Home / Kryesoret / Shteti e harron Shtabin e UÇK-së

Shteti e harron Shtabin e UÇK-së

Ndërtesa ku ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Likofc të Drenicës është restauruar në vitin 2008, por prej atëherë ka mbetur pa përkujdesje institucionale. Komuna e Skenderajt kishte lidhur kontratë në vepër me një person nga Likovci për tre muaj, e më pas Fehmi Kadriu e mirëmban atë vullnetarisht

Dikur ishte Stacion i Policisë, e gjatë luftës Shtab i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ndërtesë zhvilloheshin bisedimet e përfaqësuesve të UÇK-së me të deleguarit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, BE-së dhe NATO-s. Në Likofc të Drenicës, në Shtabin e UÇK-së, kishin zbritur ambasadorët Cristopher Hill e Volfgang Petrisch, si dhe Rchard Holbrooke, që vlerësohej si e arritura më e lartë e internacionalizimit të çështjes së Kosovës dhe krijimit të aleancës së UÇK-së me SHBA-të, BE-në dhe NATO-n. Pas rënies së komandantit legjenda të UÇK-së, lufta çlirimtare kishte marrë hov të madh në Kosovë, u forcuan grupet, u formuan batalionet, skuadra e brigada. Qendra e të gjithave u bë Likofci dhe nga aty drejtohej lufta çlirimtare.

Pas përfundimit të luftës, kjo ndërtesë mbeti e shkatërruar, por në vitin 2008, me një projekt të Qeverisë së Kosovës, ndërtesa u restaurua. Brenda në ndërtesë, në sallën e mbledhjeve, të kuzhinës dhe të qelisë së ndërtesës, janë vendosur gjësende dhe fotografi të atyre që luftuan dhe ranë për liri, si të Bekim Berishës – Abeja, por edhe të atyre që janë gjallë, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Shaban Shala e të tjerë. Janë restauruar gjithashtu edhe bunkerët në afërsi, të cilët përdoreshin për t’u mbrojtur nga armiku, si dhe ishin rregulluar ambientet përreth ndërtesës.

Ish-Shtabi i UÇK-së duhet të bëhet muze

“Mirë që disa mjete kanë shkuar në muze, po këtu ka qenë vendi ku komandant “Abeja” ka prodhuar mina dhe bomba të hatashme. Do sende i kanë çuar atje”, thotë Kadriu, i cili prej vjeshtës së vitit 2008 ka marrë vetëm tri paga nga Komuna për mirëmbajtjen e objektit dhe për mirëmbajtjen e varrezave të 13 dëshmorëve.  Ai mendon se ndërtesa nga e cila ishte drejtuar lufta çlirimtare duhet të ketë edhe eksponate të ndryshme dhe që aty të bëhet një muze. “Tash për tash nuk ka shumë sende aty, por ky objekt ka me u ba muze”, mendon ai.

Por, me kalimin e kohës, kjo ndërtesë i është nënshtruar vetëshkatërrimit, për mungesë të përkujdesjes. Menjëherë pas restaurimit, e me qëllim që ndërtesa të mirëmbahet, Komuna e Skenderajt kishte lidhur kontratë në vepër me një ish-luftëtar të UÇK-së, Fehmi Kadriu, i cili ka vazhduar ta mirëmbajë ndërtesën vullnetarisht. Ai këtë punë e bën, siç thotë, nga dashuria që ka për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe për faktin se edhe vetë ka qenë pjesë e luftës.
“Nuk kam këqyr a po më paguajnë a jo. Ky është vendi më i rëndësishëm i luftës sonë. Këtu janë zhvilluar shumë ngjarje historike dhe kam vlerësuar se duhet ta mirëmbaj edhe pa më paguar”, thotë Fehmiu, i cili tani gëzon pensionin si veteran i luftës së UÇK-së.

Ndërtesa ka filluar të shkatërrohet

Por, me gjithë përkujdesjen e Fehmi Kadriut, shtabi mbeti krejtësisht në harresë, ndërsa ka filluar edhe të shkatërrohet. Fehmi Kadriu thotë se këtë e vend e ka lënë pas dore vetë shteti. Pak kohë më përpara, bunkerët ishin vërshuar nga uji, por edhe ndërtesa ka filluar të shkatërrohet.

Murat Musliu, ish-luftëtar, kryetar i NKMDLNJ në Skenderaj thotë se objektin e kanë lënë pas dore të gjithë, edhe Komuna e edhe Agjencia për Menaxhimin e komplekseve dhe memorialëve të Kosovës. “Tani ka filluar të pikojë edhe çatia, flamujt nuk ndërrohen, kështu që për çdo ditë objekti po shkatërrohet pa mirëmbajtje. Personi që përkujdeset, punën e bën vullnetarisht, Agjencia nuk përkujdeset fare. Ky objekt ka rëndësi të veçantë dhe është një histori për Kosovën”, thotë Musliu, sipas të cilit pa përkujdesje institucionale nuk mund të ketë mirëmbajtje.

Në anën tjetër, në Komunën e Skenderajt thotë se për objektin bëjnë aq sa munden, në mënyrë që ai të mirëmbahet.

Hajriz Koci, zëdhënës i komunës së Skenderajt, thotë se objektin e pajisin me flamuj dhe simbole, kur ato dëmtohen.

“Shtabi i UÇK-së në Likofc, si dhe memorialet dhe komplekset e varrezave janë kompetencë ekskluzive e Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës dhe ata janë të obliguar që t’i mirëmbajnë dhe t’i  mbikëqyrin ato.
Edhe ish-ndërtesa e Shtabit të UÇK në Likofc është kompetencë e kësaj agjencie. Mirëpo, ne kemi ndihmuar me flamuj dhe me të tjera gjëra të nevojshme. Ndërkaq, sa i përket punëtorit që mirëmban Shtabin e Likofcit, besoj se ai këtë punë e bën vullnetarisht, në fakt unë s’e di statusin e tij”, ka thënë Koci.(zëri)

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *