Home / Kryesoret / Ibrahimi nga Lëvizja Besa: Lagjja e Trimave – tradhti ose dështim i BDI-së?!

Ibrahimi nga Lëvizja Besa: Lagjja e Trimave – tradhti ose dështim i BDI-së?!

Nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi, në një shkrim të tij në rrjetin social facebook ka kujtuar ngjarjet e 9 majit në Kumanovë, ndërsa ka parashtruar edhe pyetjen nëse “Kumanova ishte tradhti e BDI-së apo ishte dështim i BDI-së?”.

Ja dhe shkrimi i tij i plotë:

Këto ditë kur po afron përvjetori i ngjarjes së vitit të kaluar në Kumanovë, kur në Lagjen e Trimave për dy ditë rresht u zhvilluan luftime kundër një grupi të armatosur, me ç’rast pati edhe viktima dhe dëme të mëdha materiale, por edhe trauma që kurrë nuk do të shlyhen nga memorja e kumanovarëve, disa media sikur qëllimisht duan ta nxjerrin se ky ishte një montim i shërbimit sekret maqedonas dhe se partia shqiptare në pushtet, BDI, nuk ka pasur asnjë faj në të.

Unë e di se BDI-ja e Ali Ahmetit e dëshiron këtë dhe, madje, dëshiron që ajo ngjarje të harrohet sa më shpejt, ama ne nuk guxojmë të harrojmë kaq lehtë. Harresa në çështje publike është mëkat, ndërsa ata që nuk marrin mësim nga historia, ajo u përsëritet.

Andaj ne do të duhet të pyesim hapur: a ishte Kumanove tradhti e BDI-së apo ishte dështim i BDI-së? Sepse, njëra nga këto dyja ishte sigurisht.

Tradhti do të ishte nëse ajo ka marrë pjesë në inskenimin e atij rasti. Siç kanë folur familjarët e të vrarëve dhe të arrestuarve, por edhe disa media, ka edhe indikacione të tilla. Megjithatë, ndonëse i kemi kundërshtarë politikë, unë nuk do t’ua dëshiroja këtë. Sepse, të përdoren djem shqiptarë që të shpëtojë Nikolla Gruevski dhe shpura e tij, ndërsa kjo të paguhet me disa viktima në njerëz, më shkatërrime të pronave shqiptare dhe me trauma të rënda në Lagjen e Trimave, kjo është vërtet tradhti.

Por, nëse nuk është tradhti, atëherë sigurisht është dështim. Dhe, ky nuk është faj më i vogël se tradhtia. Sepse, të jesh pjesë e pushtetit, të kesh zëvendësministër të Punëve të Brendshme, të kesh zëvendësdrejtor të Drejtorisë së Zbulimit dhe Kundërzbulimit dhe të mburresh se ke marrë 150 mijë vota që ta mbrosh interesin shqiptar, ndërsa të lejosh që në lagje shqiptare të bëhen këso drama, që kanë për synim të shpëtojnë koka të politikanëve të VMRO-së, kjo i bie se BDI-ja nuk ka fare pushtet, andaj është mëkat t’i jepet më votë asaj. Nëse edhe pas kaq shumë votash asaj i montojnë këso rastesh, atëherë ne nuk duhet të mbrohemi më vetëm nga Gruevski, por edhe nga Ahmeti. Sepse dështimi i Ahmetit është ndëshkim për shqiptarin e Maqedonisë.

Merre si ta marrësh, unë nuk e ruaj shpinën më vetëm nga VMRO-ja, sepse ata janë dëshmuar se në cilën anë janë dhe kundër kujt janë, por tash e tutje – veçmas pas Kumanovës së 9 majit 2015-të – unë e ruaj shpinën edhe nga TRADHTIA ose DËSHTIMI i BDI-së.

Çfarëdo qofshin, tradhtarë ose të dështuar, sepse opsion të tretë nuk ka, ky është lajm i keq për të gjithë shqiptarët dhe prandaj ata e meritojnë dënimin tonë.

Për këtë arsye 9 maji, që gjithnjë shënohet si Ditë e Eruopës, këtë vit do të jetë një rasti i mirë për ta shtruar këtë pyetje: a tradhtoi apo dështoi BDI-ja?

Prandaj ju ftoj të gjithëve që më 9 Maj të bashkohemi të gjithë në Ditën D: për Drejtësi, Demokraci dhe Dinjitet. Ejani të protestojmë shqip!

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *