Home / Kryesoret / Zmijanac: Zhdukja e 10 mijë fëmijëve refugjatë, fakt dëshpërues për sistemin demokratik dhe të sigurisë
SHKUP (АА) – “Zhdukja e më shumë se 10 mijë fëmijëve refugjatë të cilët kanë udhëtuar pa shoqërim të prindërve apo kujdestarit në vendet evropiane paraqet një fakt dëshpërues jo vetëm për sistemin demokratik por edhe për atë të sigurisë”, thotë në bisedën për Anadolu Agency (AA), Dragi Zmijanac, drejtor ekzekutiv i Ambasadës së parë të fëmijëve në botë “Megjashi” në Shkup. Foto : Dragi Zmijanac, drejtor ekzekutiv i Ambasadës së parë të fëmijëve në botë “Megjashi” në Shkup. ( Vedat Abdul - Anadolu Ajansı )

Zmijanac: Zhdukja e 10 mijë fëmijëve refugjatë, fakt dëshpërues për sistemin demokratik dhe të sigurisë

“Zhdukja e më shumë se 10 mijë fëmijëve refugjatë të cilët kanë udhëtuar pa shoqërim të prindërve apo kujdestarit në vendet evropiane paraqet një fakt dëshpërues jo vetëm për sistemin demokratik por edhe për atë të sigurisë”, thotë në bisedën për Anadolu Agency (AA), Dragi Zmijanac, drejtor ekzekutiv i Ambasadës së parë të fëmijëve në botë “Megjashi” në Shkup.

Ai duke komentuar të dhënat e paradokohshme zyrtare të Europol-it, sipas të cilit, mbi 10 mijë fëmijë refugjatë janë zhdukur pas ardhjes dhe regjistrimit në vendet evropiane, si dhe pretendimet se rreth një milion refugjatë gjatë vitit të kaluar kanë hyrë në Evropë, prej tyre 27 përqind kanë qenë fëmijë, gjegjësisht 270 mijë, thekson se ky është fakt dëshpërues.

“Vetëm gjatë muajit të kaluar 62 mijë refugjatë kanë hyrë përmes Greqisë në Maqedoni dhe vendet tjera perëndimore-evropiane prej të cilëve 60 përqind janë nëna dhe fëmijë. Ajo që na shtangu është jo vetëm informacioni që e dha Europol-i, por edhe ajo se si është e mundur që strukturat kriminele në vendet perëndimore-evropiane të cilat ekzistojnë, të inkorporohen në sistemin e sigurisë. Të jetë aq i cenueshëm sistemi i sigurisë që të mund të rrëmbejnë, të merren me tregti të fëmijëve, organe fëmijësh, seks turizëm, prostitucion dhe pornografi fëmijore, birësim jolegal, abuzim të fëmijëve dhe punës së tyre nëpër fabrika gjigante në industrinë e konfeksionit”, thekson Zmijanac, duke përmendur llojet më të shpeshta të abuzimit të fëmijëve refugjatë.

Ai konsideron se trafikimin e fëmijëve refugjatë e bëjnë struktura mirë të organizuara të cilat janë të lidhura ndërkombëtarisht.

“Mendoj se këto struktura kriminele janë të lidhura me Sirinë dhe Irakun prej ku transitojnë refugjatët, marrin informacione dhe i shfrytëzojnë dobësitë e këtyre të përvuajturve që ikin nga skëterra e luftës”, thekson drejtori i ambasadës së fëmijëve “Megjashi”, Dragi Zmijanac.

Ai tha se organizata të cilën e udhëheq si dhe organizatat tjera qytyetare që merren me krizën aktuale të refugjatëve, që vitin e kaluar nëpër media potencuan se faktori ndërkombëtar doemos duhet të mobilizohet dhe seriozisht t’i qaset këtij problemi që të mos vjen deri tek abuzimi i fëmijëve refugjatë.

“Në fakt theksuam se fëmijëve që transitojnë nëpër rrugën Greqi, Maqedoni, Serbi, Kroaci, Slloveni, Hungari dhe më tej në vendet tjera perëndimore-evropiane, nuk guxon t’u lejohet që të transitojnë pa prindër, pa ndonjë të afërm të familjes apo t’u caktohet ne bazë ligjore një kujdestar i cili do të sigurojë transportin dhe transitin nga kufiri i hyrjes deri te kufiri i daljes. A është respektuar kjo mjaftueshëm, nuk kam informacion. Vetëm e di se gjatë vitit të kaluar në Maqedoni kanë hyrë 9.880 fëmijë”, tha ai.

– Të gjitha vendet evropiane kanë dështuar në përgjigjen e krizës së refugjatëve-

“Në përgjithësi, të gjitha vendet në Evropë kanë dështuar në përgjigjen. Fillimisht, se si t’i definojnë nëse janë migrantë, refugjatë, apo të prekur nga lufta apo janë migrantë ekonomikë dhe në këtë konfuzion dhe definim të pamjaftueshëm të problemit dështuan pothuajse të gjithë, sepse refugjati ka status të veçantë, të garantuar me konventat ndërkombëtare ku i sigurohet siguria maksimale, dhe jo vetëm si azilkërkues por edhe siguri në transimitin e tyre. Si arritën bandat kriminale të zhdukin 10 mijë fëmijë është turp dhe dështim për Evropën dhe për vendet perëndimore-evropiane dhe për destinacionin e parë, mendoj për Greqinë, sepse me hyrjen në Greqi, ata veçmë janë në BE, andaj duhej që të gjitha përpjekjet t’i bëjnë vendet perëndimore-evropiane për të siguruar sigurinë e tyre në hyrje të territorit evropian”, thotë ai.

Zmijanac po ashtu potencoi se vendet evropiane ndonëse janë nënshkruese të shumë konventave dhe dokumenteve të ratifikuara që kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijëve dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut, megjithatë dështuan dhe nuk i përmbushën ato në mënyrë konsekuente.

“Evropa dështoi në shumë konventa dhe dokumente të ratifikuara. Dështoi edhe dokumenti i Konventës për të drejtat e fëmijës, Protokollin kundër tregtisë me fëmijë dhe organe fëmijërore, dështoi në parandalimin e keqpërdorimet më të këqija të punës fëmijërore dhe të shumë dokumenteve të miratuara. Shpresoj se ndërkohë sektori civil do të ushtrojë presion dhe do t’i mobilizojë institucionet shtetërore që të hynë në kontakt të drejtpërdrejtë me familjarët, prindërit, miqtë të fëmijëve të zhdukur, t’i gjejnë, t’i bashkojnë me familjen dhe në këtë mënyrë mendoj se do të arrijnë së paku të dalin mbanë në provimin e humanitetit, solidaritetit dhe të drejtës civile të çdo të përvuajturi, që t’i garantohet siguria e plotë dhe siguria aty ku qëndron apo transiton”, thekson Zmijanac.

– Mbështetja dhe ndihma psiko-sociale, gjërat më të rëndësishme për fëmijët refugjatë –

“Ne nuk duhet pasur kurrfarë paragjykimesh ndaj golgotës dhe traumës së tyre. Veçmas ndaj fëmijëve. Konsiderojmë se ndihma e parë e mbështetjes psiko-sociale është shumë e rëndësishme që t’u ofrohet këtyre fëmijëve. T’i inkurajojmë që të dinë se me shkeljen ne territorin evropian u garantohet siguria e tyre. Mendoj se këtu rol të madh kanë organizatat ndërkombëtare siç janë Komesariati i Lartë për Refugjatë, Organizata Ndërkombëtare për Migracion, UNICEF dhe organizatat qytetare”, thekson Zmijanac, duke shtuar me këtë rast se Republika e Maqedonisë, gjegjësisht sektori civil jep maksimumin e vet dhe tërë kapacitetin për t’iu ndihmuar refugjatëve.

Zmijanac porositi se me fatin e fëmijëve nuk ka kalkulime, ndërsa atyre, më së shumti mund t’iu ndihmohet me gjetjen e prindërve të tyre.

“Me fatin e fëmijëve nuk ka kalkulime. Nuk duhet vënë asnjë pikëpyetje në bazë të asaj nëse janë migrantë, nëse janë refugjatë, nëse fëmijët ikin nga lufta apo janë emigrantë ekonomikë. Thjeshtë fëmijët janë fëmijë, dhe para se gjithash dhe mbi të gjitha, fëmijët doemos duhet të jenë prioritet i çdo shteti dhe doemos duhet t’u garantohet siguria. Më së shumti mund t’iu ndihmohet me gjetjen e prindërve të tyre të zhdukur dhe fëmijët mos të lihen vet të udhëtojnë pa shoqërim”, thotë ai.

– “Megjashi” në mënyrë aktive punon në ndihmesën e fëmijëve refugjatë-

Ambasada e fëmijëve “Megjashi”, ndërmerr një varg aktivitetesh me të cilat tentohet t’u ndihmohet fëmijëve refugjatë. Në bashkëpunim me Forumin për liri të arsimit nga Kroacia, përgatiti publikimin “Të gjithë jemi fëmijë të kësaj bote, si të bisedohet me nxënësit për krizën e refugjatëve”.

Veprimtaria e Ambasadës së fëmijëve “Megjashi”, krahas përfshirjes së drejtpërdrejtë në ndihmesën e refugjatëve, po ashtu është edhe edukimi etik dhe paqësor. “Ky publikim është tentim që të kontribuojmë në mirëkuptimin e gjendjes së rëndë të mijëra njerëzve të cilët ço ditë kalojnë nëpër Maqedoni, afër neve dhe jetesës sonë të përditshme”, tha Zmijanac lidhur me publikimin.

Ai në bisedën për AA informoi se dy psikologë të ambasadës së fëmijëve “Megjashi” gjatë tre muajve të ardhshëm, një herë në javë do të shkojnë në kampin e pranimit të refugjatëve në Gjevgjeli, ku do të punojnë me fëmijët refugjatë, në forcimin e tyre psikologjik pas-traumatik që të mund ata të dalin më të fuqishëm në përpjekjet duke luftuar me eksodin të cilin po e përjetojnë.

Gjithashtu lexo

Rikthehet ndotja e rrezikshme në Tetovë – (FOTO & VIDEO)

Me matjen e koncentrimeve dyfish më të lartë nga e lejuara të grimcave PM10, Tetova …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *