Home / Lajme / Rajon / VV demanton liderin e AAK’së, thonë se nuk kanë qëndrim të përbashkët për largim nga Kuvendi

VV demanton liderin e AAK’së, thonë se nuk kanë qëndrim të përbashkët për largim nga Kuvendi

Dallimet në qëndrime mes partive opozitare për mundësinë e braktisjes së Kuvendit të Kosovës ende po vazhdojnë.

Përderisa dy partitë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën janë shprehur të gatshme për këtë veprim, partia më e madhe në opozitë Lëvizja Vetëvendosjes duket se nuk e pëlqen këtë ide.

Zyrtarë të kësaj partie kanë mohuar deklaratën e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj se paritë opozitare kanë vendosur që ta braktisin Kuvendin.

Adonis Tahiri, zyrtar për informim në Vetëvendosje ka thënë për lajmi.net, se nuk ka ndonjë qëndrim të përbashkët të partive opozitare për braktisje të Kuvendit.

“Ende nuk kemi vendim të përbashkët si opozitë e bashkuar për diçka të tillë. Janë diskutuar gjerë e gjatë mendime e qëndrime rreth asaj se si duhet vazhduar protestën tonë brenda institucioneve”, ka thënë Tahiri, për lajmi.net.

Ndryshe sot kreu i AAK-së në një intervistë për “Epokën e re”, ka  thënë se partitë opozitare nuk do të marrin pjesë në seancat e Kuvendit të Kosovës. Ky veprim i partive opozitare, sipas Haradinajt, nuk nënkupton dorëzim të mandateve.

“Nuk dorëzohen mandatet, por deputetët e opozitës nuk do të marrin pjesë në punimet e një Kuvendi, sepse e konsiderojnë jolegjitim”, është shprehur Haradinaj.

Një ide të tillë e ka përkrahur edhe Nisma e Kosovës e drejtuar nga Fatmir Limaj. Ai të enjten pas seancës së Kuvendit ka deklaruar se Opozita duhet të brkatisë Kuvendit si mjet i ri i kundërshtimit ndaj qeverisë të cilës ata po i kërkojnë dorëheqjen.

Por, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme lidhur me qëndrimin ose jo në Kuvend, partitë opozitare janë shprehur se do të vazhdojnë kundërshtimin e Qeverisë përmes protestave në rrugë.

“Opozita e bashkuar vazhdon të konsolidohet në terren dhe po punon vazhdimisht për protestën e 26 marsit. Kështu siç jemi, ne tri subjektet opozitare të bashkuara, bashkë me përfaqësues të shoqërisë civile dhe me mbështetjen popullorë që po rritet, nuk do të ndalemi deri në anulimin e marrëveshjeve të 25 dhe 26 gushtit dhe deri në largimin e kësaj qeverie antikushtetuese”, ka thënë Tahiri.

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *