Home / Kryesoret / Kujt i pengoi Hoxhë: Elvis Naçi?!

Kujt i pengoi Hoxhë: Elvis Naçi?!

Autor: Agron Islami

Sot një ditë e bukur. U ula përpara laptopit. Lexova lajmet dhe ndodhitë e botës. Pastaj u drejtova dhe po lexoja në kryefaqe të facebookut statuset dhe publikimet që ishin shkruar dhe shprehur nga ndjenja e tyre e thellë metafizike për shkak të ardhjes së teologut nga qyteti i bukur i Tiranës, Elvis Naçi. Më gëzuan, vërtetë. Sepse kjo na tregon dashurinë e tyre për të mirën. Këto pamje flasin për hapje rruge. I lexova edhe ata pa të cilët nuk mund të paramendohet bota. Shtrydhje insinktesh dhe derdhje mllefi. Vërtetë më mërzitën. U qetësova, kur kujtova, se edhe ata ofrojnë urtësinë dhe mençurinë falas të vetëzhvillimit, tek na tregojnë se si dukesh të jesh i tillë, fjalëligë dhe në të njëjtën kohë edhe propagandues i sunetit të shenjtë profetik!! Diçka tejet përplasëse! Këta të fundit gjithnjë kanë qenë kështu, ndaj dhe ata vetë kërkojnë burime dhe ambiente të tilla që u përshtaten mendësive dhe karaktereve të tyre. Temë e gjatë kjo.

Teologu Elvis Naçi erdhi dhe shkoi. Por ai askë nuk shau dhe askë nuk e ofendoi. Foli mirë për Islamin dhe ndau mes zemrash fjalë të ngrohta dhe shembuj sublimë. Ndokush nga aty, e që nuk dyshojë, mbase, gjen inspirim dhe ndërton një koncept të bukur për fenë dhe jetën.

Kujt i pengon kjo?! Pra ndërton të mirën – thashë! A nuk duan ata që dikush të flet fjalë të bukura për fenë e tyre?! Për Islamin dhe Profetin e tyre?! Për Kuranin dhe Zotin e tyre?! Por ja që egocentriku që ndjehet superior, ai gjithnjë është në gjendje ta sulmojë objektin që ka përballë, nëse ai objekt e rrënon egon e tij Superiore. Ngase beson dhe e ndjen se objekti në fjalë është më superior se superioriteti i tij. Si rrjedhojë këtu shfaqet Inferoriteti i Frikshëm për të cilin ai paguan gjithçka vetëm e vetëm të mos e ketë atë të pranishëm në brendi!!! Këtu flitet për një FRIKË, por jo individuale, sa është frikë klanore, frikë Inferiore e fshehtë që qëndron e strukur në subkoshiencën e këtij apo klanit tjetër!

Nëse nuk ke fjalë të mirë për të thënë e shkruar, s’është gjë, ngase patjetër nuk e ke, por të shkruash fjalë të liga nëpër statuse dhe komente, ndërkaq praktikues feje je, pa të ngacmuar dhe provokuar kush, nuk e kuptojë, përse?!

Sepse ju jeni ideologji! Edhepse në sunetin profetik bëni thirrje! Ideologji jeni! Asgjë tjetër! Dëmi i kësaj shoqërie, i këtij nënqielli dhe i kësaj feje që çdo shpirt gjen në të lumturinë dhe kuptimin e humbur të jetës! Fjalë që më sëkëlldisën!

Kurani dhe Suneti shprehje më e dashur për ideologjikët fetar, por më e LUFTUAR kolektivisht nga vetë ata dhe kjo vërehet si dielli që vërehet në mesditë, ndalon pjesëtarin e fesë tjetër ta ngacmosh dhe në të drejtën e tij të futesh. Ndërkaq Profeti Muhamed a.s. thotë: “Mysliman i mirë është ai që të tjerët janë të sigurt nga dora dhe gjuha e tij”. Profeti Muhamed a.s. tregoi se dërgesa e tij në këtë botë ishte për t’i plotësuar virtytet e moralit; për ta bërë njeriun të ndjejë përballë kafshës, përballë vetes, përballë botës, përballë njerëzimit, të dashurojë, të mendojë, të kthehet në origjinën e tij. U dërgua për të riparuar njerëzimin! Ai u dërgua për punë dhe projekte të mëdha. S’do mend; sepse Zoti i Universit nuk do ta dërgonte dikë special nga Mbretëria e Tij Qiellore për çështje të zgjidhshme dhe të ndreqshme lehtë. Të flasësh, të shkruash, të hapësh plagë pa nevojë, si thua? Në dobi të kujt shkon kjo? Natyrisht asgjë njeriu nuk bën, pa ndjerë nevojë për ta bërë atë gjë. Është nevojë dhe shtytje e thellë e shpirtit të tij që e nxitën për të bërë këtë apo atë tjetrën.

Nevojë, për ta ngopur dhe qetësuar egon tuaj kolektivo-klanore!

Ku je dhe ku jeni ju përballë citateve dhe haditheve të ndershme profetike që flasin për diçka të këtillë?! Ç’ke; ç’të pengoi prezenca e tij?! Ç’pate ti me të? Ç’të pengojnë grumbujt e njerëzve rreth tij?! Lutem që kjo mendësi të mos vazhdojë më! Lutem Zot! Këto muhabete nuk kanë qenë përpara, të flet muratori për imtësitë e fesë apo hoxha për imtësitë e inxhinierit. E përsëris: këto nuk kanë qenë përpara! Feja ka patur rol të shenjtë. Burrat kur janë mbledhur nëpër dhoma kanë diskutuar për të mbjellat dhe për të korrat, për livadhet dhe për fushat. Feja ka qenë temë diskutimi i atyre që specializojnë dhe analizojnë tekstet e saja, duke luftuar me ëndjet dhe duke kthjellur vetëdijen për ta shpalosur më të qartën!

Qëllimi i këtyre rreshtave NUK është për ta dalluar dikë nga tjetri, por është për ta dalluar të MIRËN dhe për ta kundërshtuar të KEQEN. Sepse e keqja është e keqe dhe e mira është e mirë. I urojmë mirëseardhje teologut dhe ligjëruesit: Elvis Naçi. Qoftë e bekuar ardhja e tij në vendin tonë. Populli ynë dëshmon se e do fenë, të mirën dhe të bukurën. Dhe kjo nuk është hera e parë që ai e demonstron këtë. Mirë ardhshin dhe të tjerë me buzëqeshje, dashuri dhe ngrohtësi.

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *