Home / Kryesoret / USHT e shënoi 21 vjetorin e fillimit të ligjëratave të para

USHT e shënoi 21 vjetorin e fillimit të ligjëratave të para

Me një sërë aktivitetesh, Universiteti Shtetëror i Tetovës e shënoi 21 vjetorin e fillimit të ligjëratave të para. Me këtë rast, drejtuesit e USHT-së, të udhëhequr nga Rektori, Prof. dr.Vullnet Ameti e vizituan familjen e dëshmorit të arsimit shqip, Abdylselam Emini, si dhe familjen e profesorit të ndjerë Afet Sherifi. Gjatë ditës, Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti bashkë me stafin akademik, atë administrativ, si dhe studentët kanë bërë homazhe tek busti i dëshmorit Abdilselam Emini dhe tek varri i themeluesit dhe Rektorit të parë historik të Universitetit të Tetovës, Prof. dr. Fadil Sulejmani.

Pas homazheve, për nderë të 17 Shkurtit, ditë kjo që shënon 21 vjetorin e fillimit të ligjëratave të para, u vizitua edhe Muzeu i Universitetit të Tetovës në fshatin Poroj. Profesori Ismet Jonuzi Krosi, të pranishmëve u prezantoi arkivin e muzeut me materiale të argumentuara me fakte rreth ngjarjeve të fillimit të ligjëratave të para në mejtepin e xhamisë së fshatit Poroj.  Gjithashtu, dje me rastin e ditës së shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, drejtuesit e USHT-së bënë homazhe edhe tek busti i dëshmorit Mujdin Aliu në Poroj.

Aktiviteti qendror për shënimin e 21 vjetorit të ligjëratave të para dhe 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës u mbajt në sallën e Fakultetit të Arteve, ku të pranishmëve me fjalë rasti ju drejtua Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti. Ai tha se vendimi për themelimin e Universitetit të Tetovës më 17 dhjetor 1994 ishte një hap historik i sjellë nga strukturat më vizionare të inteligjencies shqiptare në Maqedoni, me objektiva të qarta për zgjidhjen e përhershme të  çështjes së  arsimit sipëror në gjuhën shqipe. “Në rrugëtimin e tij 21 vjeçar, Universiteti i Tetovës ka shënuar të arritura të konsiderueshme në fushën arsimore, shkencore dhe kulturore, përkundër problemeve të shumta, me të cilat u ballafaqua nga viti 1994-2004 nga qeveria e atëhershme dhe nga strukturat e pushtetit, të cilat në të shumtën e rasteve patën një qëndrim antidemokratik dhe ngulfatës për arsimin në gjuhën shqipe dhe për perspektivën e shoqërisë shqiptare në këtë shtet. Universiteti ynë, gjatë dy dekadave e ka realizuar misionin e tij arsimor, i ka përmbushur synimet e tij dhe sot është shndërruar në  universitet modern, me ndikim në shoqërinë e vendit dhe konkurrues me institucionet tjera të arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë dhe rajon. Ne sot, në rrethana krejtësisht të ndryshme, madje do të thosha në kushte normale për një shoqëri demokratike e të zhvilluar, e përkujtojmë 17 shkurtin e vitit 1995, datën e ligjëratave të para të Universitetit tonë, i cili misionin e tij të ligjërimit për të rinjtë tanë e filloi në Porojin legjendar dhe Reçicën e Vogël të qëndresës. Po të njëjtën ditë, në fshatin Poroj dhe  Reçicë të Vogël, fillimi i  ligjëratave të para u shoqërua me ndërhyrje të ashpra të policisë së kohës ndaj banorëve vendas, ndërhyrje këto që fatkeqësisht përfunduan me një bilanc tragjik, me shumë të lënduar, të burgosur dhe një viktimë, ku ra dëshmori i arsimit në gjuhën shqipe, Abdylselam Emini. Pra, ligjëratat e para në këtë tempull të dritës dhe diturisë filluan më 17 shkurt 1995, edhe përkundër  faktit se u mobilizuan forca të armatosura për ta vrarë dijen, shkencën, përparimin dhe ardhmërinë e shqiptarëve. Por, sikurse thoshte themeluesi dhe Rektori i parë i Universitetit tonë, Prof. dr. Fadil Sulejmani, përballë terrorit shtetëror fituan gjërat e shenjta të popullit: shkenca, arsimi, arti dhe kultura mbi dhunën. Triumfoi dituria mbi barbarinë, shkolla mbi obskurantizmin mesjetar”, tha Rektori Prof. dr. Vullnet Ameti.

Sipas tij, kjo ditë, përtej evokimit të momenteve të para të fillimit të procesit edukativ dhe arsimor në Universitetin tonë, njëkohësisht na bën krenarë, aq më tepër kur Universiteti i Tetovës tashmë ka hapëruar në dekadën e tretë, por me të njëjtin synim si në vitin 1994, ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave arsimore dhe kombëtare, ngritjen e nivelit të bashkëpunimit mes institucioneve të arsimit të lartë dhe avancimin e lirive akademike. “Ne të gjithë, së bashku kemi arritur të realizojmë shumë suksese, sikundër pretendojmë të përmbushim edhe shumë prioritete të tjera me rëndësi. Kauza e Universitetit të Tetovës nuk na ndanë, por na ka bashkuar njëherë përgjithmonë, për më tepër që ky përcaktim i ka themelet në sakrificën, përpjekjen, vështirësitë dhe kontributin e mbarë kombit shqiptar. Për këtë universitet ra dëshmor Abdilselam Emini, ndaj ne sot përulemi para sakrificës së tij, përulemi me nderimet më të larta para veprës së dëshmorëve të kombit, gjaku i të cilëve është bërë dritë dhe sot e ndriçon rrugën e diturisë sonë. E përkujtojmë me nderimet më te larta veprën e përjetshme të themeluesit, Rektorit tonë të parë, veprimtarit të pashoq të arsimit shqip, shkencëtarit e dijetarit të shquar, Prof. dr. Fadil Sulejmanit. U shprehim mirënjohjen e pakufishme të gjitha familjeve që shtëpitë e tyre i shndërruan në mësonjëtore të Universitetit, studentëve të gjeneratës së parë, profesorëve dhe bashkëpunëtorëve që dhanë kontribut për ngritjen, përparimin dhe konsolidimin e këtij institucioni të vetëm të arsimit sipëror në gjuhën shqipe dhe mbarëvajtjen e procesit edukativ-arsimor të tij, sidomos profesorëve nga vendi ynë, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Tiranës dhe më gjerë”, u shpreh Rektori, Prof. dr. Vullnet Ameti.

Gjithashtu, Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti të gjithë shqiptarëve ua uroi 8 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. “Data historike e ligjëratave të para, përkon me një datë tjetër të historisë më të re të kombit tonë, po të njëjtën ditë, më 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës e shpalli Pavarësinë e shumëpritur nga gjenerata të tëra, që u sakrifikuan në altarin e lirisë, për një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Me këtë rast, ndjehem i nderuar nga kjo foltore, popullit vëlla të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë, në trojet etnike dhe jashtë, t’ua uroj ditën e Pavarësisë së Kosovës. Dhe në fund, studentëve, mësimdhënësve dhe të punësuarve në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Ju uroj suksese të reja në punën e tyre arsimore dhe shkencore”, shtoi mes tjerash Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti.

Aktivitetet për nder të 21 vjetorit të fillimit të ligjëratave të para u mbyllën me koncertin e organizuar nga Fakulteti i Arteve ku perfromuan studentët e programit të Muzikës. Fillimisht Kori i Fakultetit të Arteve performoi tri këngë: ,,Trëndelinë”, ,,Një lule” dhe ,,Kulla e Balshajve”. Më pas, interpretuan Kuarteti harkor, Fjolla Iseni, Arlind Pajaziti, po ashtu u interpretua edhe studio operistike, pjesë nga Opereta “Di LustigeWitwe”, ndërsa koncerti u përmbyll me interpretimin e mrekullueshëm të orkestrës së Fakultetit të Arteve të USHT-së.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *