Home / Lajme / Maqedoni / LR-PDSH: 7 Marsi jo ditë feste, por reflektim për vështirësitë me të cilat ballafaqohet arsimi shqip në Maqedoni!

LR-PDSH: 7 Marsi jo ditë feste, por reflektim për vështirësitë me të cilat ballafaqohet arsimi shqip në Maqedoni!

Të nderuar mësues, arsimtarë, ligjërues e profesorë,

Kontributi juaj në mësimin, edukimin dhe vetëdijesimin e popullit është i padiskutueshëm dhe paraqet punë të shenjtë. Puna e mësimdhënësit kërkon durim, vullnet, moral, besim, përkushtim dhe sakrificë. Për këtë, u jemi mirënjohës gjeneratave të mësuesve që ishin, janë dhe do të vijnë.

Kjo në veçanti është e rëndësishme për arsimin shqip në Maqedoni, i cili që moti po ballafaqohet me probleme dhe sfida të paimagjinueshme për shekullin XXI në botën e civilizuar e moderne, ndoshta më të mëdha se ato të para 129 viteve në Shqipërinë e atëhershme, kur mësimdhënia bëhej fshehurazi nëpër shtëpi private. Nuk janë të largëta ditët kur e njëjta gjë ndodhte në Tetovë kah mesi i viteve ’90 kur studentët dhe profesorët e atëhershëm ishin të detyruar të zhvillojnë mësim brenda objekteve a shtëpive private vetëm për shkak se pushteti represiv nuk lejonte arsim të lartë në gjuhën amtare për vetë qytetarët e këtij vendi.

Sot, gjendja e përgjithshme e arsimit shqip në Maqedoni, në shikim të parë, duket paksa e këndellur. Megjithatë, po të futemi në brendi të çështjes, problemet janë të shumta, bile më shqetësuese se sa në kohën e komunizmit.

E shumëpërfolura çështje në lidhje me tekstet shkollore absurde, ofenduese, fyese, nënçmuese, dhe çka jo tjetër në adresë të shqiptarëve në përgjithësi dhe atyre të Maqedonisë në veçanti vite me rradhë mbeti e pa zgjidhur, për të cilën askush deri më sot nuk dha përgjegjësi. Tani më kanë shkuar aq larg sa që kanë ngatërruar edhe kryqin me gjysëm hënën, sepse nga tekste të përdhosura me përmbajtje klerikale, nxënësve shqiptarë të përkatësisë fetare Islame, ju imponohen dhe ju preferohen mësime Biblike. Këto tekste të hartuara nga profesorë politik, propagandojnë fenë krishtere dhe besimin në Bibël, duke diskriminuar kështu religjionet tjera, përfshirë këtu edhe fenë Islame.

Furnizimi apo mosfurnizimi i nxënësve me libra falas është një tjetër projekt kryekëput i dështuar, sepse po të merrni e t’i shihni më për së afërmi ata libra që fëmijët tanë i “trashëgojnë” nga paraardhësit e tyre, do të mendoni se të njëjtët janë nxjerrë prej ndonjë arkivi letrash mesjetare. Me një grumbull librash të tillë, të cilëve nuk u dihet se ku u fillojnë dhe ku u mbarojnë faqet, vështirë se do të mundeni të motivoni një nxënës të nisë me dëshirë dhe entuziazëm vitin e ri shkollor dhe aq më pak, të mësoj nga të njëjtët.

Kompjuterizimi i shkollave dhe “arsimimi” i mësuesve në lëmin e teknologjisë informatike nuk korrespondojnë me realitetin, sepse nxënësit dhe mësuesit bashkë, në shumë shkolla me mësim në gjuhën shqipe, akoma po veprojnë brenda objekteve shkollore të ndërtuara pas Luftës II Botërore, në të cilat mungojnë kushtet elementare për jetë dhe punë, duke nisur nga pastërtia e deri te qëndrueshmëria fizike e tyre. Shkollat shqipe, vazhdojnë të kenë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm dhe elektricitet, me lëndë djegëse për ngrohje gjatë dimrit, me infrastrukturë rrugore, e cila të shpie deri në shkollë, ndërsa pushtetarët flasin për kompjuterizim, digjitalizim, shoqëri informatike, etj.

Me aplikimin amatoresk të testimi intern/ekstern, qeveritarët duke u munduar të “shpikin ujin e nxehtë”, e degraduan mësuesin, i cili detyrohet të merret me punë letrash anembanë – nëpër zyra, në shtëpi, në klasë, kudo…

Le ta sqarojë dikush efektin pozitiv të kësaj “reforme” në arritjet dhe suksesin e përgjithshëm të nxënësve gjatë vitit shkollor. Përmes një testi anormal, në një ditë të vetme, ndëshkohen mësues, të cilët demotivohen akoma më tepër për të lënë gjithçka mënjanë dhe të merren vetëm me punë administrative, për të mos u ndëshkuar nga organet dhe institucionet e kontrolluara të pushtetit.

U dëmtuan edhe vetë nxënësit sepse nota e tyre mesatare u deformua nga ajo e testimit ekstern dhe tani e njëjta figuron në dëftesat e tyre. Kështu, pa asnjë faj, me një test të vetëm, fund e krye të përdhosur në vetvete, nxënësit do të duhet t’i vuajnë pasojat e tij gjatë shkollimit të tyre të mëtejshëm.

Edhe “lojërat” politike të pushtetit VMRO-BDI, që janë duke u bërë me Universitetin (Shtetëror) e Tetovës, kanë për qëllim që të dëmtojnë arsimimin e lartë të shqiptarve në gjuhën e tyre amëtare dhe degradimin e këtij institucioni të lartë arsimor akoma më tepër, që sërisht për këtë gjendje fajin t’a bartin vetë shqiptarët. Hapje-mbylljet hë për hë të universiteteve plotësuese dhe programeve të caktuara studimore në relacionin Shkup-Tetovë dhe partizimi permanent të arsimit, janë pasqyrë e kalkulimeve partiake të VMRO-BDI-së, për të punësuar “njerëzit e tyre” për qëllime dhe përfitime politike, e jo për të mirën e qytetarëve në këtë vend.

A ka dikush që mban përgjegjësi për gjithë këto dëme që i bëhen arsimit shqip në Maqedoni?

Të nderuar mësues,

Në vend që 7 marsi të jetë ditë kur Ju do të duhej të festonit, t’u gëzoheshit të arriturave tuaja dhe të planifikonit për të ardhmen, Ju po i përjetoni ditët më të vështira të arsimit shqip në Maqedoni, edhe pse nuk duhej të ishte kështu! Megjithatë, mësimdhënësit tanë kanë qenë të njohur për atdhedashurinë e tyre, për bindjet e tyre, për qëndrueshmërinë e tyre, për kryelartësinë e tyre, për durimin dhe mosdorëzimin e tyre… Prandaj, ne si LR PDSH konsiderojmë se edhe kësaj radhe do të dini t’u bëni ballë këtyre turbullirave, si shumë të tjerave deri më tash, dhe do të gdhiheni faqebardhë për të vazhduar misionin Tuaj të shenjtë drejt një të ardhmeje më të ndritur për ne dhe në veçanti për gjeneratat që pasojnë.

Sot, në këtë ditë të shenjtë për arsimin dhe shkollën shqipe, LR-PDSH (ASH), inkurajon të gjithë të punësuarit në arsim, nga ai parashkollor deri te arsimi universitar, që edhe përkundër të gjithë këtyre vështirësive dhe pengesave me të cilat ata ballafaqohen, me punën e tyre të shenjtë, të japin kontributin e tyre maksimal në përmirësimi e gjendjes së arsimit nëpër shkollat shqipe. Në këtë mënyrë duke dëshmuar dashurinë ndaj arsimit dhe duke ndjekur rrugën e pishtarve të parë të arsimit dhe mësojtoreve të para në gjuhën shqipe, ata do të nderojnë 7 Marsin, ditën e arsimit shqip, ditën e mësuesve shqiptarë.

Zoti e bekoftë arsimin e shqiptarve! Zoti i bekoftë shqiptarët!

Urime 7 Marsin, duke Ju dëshiruar shëndet dhe suksese të reja!

Gjithashtu lexo

BESA me Çupin dhe LR-PDSH me Agollin do të garojnë në Dibër

Partitë politike bashkë me degët komunale po i bëjnë përgatitjet e fundit para zgjedhjeve lokale, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *