Home / Kryesoret / Presidenti Thaçi: Zbardhja e fatit të të pagjeturve zbut vuajtjet e të gjithë qytetarëve të Kosovës

Presidenti Thaçi: Zbardhja e fatit të të pagjeturve zbut vuajtjet e të gjithë qytetarëve të Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, bashkërisht me përfaqësuesit e shoqatave të të pagjeturve të Kosovës, ka bërë nderime dhe homazhe te përmendorja kushtuar personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.

 

“Sot është Dita Ndërkombëtare e të Pagjeturve dhe këtu jemi bashkërisht me shoqatat e të pagjeturve të Republikës së Kosovës, përfaqësuesit e tyre, për të bërë nderime dhe homazhe për personat e zhdukur”, ka thënë presidenti Thaçi para të pranishmëve.

 

Ai tha se institucionet e Kosovës po punojnë maksimalisht që të zbardhet fati i të pagjeturve, një çështja, siç tha ai, që preokupon të gjithë në vend, bartësit e institucioneve, shoqatat qytetarët, çdo familje që është prekur nga kjo dhimbje e rëndë.

 

“Sot, si president i vendit, shpreh sërish solidaritet të plotë me familjet e të pagjeturve, por njëherësh edhe zotimin dhe përgjegjësinë për të punuar edhe më tepër që sa më shpejtë të zbardhet fati i çdo të personi të zhdukur”, ka thënë presidenti Thaçi, i cili shtoi se “është një plagë kjo e cila na mundon të gjithëve, dhe mund të them lirisht se vetëm me shpresë, optimizëm dhe besim të ndërsjellë kjo çështje mund të zgjidhet me një vullnet dhe një mbështetje të fuqishme edhe të bashkësisë ndërkombëtare”.

 

I pari i vendit falënderoi edhe Komisionin Qeveritar për Personat e Pagjetur për angazhimin maksimal, për durimin, vullnetin dhe kurajon e dhënë për të gjithë.

 

“Prandaj, këtë plagë të luftës ne do ta shërojmë vetëm si të bashkuar, vetëm duku qenë solidar më njëri-tjetrin, duke kuptuar njëri-tjetrin dhe duke punuar drejt një bashkëpunimi, drejt një besimi, e në të ardhmen, natyrisht, të ndërtojmë një Kosovë të re, një Kosovë evropiane, një Kosovë euroatlantike”, u shpreh presidenti Thaçi.

 

Ndërkaq, Bajram Qerkini, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës, tha se “ne edhe sot do të shkojmë në Merdar, jemi të prekur nga kjo plagë. Por, edhe fjalët e presidentit, edhe mbrëmë edhe sot, janë se këto dy plagë duhet sa më shpejtë të mbyllen”.

 

Qerkini tha se të gjithë pranë këtij këshilli besojnë dhe shpresojnë se kjo çështje me të vërtetë do të merret seriozisht, e posaçërisht pas konkluzave të thukëta në një tryezë të djeshme ku, siç tha ai, janë dhënë disa rekomandime të cilat do t’ua përcjellin të gjithëve.

 

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ritheksoi se deri sa të shërohet kjo plagë e tërë Kosova do të vuajë nga kjo e kaluar e dhimbshme për çdo qytetar të vendit, për institucionet, por para se gjithash për familjarët. “Do të jemi gjithmonë pranë tyre”, përfundoi presidenti Thaçi.

Gjithashtu lexo

MOSPASTRIMI NË KOHË I DEPONISË HELMOI TETOVARËT – VIDEO

Gjatë të shtunës mbrëma dhe ditës së diel nga deponia në dalje të Tetovës ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *