Home / Kryesoret / Almir, na fal që nuk të mbrojtëm

Almir, na fal që nuk të mbrojtëm

Kur lindë djali -mbjellet lisi, kur vdes djali- pritet lisi.( Traditë e lashtë shqiptare)

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Këtyre ditëve u pre një lis i njomë në një familje shqiptare në Kumanovë dhe i dogji zemrat e shqiptarëve kudo që janë. Por, thellësisht besoj se vdekja e Almirit i preku edhe zemrat e shumë jo shqiptarëve. Sepse, Almiri ishte vetëm një fëmijë katërvjeçar, ishte një krijesë e Allahut me shpirt të dëlirë, një krijesë që njerëzve i kishte falur vetëm buzëqeshje e dashuri, një krijesë që nuk kishte arritur të kuptojë se sa të këqinjë mund të jenë të rriturit, se çfarë përbindësha fshehen brënda tyre.

Ka ditë që po më brenë kjo vrasje makabre që e bëri një bashkëqytetar i yni, një djalë i ri që do duhej të jetë njëri nga përfaqësuesit e brezave që duhet të pastrojnë bërllogun që e ka mbuluar shoqërinë tonë. E ai djalë e shtypi qëllimisht me automobil një familje të tërë, duke i shkaktuar vdekje djaloshit që kishte vetëm katër vjetë. Imagjinoni, ky njeri i ri nuk u ngop me faktin që i shtypi me makinë Almirin dhe prindërit e tijë, por doli nga vetura dhe vazhdoi t’i godasë me shkop bejzbolli duke ua sharë nënën shqiptare. O Zot, ku do shkojë shpirti i këtij përbindeshi. O Zot, si është e mundur të mblidhet aq shumë urrejtje te një njeri ?

Ekzistojnë krime të cilat kurrësesi nuk mund t’i falë as Zoti e as ligji i njeriut, dhe vrasja e Almirit është pikërisht një krim i atillë. Vrasësin e Almirit nuk e falë Zoti dhe nuk e falë dot ndonjë njeri. Ndër shqiptarë janë falur gjaqe e gjaqe, është gëlltitur dhembja për hirë të burrërisë, është shtrirë dora e pajtimit edhe atëherë kur zemra ka qenë plotë hidhërim.

Por, shqiptarët nuk mbajnë mend një vrasje të këtillë, asnjëherë nuk ka ndodhur që një shqiptar të vrasë një fëmijë katër vjeçarë, të cilësdo përkatësi fetare apo kombëtare. Prandaj, ne të gjithë jemi të shokuar dhe askush nga ne nuk po mund të gjejë as më të voglin arsyetim për përbindëshin.

Ky gjak ka prekur rëndë në shpirtin dhe qenien tonë fetare e kombëtare, është gjak i njomë fëmije që është derdhur për shkak të urrejtjes që përbindëshi e ka kultivuar ndaj kombit të cilit i përkiste fëmija.Prandaj, ne kurrën e kurrës nuk do e falim këtë gjak.Ne nuk falim përbindsha.

Kuptohet, këto qëndrime nuk shkojnë në drejtim të nxitjes së hakmarjes dhe urrejtjes sepse ne duam akoma të besojmë në veprimin e ligjit. Edhe pse, jemi dëshmitarë të keqpërdorimit flagrant që po ndodhin në gjykatat dhe në drejtësinë e shtetit ku po jetojmë.

Ashtu si babai dhe e tërë familja e Almirit të cilit i mbeti e ngrirë buzëqeshja fëmijërore, edhe ne të gjithë po kërkojmë drejtësi, e që në këtë rast mund të jetë vetëm burgu i përjetshëm për përbindëshin. Të gjitha manipulimet eventuale që mund të bëhen me ligjin, nuk i pranojmë. Ky krim i pa parë e i pa dëgjuar ndonjëherë nuk mund të përfundojë dhe nuk guxon të përfundojë me epilog tjetër nga ai që po e kërkon familja e Almirit dhe të gjithë ne.

Sot, kur zemrat e prindërve të Almirit po digjen flakë, kur të gjithë ne jemi të tronditur nga intensiteti i urrejtjes që paska pasur përbindëshi ndaj shqiptarëve, unë po shpreh bindjen time se kjo vrasje nuk bie mbi të gjithë bashkëqytetarët tanë maqedonas. Unë refuzoj të besoj se ata, sikur përbindëshi, besojnë që gjaku i tyre është më i shtrenjtë se i yni. Prandaj, po e pres edhe reagimin e tyre më të fuqishëm, reagim që sadopak do të zbusë zemrat e prindërve të Almirit me të cilat po bashkëvuajmë të gjithë ne.

Duke insistuar që ky rast i tmershëm të mos marrë kahje të pa dëshiruara dhe duke kërkuar që në këtë dhembje të jemi të bashkuar e të mos lejojmë që hijenat që po na sillen vërdallë të përfitojnë politikisht nga kjo tragjedi , megjithatë po pyes:
Cfarë është kjo shoqëri në të cilën vritet barbarisht një fëmijë, kush dhe çka ka ndikuar që në mesin tonë të gjallojë një përbindësh, çfarë ka ndërmarrë kjo shoqëri për të pamundësuar që në mesin tonë të zhvillohet një njeri sikur vrasësi i Almirit, sa vrasës e përbindsha të tjerë frymojnë ndër ne dhe presin çastin të shfryhen mbi fëmijtë shqiptarë?

Almir i dashur, ti je në xhenet dhe je një melek. Na fal që nuk arrijtëm të krijojmë një shoqëri të sigurtë në të cilën fëmijtë nuk do vriten nga përbindëshat, një shoqëri në të cilën fëmijtë do rriten të lumtur dhe nuk do përballen me ndasitë dhe urrejtjen. Na fal që nuk krijuam një shoqëri në të cilën ti me shokë do të ishit të mbrojtur nga tmerret e kësaj dynjaje.

Zoti ua shtoftë durimin prindërve të Almirit.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *