut dhe sa qeveritë e kuptojnë se njerëzit duhet të lëvizin lirshëm dhe sa janë qarqet ekonomike mjaftë të fuqishme, për të bërë presion që t’ua bëjnë me dije se edhe lëvizja e mallrave është po ashtu shumë e rëndësishme, për ekonomitë e këtyre vendeve”, tha Vorguçiq.

Në pyetjen, nëse serbët e Kosovës nuk janë shumë të interesuar për këtë çështje pasi ata mund të udhëtojnë në BeH me dokumente të Serbisë, që po thuaja të gjithë serbët e Kosovës i posedojnë, Vorguçiq u përgjigj se e njëjta vlen edhe për shumicën e shqiptarëve, përveç atyre që kanë lidhje familjare me BeH-në.

“Për dallim nga shqiptarët e serbët e Kosovës, në tërë këtë situatë, më së vështiri e kanë pjesëtarët komunitetit boshnjak të cilët po pësojnë më së shumti”, tha Sanela Bilalloviq, redaktore e programit në gjuhën boshnjake në televizioni publik të Kosovës, RTK1.

Fillimisht, ajo e vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë takim sepse sipas saj, pjesëtarët e komunitetit boshnjak në Kosovë kanë mundësi të rralla për t’i adresuar problemet e tyre ngaqë i tërë fokusi i skenës politike kosovare, rajonale dhe evropiane është në marrëdhëniet shqiptaro-serbe.

Pavarësisht nga fakti se shteti i Kosovës ka bërë tepër shumë sa i përket të drejtave për komunitetin boshnjak në Kosovë, për çka Bilalloviq tha se, boshnjakët janë të përfaqësuar në të gjitha nivelet e administrimit dhe ekzekutivit të vendit, iu është mundësuar shkollimi në gjuhë amtare, kanë programe televizive dhe përfaqësohen edhe në sektorin civil, megjithatë pasojat e sistemit të vizave i ndiejnë më së shumti ata.

“Kjo është çështje politike. Nuk është kjo çështje vetëm e lirisë së lëvizjes. Tash kemi një situatë tragjikomike ku Kosova dhe Serbia janë në marrëdhënie më të mira se Bosnja dhe Kosova. Prej nga tash kjo? Kosova kurrë nuk ka luftuar me Bosnjën dhe tash ne jemi në situatë kur boshnjakët nuk mund të udhëtojnë në vendin e tyre amë, sepse Bosnja është shteti ynë amë”, tha Billalloviq.

Nesër, konferenca “Vizat – barrierë komunikimi midis Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës” bartet në Prishtinë, ku pas përfundimit të saj, pjesëmarrësit do të nënshkruajnë deklaratë të përbashkët dhe para medieve do t’i publikojnë konkluzionet dhe rekomandimet

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *