Home / Kryesoret / Filluan regjistrimet në USHT

Filluan regjistrimet në USHT

Në të gjitha fakultetet e Universitetit të Tetovës, prej 16 – 19 gusht 2016 do të zhvillohet afati i parë i regjistrimit të studentëve të rinj për vitin akademik 2016/2017. Sipas konkursit këtë vit akademik Universiteti i Tetovës do të regjistrojë mbi 5000 studentë të rinj. Të drejtë regjistrimi për studimet e ciklit të parë kanë kandidatët që e kanë kryer maturën shtetërore, ose maturën ndërkombëtare, si dhe kandidatët me shkollim të mesëm katërvjeçar të cilët e kanë kryer maturën shkollore ose provimin përfundimtar. Nëse në afatin e parë nuk paraqitet numër i mjaftueshëm i kandidatëve që i plotësojnë kushtet sipas pikës paraprake, të drejtë për regjistrim kanë edhe kandidatët të cilët e kanë kaluar maturën shkollore, ose provim përfundimtar, në shkollimin e mesëm të caktuar në shkollat e mesme të verifikuara me akt të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Gjithashtu, të drejtë regjistrimi në ciklin e parë të studimeve kanë edhe kandidatët me shkollim të mesëm katërvjeçar të cilët nuk e kanë kryer maturën shtetërore, respektivisht, e kanë përfunduar shkollimin e mesëm katërvjeçar para vitit akademik 2007/08.

Mënyra e seleksionimit të kandidatëve do të kryhet varësisht nga lloji i programeve studimore në të cilat konkurrojnë ata, edhe atë: a) programe studimore ku seleksionimi i kandidatëve do të kryhet në bazë të suksesit nga arsimi i mesëm; b) programe studimore ku seleksionimi do të kryhet në bazë të suksesit nga arsimi i mesëm dhe me kontrollim të njohurive të kandidatëve. Kjo ka të bëjë me programet studimore me specifika të veçanta; c) programe studimore ku mësimi mbahet në gjuhën angleze, ku seleksionimi do të kryhet nga suksesi i shkollimit të mesëm dhe rezultati nga intervistimi nga komisioni përkatës. Kriter bazë për seleksionimin e kandidatëve për regjistrim të studimeve deridiplomike është suksesi i arritur në arsimin e mesëm, vlerësimi i suksesit të studentëve shprehet me pikë.

Po ashtu, Universiteti i Tetovës ka shpallur konkurs edhe për regjistrimin e studentëve të rinj, në ciklin e parë të studimeve në kuadër të projektit qeveritar 30/35, për vitin akademik 2016/2017. 

 

Të drejtë regjistrimi në studimet e ciklit të parë në kuadër të këtij projekti kanë kandidatët e moshës mbi 30 vjeçare për femra dhe 35 vjet për meshkuj. Kandidatët të cilët i plotësojnë kushtet e përgjithshme për regjistrim dhe janë në marrëdhënie pune, ose kandidatët të cilët për shkaqe të arsyeshme nuk janë në gjendje që të regjistrohen si studentë të rregullt, si dhe kandidatë të cilët janë të papunë por të paraqitur në Agjencinë për punësim.

Të gjithë të interesuarit të cilët dëshirojnë që studimet e tyre t’i ndjekin në Universitetin e Tetovës duhet t’i kenë të rregulluara dokumentet për aplikim dhe regjistrim, si: Fletëparaqitje (merret në hapësirat e Universitetit); Dëftesat origjinale nga shkollimi i mesëm; Diplomë për kryerjen e shkollës së mesme; Certifikatë nga libri amzë i të lindurve; Certifikatë për nënshtetësi; Vërtetim për pagesat e: 1050 denarë në xhirollogarinë e Universitetit, në emër të taksave administrative dhe 600 denarë mjete plotësuese për secilën lëndë në të cilat kandidatët do t’u nënshtrohen provimeve pranuese, të theksuar në Listën shtesë-1, të programit studimor përkatës, ku është paraparë provimi pranues,  në emër të Komisionit për verifikimin e njohurive dhe aftësive dhe intervistimit (për programet në gjuhën angleze). Ndërsa kandidatët që aplikojnë në programet ku mundësohen studime me korrespodencë, krahas dokumentacionit të caktuar më lartë, duhet të dorëzojnë dokumentet përkatëse për arsyetimin e këtij statusi sipas kritereve të përcaktuara në këtë konkurs.  Për më shumë informacione dhe detaje rreth konkursit të interesuarit mund të klikojnë në faqen zyrtare të Universitetit të Tetovës: www.unite.edu.mk  

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *