Home / Lajme / Rajon / Spahiu: Po të mos ishte Amerika, as Thaçi e as Kurti nuk do ta shihnin postin e deputetit me sy

Spahiu: Po të mos ishte Amerika, as Thaçi e as Kurti nuk do ta shihnin postin e deputetit me sy

Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu lëshon një mesazh për klasën politike kosovare, pas zgjedhjes së Hashim Thaçit President të Kosovës. Në një deklaratë, gjysmë urimi për Thaçin e gjysmë ngushëllimi për Kosovën, Spahiu thotë se Washingtoni zgjodhi të keqen më të vogël, përballë anti­amerikanizmit të opozitës.

Por Spahiu i kujton Hashim Thaçit dhe Albin Kurtit se pa ndërhyrjen ushtarake amerikane asnjë prej tyre nuk do ishte deputet.

Ai iu kërkon të vënë interesat kombëtare, ndërtimin e Kosovës dhe imazhin e shqiptarëve para nacionalkomunizmit apo anti­amerikanizmit të tyre.

Deklarata e plotë e Spahiut

GJYSMË MESAZH PER KOSOVËN

Gjysmë­urim, për gjysmë Presidentin, në gjysmë shtetin shqiptar, e gjysmë të pavarur të Kosovës Atje ku gjysma feston dhe gjysma shkrumbon. Atje ku kanë gjysmë himni dhe gjysmë flamuri. Atje ku gjysma e politikanëve janë kusarë dhe gjysma anti­amerikanë.

Prandaj Aleanca Kuq e Zi uron dhe ngushëllon Kosovën për zgjedhjen e presidentit të ri Hashim Thaçi.

Gjysmë­Urimi vjen për Hashim Thaçin President.

Gjysmë­Ngushëllimi vjen për Kosovën që nuk po arrin dot të ndryshoj elitat politike.

Aleanca Kuq e Zi po përjeton me dhimbje paaftësitë e qeverisë dhe opozitës për të ndërtuar shtet.

Hashim Thaçi nuk u zgjodh as kryeministër dhe as President për meritat në drejtimin e UÇK pasi çuditërisht ai i humbi zgjedhjet pikërisht pas lufte. Hashim Thaçi është sot i preferuari i perëndimit dhe serbëve jo për meritën e tij por për faj të opozitës anti­amerikane.

Anti­amerikanizmi dhe nacional­komunizmi i opozitës shqiptare në Kosovë ka detyruar Washingtonin dhe Brukselin të mbështesin të keqen më të vogël në Kosovë (Hashim Thaçin).

Aleanca Kuq e Zi i kujton gjithë faktorit politik që pa ndërhyrjen ushtarake amerikane as Hashimi dhe as Albini nuk do ishin deputet dhe nuk do kishim shtet të Kosovës.

Hashimi dhe Albini duhet të kuptojnë se interesat kombëtare, stabiliteti në Prishtinë, ndërtimi i Kosovës dhe imazhi i shqiptarëve janë më të rëndësishme se nacional­komunizmi apo anti­amerikanizmi i tyre bashkë që po i vë zjarrin Shqipërisë Veriore.

Gjithashtu lexo

Digjet një Audi Q7

Në rrethana ende të pasqaruara është djegur një veturë e tipit “Audi Q7”në qytetin e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *