Home / Lajme / Rajon / Mbledhja e dy qeverive, Rama: Të drejtat e shqiptarëve në Serbi të respektohen

Mbledhja e dy qeverive, Rama: Të drejtat e shqiptarëve në Serbi të respektohen

Ka mbërritur delegacioni shqiptar dhe kryeministri Edi Rama në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë për takimin e përbashkët me Qeverinë e Kosovës.

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur tha se Shqipëria dhe Kosova kanë qenë gjithmonë bashkë në ditë të mira dhe të këqija. Rama përmendi edhe bashkëpunimet mes dy vendeve, që nga ekonomia e deri të arsimi.

Rama: Jemi një tokë, një popull, me një ëndërr

Rama tha se Maqedoninë ka dëshirë ta shoh pjesë të të gjitha proceseve të integrimit. “Maqedoninë e duam pjesë të të gjitha procesve të integrimit, qoftë në BE apo NATO. Në anën tjetër nuk duam të rreshtim të kërkojmë që të drejtat e shqitparëve të Preshevës të respektohen të paktën sa të drejtat e pakicave në Kosovë e Shqipëri”, tha kryeministri shqiptar. Po ashtu, Rama tha se e mbështet pa asnjë ngurrim avancimin e dialogut të Kosovës me Serbinë. “Shqipëria e mbështet pa asnjë ngurrim avancimin e dialogut të Kosovës me Serbinë, duke e thelluar bashkëpunimin në rajon”, ka theksuar ai.

Kryeministri theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve. “Në Prizren ku qytetarët afirmuan për të qenë të bashkuar një shekull e gjysmë më parë, qeveritë tonë në 2014 nisën një rrugëtim që sot ka krijuar një hapësirë të re dhe të jashtëzakonshme bashkëpunimi.

Brenda pak javëve të ardhshme ne do të jemi së bashku në Tiranë për të vënë në punë linjën e interkonjeksionit që lidh përfundimisht autostradën energjetike mes Shqipërisë dhe Kosovë dhe çel një fazë të re.

Në këto dy vite kemi krijuar një treg të përbashkët bujqësor. Jo vetëm ia dolëm që fëmijët tanë të mësojnë gjuhën amë me të njëjtën abetare, por edhe njehsuam kurrikulat në sistemin parauniversitar, duke hedhur themelet e një arsimi mbarë kombëtar. Kemi nxitur kërkimin shkencor.

Kalendari i përbashkët kulturor i Shqipërisë dhe Kosovës është një realitet ku lëvizin artdashësit duke shfrytëzuar potencialin e kësaj hapësire”, tha Rama.

Mustafa: Bashkëpunimi, asnjëherë më i mirë se në këtë epokë

Sapo filloi mbledhja e qeverisë së Kosovës me atë të Shqipërisë, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa duke i uruar mirëseardhje delegacionit shqiptar tha se afrimi dhe bashkëpunimi s’ka qenë asnjëherë më i mirë se në këtë epokë.

Mustafa tha se sot me Shqipërinë, Kosovën e bashkojnë qëllimet e njëjta politike dhe integruese.

“Afrimi dhe bashkëpunimi me ju s’ka qenë më i mirë se në këtë epokë, sepse ne kemi edhe qëllimet e njëjta politike dhe integruese, kemi të njëjtën gjuhë ekonomike dhe shtetërore.

Këto janë vlera, parime dhe koncepte për të cilat dy qeveritë tona do të vazhdojnë të punojnë, për t’i afruar sa më shumë dy shtetet tona dhe për t’i çuar proceset integruese në të mirë të stabilitetin në rajon. Ne jemi për fqinjësi të mirë dhe normale edhe në qasjen me Malin e Zi rreth demarkacionit, ne nuk konsiderojmë se po ia falim apo marrim asnjë centimetër tokë Malit të Zi por vetëm po shënojmë vijën e mëparshme të kufirit”, tha Mustafa.

Pritja dhe marrëveshjet

Para fillimit të mbledhjes është dëgjuar edhe himni kombëtar i dy shteteve. Sot pritet të nënshkruhen shtatë marrëveshje, në fusha të ndryshme mes dy qeverive përkatëse.

Masat e sigurisë të ndërmarra nga Policia e Kosovës janë duke u zbatuar që nga orët e mëngjesit. Është ndaluar edhe lëvizja e qytetarëve përreth hapësirave të bibliotekës

Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga kryeministri Isa Mustafa, tashmë ka mbërritur tek Biblioteka Kombëtare, ku pritet të mbahet mbledhja e dy qeverive shqiptare. Në këtë takim mes dy Qeverive pritet të nënshkruhen disa marrëveshje.

Gjithashtu lexo

Emigranti shqiptar gjen portofolin me dollarë në New York dhe ia dorëzon të zonjës

Një emigrant nga Dibra e Madhe, i cili jeton në Staten Island, Nju Jork, ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *