Home / Kryesoret / Rrëfimi i ushtarit të UÇK-së për aksionin e Kumanovës: Tregon se kush i tradhtoi e si u vranë bashkëluftëtarët e tij

Rrëfimi i ushtarit të UÇK-së për aksionin e Kumanovës: Tregon se kush i tradhtoi e si u vranë bashkëluftëtarët e tij

Ende e ka të freskët plagën nga plumbi që mori më 9 maj në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë. Po të freskëta i ka edhe kujtimet për atë të shtune ku humbi shokët në përleshjen që zgjati afro 48 orë..

Njëri nga ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, pjesë edhe e strukturave udhëheqëse, që ishte pjesëmarrës në luftimet e Kumanovës rrëfen ekskluzivisht për Gazetën Fjala në detaje se çfarë ndodhi.

Ai tregon për organizimin e UÇK-së, shtrirjen e saj, financimin e strukturën komanduese.

Ushtari që dëshiron të mbetet anonim, shpjegon se kush mori para nga Qeveria maqedonase për të përgatitur skenarin e sulmit në Kumanovë.
Ai rrëfen për Gazetën Fjala se kush i tradhtoi e si u vranë bashkëluftëtarët e tij.

Gazeta Fjala: Kush jeni ju dhe kënd e përfaqësoni?

Ushtari: Ne jemi Ushtria Çlirimtare Kombëtare, përfaqësojmë popullin, civilët të cilët janë të maltretuar që nga viti 2001 e deri në vitin 2015.

Gazeta Fjala: A ekziston UÇK-ja?

Ushtari: Po ekziston.

Gazeta Fjala: Sipas jush ekziston UÇK-ja edhe pse nuk e kemi parë asnjëherë, mirëpo vetëm kemi dëgjuar për të. A ka strukturë organizative?

Ushtari: Ka strukturë organizative, janë të gjitha sektorët e përcaktuar.

Gazeta Fjala: Do të thotë e ka një hierarki?

Ushtari: Të gjitha i ka, deri te Gjykata e UÇK-së.

Gazeta Fjala: Prej kur ekziston kjo?

Ushtari: Kjo ekziston, ka ekzistuar, por është riaktivizuar në vitin 2013, kur ka filluar riorganizimi.

Gazeta Fjala: Pse?

Ushtari: Për arsye që Marrëveshja e Ohrit nuk është implementuar asnjëherë. As dy përqindëshi i asaj marrëveshje nuk është realizuar, por ka qenë gjithmonë një kufomë të cilën është munduar që Qeveria ta ngjallë dhe populli ia ka dhënë besimin 2-3 herë që atë kufomë ta ngjallë. Por, e panë që ajo kufomë nuk ngjallet dhe e kemi parë të arsyeshme që ne të dalim sërish përpara dhe t’i mbrojmë.

Gazeta Fjala: Deri tash nuk kemi parë konkretisht një ushtar të UÇK-së…?

Ushtari: Edhe në vitet e ’90-ta kur ka dalë, kur ka qenë për herë të parë UÇK-ja, edhe ata nuk kanë dalë. Prandaj, edhe këtu duhet… janë hapat të cilat paraqiten.

Gazeta Fjala: Kush janë këta ushtarë, kush është komandanti i tyre?

Ushtari: Janë djem që i ka lind nana shqiptare, që kanë gjak të nënës shqiptare.

Gazeta Fjala: A janë vetëm nga Kosova, Maqedonia…?

Ushtari: Jo, janë nga të gjitha trojet. Sepse ajo tokë nuk është vetëm e atyre që jetojnë në Maqedoni, në Iliridë. Por, janë troje të të gjithë shqiptarëve që ne e kemi obligim. Qysh shqiptarët e Maqedonisë më ’90 e deri në 99 kanë ardhur tek ne, ashtu edhe ne e shohim si detyrë, si obligim moral për t’ju shkuar në ndihmë.

Gazeta Fjala: A paguhen prej dikujt këta ushtar, kush i financon?

Ushtari: Këta paguhen vetëm prej mobilizimi, kurse paga e këto të tjera as nuk fliten. Ato janë vetëm gënjeshtra të Aliut (Ali Ahmeti), Menduhit (Menduh Thaçi), Sashos (Sasho Mijallkov – ish shef i shërbimit sekret të Maqedonisë) e të tjerëve.

Gazeta Fjala: Aksioni i fundit është Kumanova, ku Ushtria Çlirimtare Kombëtare ka marrë përsipër aksionin që ka ndodhur atje. Përse është zgjedhur pikërisht Kumanova, përse “Lagja e Trimave”?

Ushtari: Ushtria Çlirimtare Kombëtare nuk e ka zgjedhur vetëm Kumanovën. UÇK nuk është nisur për në Kumanovë. UÇK është nisur për institucionet. UÇK nuk ka punë me civilë, por ka punë me institucione të cilat dita-ditës do të vijnë parasysh dhe do të shihen.

Gazeta Fjala: A mund të na sqarosh më tepër?

Ushtari: Mbesin gjërat ende jo të qarta mirë për arsye tonat.

Gazeta Fjala: …Është folur shumë për sulmin në Kumanovë. Thonë se është organizuar prej kosovarëve..?

Ushtari: Kosovarët nuk e kanë organizuar. Aksionin e kanë organizuar vet qytetarët e pakënaqur të iliridës, e jo kosovarët.

Gazeta Fjala: Në qoftë se mundesh të na sqarosh Iliridën. UÇK Iliridën e sheh në të gjitha trojet shqiptare?

Ushtari: Ilirida është pjesa ku është caktuar, është zaptuar nga sllavo-maqedonët.

Gazeta Fjala: Sa ushtarë kanë marrë pjesë në rastin e Kumanovës?

Ushtari: Nuk është një numër ende i përcaktuar dhe i saktë, sepse kemi pasur aty edhe ndërhyrje nga vetë qytetarët që kanë dalë në ndihmë. Prandaj nuk mund të jepet një numër shumë i saktë i tyre. Por, aty kosovarët kanë qenë pjesë; shqiptarët e Kosovës, sepse këta me këtë term kosovarë dëshirojnë ta ndajnë si popull. Por, shqiptarët nga Kosova kanë qenë së paku diku 5 për qind apo 10 për qind, dhe shteti maqedon kur e ka bërë krimin nuk ka shikuar me bo arrestime tek populli maqedon, por është orientuar më shumë tek shqiptarët e Kosovës, për arsye që me e gjuajt një arsye të tyre qysh e kanë traditë me bo një fitore të mundshme ndaj Kosovës gjoja se ju jeni ata. Na nuk jemi ata që kërkojmë luftë, por kur imponohet lufta nuk kemi ku shkojmë. Ne jemi aty ku na thërrasin vëllezërit tanë.

Gazeta Fjala: Nëse mund të mbesim ende tek kjo pjesa e numrit të ushtarëve që kanë marrë pjesë. Ju thatë se keni një strukturë organizative…?

Ushtari: Shtabet ekzistojnë në secilin qytet ku ka Maqedoni. Në çdo qytet ka shtabe të ndryshme. Janë strukturat dhe janë udhëheqësit pikërisht nga vet shqiptarët e Maqedonisë.

Gazeta Fjala: Do të thotë ditën kur ka ndodhur rasti në “Lagjen e Trimave”, nuk ka qenë cak kjo lagje?

Ushtari: Jo, cak ka qenë Qeveria maqedone. Nuk ka qenë cak i UÇK-së. UÇK qysh në vitin 2001 ka tregu që nuk ka punë me civilë, por ka punë me shtetin maqedon.

Gazeta Fjala: Por, pse ndodhi pikërisht aty?

Ushtari: Po, pikërisht sepse ka qenë skenar i përgatitur nga Qeveria Gruevski.

Gazeta Fjala: A janë dhënë para nga Qeveria Gruevski? Flitet për dy milion euro që janë dhënë. Tash akuzohet UÇK se i ka marrë paratë?

Ushtari: Flitet, edhe do të vazhdojë të flitet. Por, ata luftëtarë të cilët ishin aty, drejtpërdrejtë nuk kanë marrë para. Parja e tyre ishte ideali dhe asgjë tjetër. Por, këtu personi i cili e ka organizuar ka qenë një strukturë e lidhur ngushtë nga Sasho. Ai ka marrë urdhër nga Gruevski dhe Sasho, bashkë me Jankullovën dhe me ministrin e Financave, që të përgaditin shumën prej dy milionë eurove, siç po flitet, edhe pse ne nuk kemi dëshmi për atë. Dhe, këto para janë dërguar tek shqiptari, i cili punon në Shërbimin Sekret Maqedon. Ai shqiptar, në thonjëza, ia dërgon shumën vëllait të vet, shokut të vet, i cili është zbuluar nga ana jonë, mirëpo i cili mbetet ende identitet i mbyllur dhe kjo shumë me siguri i është dorëzua atij. Dhe, këta persona, ky personi i fundit i cili ka pranuar shumën nga ish bashkëpunëtori i Sashos, e ka dërguaar…

Gazeta Fjala: Ky personi a është në mesin tuaj? A ka qenë në mesin tuaj?

Ushtari: Jo, ky person nuk ka qenë në luftë. Ky person është zhdukur disa orë para se të ndodhë aksioni. Gjithçka ka qenë e përgatitur nga ky shqiptar, në thonjëza.

Gazeta Fjala: Para se të ndodhete aksioni, ai ka qenë pjesë e UÇK-së që ju e njihini, por nuk doni ta përmendni emrin e tij?

Ushtari: Po, ne e njohim dhe nuk do ta bëjmë publike, për arsyet tona të cilat i kemi urdhër nga Gjykata jonë, që ato do të mbesin edhe për disa kohë informata vetëm për ne. Në ndërkohë do të dalim të gjithë me emra dhe me mbiemra dhe të do japin përgjegjësi para popullit, Gjykatës të cilën e ka UÇK-ja, sepse ai që e tradhton UÇK-në, ai qysh kur ka hyrë e ka ditë që tradhtia nuk duhet të ekzistojë dhe dezertorët e tillë duhet ta paguajnë.

Gazeta Fjala: Ju e përmendët që pak kohë para se të ndodhte sulmi ai është larguar nga aty. A mund të na përshkruani më detajisht se si ndodhi kjo tradhtia?

Ushtari: Personi i cili ka organizuar dhe i cili ka marrë përsipër organizimin vjen pikërisht nga Maqedonia. Dhe, ai person ka qenë i lidhur me disa prej shqiptarëve, të cilët e kanë idealin mbi të gjitha dhe i ka ngreh me atë që Maqedonia është në krizë. Atje do të ketë luftë dhe do të ketë probleme edhe populli civil. Dhe përveçse e kanë organizuar dhe i kanë ngrehë personat e afërt afer vetes, aty ka ardhur edhe ka mbledhur edhe shokët e ish 2001-tës, të luftës çlirimtare të Kosovës, të UÇPMB-së e të gjitha strukturave, vetëm e vetëm ta bëjë një numër. Por, këta të cilët luftuan heroikisht afër 40 orë, këta kishin vetëm një qëllim: mbrojtjen e qytetarit pa marrë parasysh a është shqiptar apo maqedon. Ata e kishin mbrojtjen e popullatës civile. UÇK çdoherë ka tregu me kënd ka punë.

Gazeta Fjala: A e keni parë krejt këtë skenar ju? A keni qenë pjesë e aksionit të Kumanovës? A keni qenë brenda në “Lagjen e Trimave”?

Ushtari: Po, aty kemi qenë së bashku. Kemi luftuar dhe ju kemi treguar të gjithëve që ata luftëtarë të vitit 2001 janë ripërtri. Jo ripëtri, por tri herë më shumë janë forcuar, saqë po të ishte skenar i joni i përgatitur me kohë, aty me siguri do të dilnin prej anës maqedone mbi 200 të vrarë e mbi 500 të plagosur. Por, ka qenë një skenar, një kurth, një tradhti ndaj neve dhe erdhëm aty ku jemi edhe sot, që shumë prej nesh shokët i kemi humbur, ndër ta edhe na janë burgosur.

Por, me kaq nuk është mbyllur, se gjithçka aty ka qenë fillimi. Me datën 9 është varrosë Marrëveshja e Ohrit, ajo marrëveshje e cila ishte për 14 vite vetëm një kufomë e pavarrosur. Asaj kufome shtegtarët e lirisë ia kanë dhënë ceremoninë. Ajo më nuk egziston. Politikë më me shtetin maqedon nuk ka.
Gazeta Fjala: Sado që duket që është krijuar një paqe në mes shqiptarëve të Maqedonisë dhe vet maqedonëve që i kemi parë në protestën e fundit…?

Ushtari: Jo, ata nuk janë shqiptarë të cilët… sepse, ata të cilët kanë dalë aty, ata kanë marrë nga 1000 euro, 2000 euro, 5000 euro. Ne mund të flasim si ushtarë pikërisht për ata të cilët po flasin për ne. Ata janë mashtruar nga iluzioni i euforisë, por ndërkohë ata do të jenë me ne, sepse Zevezi (Zaevi) mbetet Zavez. Zavezi (Zaevi) është i Sopotit, është i të njëjtit rast dhe të gjithë e njohim se kush është ai dhe kush është Gruevski. Të dytë janë një trup i përbashkët, ashtu siç është një trup i përbashkët Alia dhe Thaçi. Njëjtë është.

Gazeta Fjala: Pse u dorëzuan ushtarët e UÇK-së?

Ushtari: Janë dorëzuar në momentin kur e kanë kuptuar se janë të tradhtuar. Dhe, njëri ndër ata më të vjetrit që ishte, Sokoli, ka vendosur që mos të humbë jetëra në një tradhti. Në tradhti është turp të humbet një luftëtar. Nuk është turp me humb në betejë përballë me armikun, por është turp të humbësh i tradhtuar nga ana e brendshme. Prandaj, edhe Sokoli ka luajtur një veprim të heroit, i cili do të mbetet gjithmonë në histori.

Gazeta Fjala: Atë ditë në Kumanovë kanë humbur jetët edhe bashkëluftëtarët e juaj. Kush janë ata, sepse ende nuk kemi të dhëna të sakta prej asnjërës palë?

Ushtari: Ende nuk mund të flasim konkretisht, sepse shumë prej tyre të dorëzuar janë vrarë, janë pushkatuar pasi janë dorëzuar. Prandaj, nuk duhet të ngutemi dhe nuk duhet të ngutemi që t’i shqetësojmë familjet e tyre. Të presim deri në momentin të cilën ata do t’i kenë certifikatat e tyre të vdekjes dhe atëherë mund të kemi një numër të saktë. Por, njëherë mund të themi që në mesin e tyre ka civilë shqiptarë të vrarë. Nuk dua ta humbasë këtë, sepse ky është një realitet i hidhur. Ka edhe të plagosur, të vrarë, të torturuar e të gjitha më të këqijat që kanë mundur t’i ndodhin.

Gazeta Fjala: Është folur shumë se krejt ky skenar është përgatit nga Qeveria maqedonase, madje është dyshuar edhe për kufomat që janë gjetur në vendin e sulmit në Kumanovë. Është thënë që ata janë trupat e emigrantëve nga Lindja e Mesme, të cilët janë shkelë nga një tren në një aksident të mëhershëm në Maqedoni. Sa ka të vërtetë këtu?

Ushtari: Jo. Gjithçka është aty, ata të cilët kanë rënë heroikisht dhe të cilët janë bërë kurbanë të tradhtisë së radhës, sepse i njëjti person i cili e ka bërë këtë tradhti është i njëjti person i Gërdecit, i Sopotit, Kondovës, Harun Aliut, Komandant Kushtrimit, i Monstrës, e po i njëjti është edhe i Kumanovës.

Gazeta Fjala: A dyshoni se ka trupa të emigrantëve?

Ushtari: Jo, nuk ka. E sqarova që nuk ka trupa të emigrantëve. Ka vetëm ushtarë dhe civilë. Ushtarët kanë humbur jetën pasi janë dorëzuar, jo duke luftuar. Por, pasi janë dorëzuar ata janë pushkatuar.

Gazeta Fjala: Ju, jeni të sigurt që…

Ushtari: Po, të gjithë janë vrarë të dorëzuar.

Gazeta Fjala: Nuk na treguat në fillim me sa ushtarë keni qenë?

Ushtari: Nuk mundemi të caktojmë numër të saktë, sepse aty kanë pasur edhe njerëz, vëllezër tanë të Kumanovës të cilët janë bashkëngjitur. Ata të cilët kemi qenë ne nuk mundemi me dhënë një numër të përafërt, sepse është turp t’ju humbim edhe mundin e tyre. Prandaj, aty kanë luftuar djem të cilët ishin tamam të nënave shqiptare.

Gazeta Fjala: Ju keni arritur të depërtoni, të tërhiqeni. Më intereson a ka dal edhe dikush tjetër prej bashkëluftëtarëve tuaj? Sa persona? Prej çfarë kohe deri në çfarë kohe keni qenë ju aty?

Ushtari: Me një numër bajagi të madh jemi tërhequr. Të thash që vetëm tek ne kanë qenë mbi 18 persona qytetarë të cilët kanë kapur pushkën dhe na ka dalë në ndihmë.

Gazeta Fjala: Nuk keni qenë të gjithë bashkë?

Ushtari: Jo nuk kemi qenë të gjithë bashkë. Aty na janë ofruar edhe vetë qytetarët të cilët e kanë kapur pushkën. Ne kur kemi shkuar, kemi shkuar për ndihmë, sepse i kemi pasur nga dy pushkë, në mënyrë që t’i furnizojmë edhe të tjerët. Prandaj, aty është një numër për të cilin nuk mund të flasim saktësisht. Por, vetëm tek grupi jonë kanë qenë mbi 38.

Gazeta Fjala: Kur thuhet tek grupi juaj, ti ke qenë me 37 ushtarë tjerë. Ku kanë qenë të tjerët: Sokoli, Begu, Mirsadi… Ku kanë qenë këta?

Ushtari: Secili ka qenë në pikat e tyre. Begu me Mirsadin kanë pasur pikën e tyre. Sokoli e ka pasë pikën e tij. Këto s’kanë qenë pika, por janë zanë tradhtisht dhe ata janë pozicionu në ato vende ku kanë qenë. Malisheva ka qenë në pikën e tyre edhe grupi jonë po ashtu në pikën tonë përballë tyre. Prandaj, është bërë një depërtim të cilën duhet të mbetet sekret, sepse në momentet në të cilën tregohen sekretet tona atëherë ne si Ushtri dështojmë.

Gazeta Fjala: A mund ta dimë sa ushtarë keni arritur të tërhiqeni?

Ushtari: Kemi arritur të tërhiqemi 19. Sepse 18 prej tyre kanë qenë qytetarë të Maqedonisë.

Gazeta Fjala: Çka tash, e thatë më herët që nuk ka përfunduar gjithçka?

Ushtari: Lufta nuk ka përfunduar. Edhe ne dëshiromë që të përfundojë lufta, por me imponimet e tyre nuk duam ta përfundojmë deri në realizimin tonë që jemi nisur, për të cilën e kemi marrur atë rrugëtim që shqiptarët ta kenë shtetin e tyre edhe në Maqedoni. Ose, që shqiptarët e Maqedonisë t’i bashkohen edhe shtetit shqiptar. Ka qenë shumë më e mirë edhe e udhës t’i bashkohet shtetit të Kosovës, mirëpo shteti i Kosovës ende nuk i ka plotësu kushtet. Prandaj, shteti i Shqipërisë i plotëson kushtet që t’i bashkohet. Por, nëse edhe shteti shqiptar i Edi Ramës, në krye me të, nuk e pranon as sikur atëherë që nuk e pranoi edhe Kosovën, që e dimë të gjithë, atëherë duhet ta shpallim Republikën e Iliridës, që të jetë edhe një shtet tjetër i ri i Shqiptarëve.

Gazeta Fjala: A mund ta dimë sa ushtarë i ka UÇK-ja?

Ushtari: Për momentin kemi mbi 2500 ushtarë vetëm në Iliridë, në trojet shqiptare të Maqedonisë.

Gazeta Fjala: UÇK shtrihet edhe në pjesët tjera, jo vetëm në Maqedoni?

Ushtari: Për momentin jemi të shtrirë vetëm në Maqedoni. Ndërkohë do të shtrihemi edhe pozicionohemi edhe më tutje, mirëpo qëllimi kryesor dhe fillimi ka qenë në Maqedoni, pastaj vazhdojmë edhe me Malsinë ku kemi edhe atje shumë të pakënaqur të cilët thuajse humbën të gjithë ata shqiptarë i kemi atje, thuajse janë të harruar. Ashtu siç u harruan edhe të gjithë të Çamërisë e edhe shqiptarët në Mal të Zi. Edhe për ata duhet të vazhdojmë. Kaq.

Gazeta Fjala: A qëndron prapa UÇK-së ish struktura e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që është folur shpesh për politikanët siç është Ramush Haradinaj, përfaqësues të PDK-së apo të Maqedonisë, Ali Ahmeti apo dikush tjetër. A ka prapa UÇK-së politikanë të Kosovës që e financojnë ose e ndihmojnë?

Ushtari: Jo, nuk ka. Tri luftat e fundit shqiptare janë qe 15 vite, këtë e di edhe një fëmijë sapo i lindur që mund të përgjigjet. Kur ata janë njerëz tanë, njerëz shqiptarë të cilët kanë luftuar në luftën e Kosovës, dhe kanë bërë fotografi me bashkëluftëtarët e tyre – që në mesin e tyre kanë qenë bashkëluftëtarë edhe Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi, Azem Syla e të gjithë këta. Në mesin e tyre kanë qenë bashkluftëtarë edhe në Preshevë, ku disa prej tyre janë sot edhe politikanë, por aty kanë bërë edhe foto. Ato foto janë kanë foto të bashkluftëtarëve e nuk kanë qenë foto politike. Në mesin e tyre i ki edhe në Maqedoni. Ato foto janë të bashkluftëtarit e nuk janë foto të politikanit. Prandaj, të gjithë këta politikanë janë të ardhur nga UÇK dhe nuk duhet të dyshojmë në këto paragjykimet e kota.

Gazeta Fjala: Në rastin e Maqedonisë, Ali Ahmeti doli se është njëfarë forme kundërshtar i juaj, ose bashkëorganizator i skenarit, siç e thatë edhe më herët. A ndiheni të tradhtuar që këta bashkëluftëtarë në një moment i janë shkëputur një ideali dhe nuk e vazhdojnë rrugën…?

Ushtari: Po e mbyllim me dy fjalë këtë pyetje. Ne kemi qenë të tradhtuar qysh në vitin 2001 kur është nënshkruar Marrëveshja e Ohrit. Pikë. /Gazeta Fjala/

Kjo intervistë nga Gazeta Fjala është realizuar vetëm disa ditë pas sulmit në Lagjen e Trimave. Po risjellim për lexim/Almakos

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *