Home / Kryesoret / UEJL shënoi 7 Marsin – Ditën e Shkollës së Parë Shqipe

UEJL shënoi 7 Marsin – Ditën e Shkollës së Parë Shqipe

Universiteti i Evropës juglindore, me një manifestim rasti, të hënën (7 mars 2016), e shënoi Ditën e Shkollës Shqipe dhe Ditën e Mësuesit.
“Fjalimet e mia çdo herë i filloj, duke i përshëndetur studentët dhe pastaj profesorët e tyre, por sot përshëndetja dhe nderi u takon profesorëve, të cilët kanë rolin kryesor në edukimin dhe arsimimin e brezit të ri drejt një zhvillimi të gjithanshëm arsimor dhe kulturor të shoqërisë sonë”, tha rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika, duke  nënvizuar se 7 Marsi është një histori e pasur e arsimit tonë, por ne si shoqëri duhet ta mbindërtojmë vetveten me performanca zhvillimore. “Prandaj, misioni i 7 Marsit vazhdon të jetë aktual edhe sot. Ne e kuptojmë këtë mision si obligim për t’u dhënë gjeneratave të ardhshme njerëz sa më të kualifikuar me dije dhe kulturë. Ky është misioni i UEJL-së, një model ky mjaft i pranueshëm ku bashkëjeton shkëlqyeshëm tendenca për zhvillim kulturor e arsimor dhe nevoja e tregut për kuadro të aftë”, nënvizoi rektori Dika.

Sipas Dr. Demush Bajrami “duhet pranuar një fakt se përgjatë ekzistencës së saj, që nga viti 1887, shkolla shqipe ka pësuar shumë ndryshime, në përpjekje të vazhdueshme për të përmbushur dhe për të kënaqur kërkesat e arsimit modern”.

Prof. Dr. Stefan Qirici, në fjalimin e tij kujtoi rëndësinë e kësaj dite, duke theksuar kontributin e rilindësve e posaçërisht të familjes Qiriazi. “Kjo ditë shërben për t’i kujtuar të gjithë ata, të cilët kanë kontribuuar dhe sakrifikuar për shkollën shqipe. Ata, të cilët ishin nismëtarët e arsimimit të kombit në përgjithësi dhe emancipimit të femrës shqiptare në veçanti, siç ishte rasti i motrave Qiriazi dhe shkollës së Parë Shqipe të Vashave”, tha prof. Qirici.

Prof. Dr. Zeqir Kadriu, theksoi nevojën e bërjes së dallimit mes shkollës së parë institucionale shqipe dhe fillimeve të para të arsimimit në gjuhën shqipe. “Shqiptarët edhe para hapjes së shkollës së parë shqipe kishin zhvilluar aktivitete arsimore, por hapja e shkollës së parë shqipe ishte një akt institucional, që shënoi fillimin e institucionalizimit të shkollimit të shqiptarëve”, tha prof. Kadriu.

Fjalim rasti mbajti edhe kryetarja e Parlamentit dhe Asociacionit Studentor të UEJL, Arta Demirali, e cila falënderoi të gjithë profesorët dhe të gjithë stafin për kontributin e tyre, që, siç tha ajo “të ndjehemi të veçantë që jemi studentë të këtij Universiteti”.

Në këtë manifestim, me recitale u prezantuan studentë të drejtimit të Komunikimit ndërkombëtar të UEJL-së dhe të Kolegjit privat “Udro Uilson”, të Tetovës dhe Trios harkore të studenteve të USHT-së.

Gjithashtu lexo

Sali Berisha: “Shkëndija” e Tetovës bën sot historinë!

Ish- kryeministri Sali Berisha i kushton një status ndeshjes mes Milanit dhe Shkëndijës së Tetovës, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *