Home / Kryesoret / Bilanci i protestave, 12 të arrestuar dhe 1 gazetar i lënduar

Bilanci i protestave, 12 të arrestuar dhe 1 gazetar i lënduar

Dymbëdhjetë të arrestuar dhe një gazetar i lënduar është bilanci nga protestat që u mbajtën mbrëmë para dhe në afërsi të Zyrës popullore të presidentit Gjorge Ivanov në Shkup, në organizim të iniciativës civile “Protestoj”.

Sipas dëshmitarëve okularë, në parregullsitë që kanë ndodhur ka edhe të lënduar të tjerë, midis të cilëve edhe një fotoreporter.

Demonstruesit mbrëmë e demoluan Zyrën popullore të presidentit Ivanov në qendër të Shkupit. Janë thyer dritare dhe mobiljet nga zyra, ndërsa është dëmtuar edhe ndërtesa e Ministrisë së Drejtësisë.
Protestuan në shenjë revolte nga vendimi i presidentit për ndërprerje të përgjithshme të të gjitha procedurave kundër politikanëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre të përfshirë me përgjimet dhe krizën politike.

Paraprakisht demonstruesit ishin para Kuvendit, ndërsa policia i pengoi të drejtohen drejt selisë së VMRO-DPMNE-së. Kërkuan dorëheqjen e presidentit Ivanov, ngrirje të aktiviteteve për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 5 qershor dhe formim të Qeverisë eksperte e cila do të organizojë zgjedhje korrekte, demokratike dhe kredibile.

Protesta filloi në orën 18:00 para Prokurorisë speciale publike në shenjë të mbështetjes së punës së tyre, pas çka vazhdoi para Zyrës popullore të Ivanovit e deri te Kuvendi.

Njëkohësisht, para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, pastaj edhe para selisë së LSDM-së opozitare u mbajtën protesta të qeta në organizim të Lëvizjes civile për mbrojtje të Maqedonisë (LCMM), në shenjë të pakënaqësisë nga vendimi i Ivanovit që të falen kryetari i LSDM-së Zoran Zaev dhe i pandehuri në rastin “Puç”, Zoran Verushevski, të cilët sipas tyre, me përgjimin e kanë rrezikuar sigurinë e shtetit./MIA/

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *