Home / Kryesoret / Teuta Arifi : Punuam për Tetovën, jo për xhepat tanë (FOTO)

Teuta Arifi : Punuam për Tetovën, jo për xhepat tanë (FOTO)

Më rastin e shënimit “3 Marsit” të ditës të Komunës së Tetovës, Kryetarja e Komunës së Tetovës znj.Teuta Arifi iu drejtua të pranishmëve :

Të nderuar të mysafirë,
Të nderuar këshilltar të kuvendit komunal,
Të nderuara zonja dhe zotërinj të ftuar,
Të dashur qytetarë,

Urime 3 Marsin, ditën e komunës së Tetovës!! Dita e sotme është padyshim një datë e rëndësishme në kalendarin e festave tona dhe sot ne duhet të mburemi, sepse jemi të denjë ta festojmë këtë ditë.Tre vite me radhë punuam për Tetovën. Jo për xhepat tanë, jo për grupe interesi po për Tetovën!
Natyrisht, të punosh për komunën tënde nuk është asgje e pazakontë në vende normale me traditë demokratike por në këtë vend me demokraci të brishtë, nën këto kushte politike dhe rethana ekonomiko-sociale, të punosh për ta ndryshuar rrënjësisht gjendjen e një qyteti të cilit para tre vitesh I mungonin elementet esenciale të të qenit qytet, është arritje e madhe .
Sot ne mburemi, sepse jemi ajo udhëheqësi që qeverisi me forcën bashkuese të shembullit për qytetarët të cilët rendin dhe rregullin nuk duhet ta përjetojnë si dhunë por si përgjegjësi dhe obligim që domosdo duhet ta përmbushin për të pasur qytet më të mirë, mirëqenje dhe ardhmëri më të lumtur për vehten dhe gjeneratat që vijnë.
Mburemi, sepse dëshmuam që Tetova nuk është pronë e individëve, grupeve apo udhëqësve të komunës por e të gjithë atyre që kanë jetuar dhe do të jetojnë të ardhmen në këtë qytet. Dëshmuam që Tetova nuk duhet me fjalë por me punë të palodhshme ndërsa zhvillimi i Tetovës është proces dhe angazhim shumë dimensional e jo biznes i dhënies së pakontrolluar të lejeve për ndërtim dhe shpërdorim të parasë publike. Ne e zgjodhëm rrugën e vështirë të punës për ta plotësuar vizionin tonë për Tetovën nga i cili përfitojnë vetëm qytetarët e Tetovës ndërsa neve na ngelet të mburemi me lodhjen, sakrificat dhe përballjen me të gjitha sfidat dhe peripecitë nëpër të cilat kaluam këto tre vite .
Zonja dhe zotërinjë,
Njëjtë si udhëheqësitë e mëparshme të komunës së Tetovës, premtuam se do ta zgjedhim problemin shumëvjeçar të mungesës së ujit të pijshëm dhe sot ky projekt gjendet në fazën përfundimtare ngaqë kanë ngelur edhe 1.2 kilometra nga 7 kilometra tash më të përfunduara të gypit kryesor. Dhe ne sot mburemi sepse jemi ata që e realizojnë këtë projekt I cili edhe pse lyp shumë angazhim, në essence nuk ishte edhe aq I vështirë për tu realizuar sepse kërkonte vetëm dy parakushte : të punosh për zbatimin e projektit dhe ti mbash duart larg parave të parapara për zbatimin e projektit!

Qëllimi ynë që në fillim të mandatit ka qenë rindërtimi dhe asfaltimi i të gjithë rrugëve të qytetit dhe fshatrave të Tetovës dhe në suaza të mundësive finansiare kemi arritur të intervenojmë në pjesë të madhe të infrastrukturës urbane dhe rurale. E kuptojmë nevojën e qytetarëve për të pasur rrugë tërrësisht të reja sepse infrastruktura egzistente në të cilën nuk është investuar me dekada është problematike por gjithashtu jemi të vetëdijshëm dhe dëshirojmë ti vetëdijësojmë edhe qytetarët që këto projekte janë kapitale , ata kanë filluar mirëpo nuk është e realtë të pritet se do përfundojnë si në përalla, sa hap e mbyll sytë .

Brenda këtyre viteve rindërtuam bulevardin Iliria dhe rrugën industriale, asfaltuam 250 metra rrugë në spitalin e Tetovës, bëmë rikonstrumimin dhe asfaltimin e rrugës “ Vllezërit Milladinovi” me kanalizim, instalimet për ndriçim publik dhe trotoare me 290 metra gjatësi, asfaltuam rrugën Kala-Sellcë si dhe rrugën dhe kanalizimin brenda fshatit Sellcë. Shtruam me begatonë rrugën Vllezërit Milladinovi në Çarshinë e epërme, nëntë rrugë në Reçicën e madhe ,pesë rrugë në Reçicë të vogël, katër rrugë në fshatin Poroj , katër në fshatin Xhepçisht, një rrugë në fshatin Veshallë dhe dy rrugë në fshatin Gjermë .Rregulluam parkingun me 300 metra gjatësi në rrugën Boris Kidriç, kanalizimin në rr.”Jashtë Vardarit”, kanalizim fekal,atmosferik dhe ujësjellësin në rr.”120”, rrjetin e ujësjellsit në rrugën 131 me 100 metër gjatësi, pusetën për ujësjellës në rrugën Dervish Cara, kanalizimin atmosferik në lagjen Teteks dhe shumë projekte tjera të cilët kanë për qëllim përmirësimin e infrastrukturës në zonat urbane dhe rurale të komunës së Tetovës. Këtë vit ndërtuam murrin mbrojtës në fshatin Shipkovicë, shtruam me bekaton rrugët e fshatit, pastruam përojin dhe rregulluam urën e fshatit. Realizuam projekte infrastrukturore në rrugët dhe urrat e fshatrave Gjermë, Poroj, Gajre, Bozofcë, Vicë, Sellcë dhe Llacë. Vitin e kaluar është bërë investim prej afër 80 milion denarësh në rekonstruimin e rrugëve brenda dhe jashtë qytetit,ndërsa me fillimin e sezonit ndërtimor planifikojmë përfundimin e rrugëve Ivo Lola Ribar dhe rrugës 172 . Në ndërkohë edhe kete vit do të vazhdojë ndërtimi i rrugës së banjës projekt ky i financuar nga granti i fituar nga Agjencioni për përkrahjen e zhvillimit rrural ndërsa këtë ëtë vit po ashtu kemi aplikuar në thirrjen e Ministrisë për financa me projektin për ndërtimin e rrugës së Kalasë respektivisht rrugën që lidh Tetovën me Sellcën. Këtë vit është planifikuar dhe do të fillojë rekonstruimi i trotoareve ne bulevardin Iliriaa projekt ky i cili padyshim do të transformojë pamjen e pjesës qendërore të qytetit.

Zonja dhe zotërinj,

Tre vite më parë, Tetova ishte e mbuluar nga mbeturinat sepse NPK gati e falimentuar nga borxhet nuk ishte në gjendje ti pastrojë ata. Sot jo vetëm që kjo ndërmarje rregullisht pastron të gjitha hapësirat e qytetit po edhe funksionon me sukses në aspektin financiar duke bërë investime për të sofistikuar maqinerinë dhe pajisjet e nevojshme për ta mirëmbajtur higjienën e qytetit .
Tre vite më parë kishim xhungllën e automjeteve që qarkullonin në rrugë e trotoare ku edhe parkoheshin pa pikë problemi . Sot me sukses jemi duke implementuar projektin për parkim zonal në rrugët e qytetit ndërsa trotoaret tërësisht ua kthyem këmbësorëve . Nga ky vit planifikojmë funksionalizimin e “Ndëmarjes për Transport Publik” ndërsa së shpejti do të hapet procedura e prokurimit për përgjedhjen e kompanise e cila në kuadër të partneritetit publiko-privat se bashku me komunen e Tetovës do të investojnë dhe menaxhojnë me stadiumin e qytetit me çka do të realizohet ëndëra shumë vjeçare e qytetarëve të Tetoves për nje stadium modern.

Zonja dhe zotërinj ,
Para tre vitesh ky vend ishte lëmsh me zyra të tymosura të mbushura me dokumente të cilëve mezi u rramë në fije dhe kontrata të dyshimta të lidhura për ta dëmtuar buxhetin e komunës dhe për të pasuruar xhepa privat. Sot, ky vend është institucion i cili funksionon në bazë të kompetencave të saja ligjore . Dhe ne mburemi që pikërisht në bazë të këtyre kompetencave punuam për të pasur qeverisje demokratike, rend, rrugë, ujë, arsimimim cilësor, kulturë, sport dhe të gjitha parakushtet të cilat duhet ti ketë një qytet. Tetova nuk është më tërësi gjeografike në kaos por është një verzion qyteti në proces të bërjes qytet ku brezat e ardhëm do kenë mundësi të jetojnë më mirë dhe të veprojnë më mirë .

Për këtë arsye, ne jemi të vendosur që të vazhdojmë të punojmë me intenzitetin e njejtë për ta bërë Tetovën një vend të sigurtë, të ndërtuar konform standardeve të harmonisë urbane dhe bukurisë arkitektonike, qytetet më të pastër e më të gjelbër, me ujë të pijshëm, rrjet të mirë rrugor,transport publik, parking të organizuar dhe një vend modern të mundësive ku do të zhvillohen bizneset dhe do të kultivohen talentet.
Zonja dhe zotërinjë,
Dëshiroj të cek dy momente që ndodhën vitin e kaluar e që mua personalisht më kanë lënë mbresa të thella. E para është solidariteti dhe ndihma e të gjithë qytetarëve, institucioneve, komunave, bizneseve, ambasadave dhe shteteve fqinje që mundësuan të përballemi me pasojat e katastrofës natyrore të vitit të kaluar dhe e dyta është reagimi qytetar ndaj ndotjes abnormale të ajrit ambiental I cili ndonëse u shpreh në adresë të gabuar sërish dëshmoi ardhjen e një gjenerate dhe një mendësie të re që mund të mobilizohet rreth interesit të përbashkët dhe është e vetëdijshme për përgjegjësinë dhe detyrimet ndaj bashkësisë . Edhe pse adresa e vërtetë për të reaguar ishte objekti I qeverisë në Shkup sërish e përshëndes aktin e reagimit kolektiv në emër të interest të përgjithshëm sepse vetëm kjo qasje do të sjell përparim shoqëror, kulturor dhe ekonomik por edhe mirëqenie dhe jetë cilësore për secilin prej nesh.
Në fund, edhe një herë dëshiroj të falemnderoj të gjithë ata që kontribuan për Tetovën dhe duke ju uruar që 3 marsin e ardhshëm ta festojmë në një qytet më të bukur, më të pastër, më të gjelbër, me infrastrukturë më të mirë , ekonomi më të zhvilluar, arsim më cilësor, trafik më të rregulluar, kushte më të mira jetësore dhe qytetarë më të kënaqur, unë këtu e mbyll fjalën time .

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *