Home / Kryesoret / Koncert madhështor në Vatikan në nder të shenjtërimit të Nënës Terezë

Koncert madhështor në Vatikan në nder të shenjtërimit të Nënës Terezë

Bazilika e Shën Palit, që është një prej katër bazilikave më të mëdha papnore në Romë, mbrëmë ka prezantuar koncertin në nderim të figurës së Nënës Terezë, ku u paraqitën yjet shqiptarë, që karrierën e tyre e zhvillojnë kryesisht në nivel ndërkombëtar.

Emrat më të njohur shqiptarë të artit dhe sportit u bënë mbrëmë bashkë në mbrëmjen e organizuar në vigjilje të shenjtërimit të Nënë Terezës.

Në skenë u ngjitën Lorik Cana dhe Rita Ora, të cilët kanë folur në shqip, italisht dhe anglisht për Nënë Terezën.

Orkestra dhe kori i Filarmonisë së Kosovës, janë duartrokitur si asnjëherë më parë për paraqitjen e mrekullueshme që patën, nën udhëheqjen e mjeshtrit Bujar Llapaj.

Ata shoqëruan në interpretim sopranot e mirënjohura Inva Mula e Ermonela Jaho dhe këngëtaren e famshme Rita Ora. Himni kushtuar Nënë Terezës “Vals Hyjnor”, me vetë vargje të murgeshës së të varfërve gjatë një udhëtimi nga Irlanda në Kalkutë, kompozuar nga Genc Tukiçi, u interpretua nga diva, Inva Mula, e cila këndoi edhe së bashku me “Ave Maria” të Schubert , ndërsa “Thais Meditation” i Massenet erdhi nën tingujt e violinës së Shkëlzen Dolit.

Në vijim të koncertit, “Panis Angelicus” u interpretua nga sopranoja Ermonela Jaho ndërsa “Fjalët e Qiririt”, të Limos Dizdarit, nga tenori Ramë Lahaj.

Të pranishëm në këtë eveniment ishin edhe Majlinda Kelmendi, Gëzim Myshketa, Lum Veseli dhe Andi Bajgora.

Një ndër simbolet më të famshme të Krishlindjeve,“What Child is This”, u interpretua nga këngëtarja e famshme me origjinë nga Kosova, Rita Ora, nën orkestrimin e Shpëtim Saraçit.

Koncertin e kanë ndjekur edhe personalitetet më të larta shtetërore nga Shqipëria dhe Kosova.

Ceremonia e Shenjtërimit të Nënë Terezës është shënuar si ngjarja kryesore e Vitit Jubilar të Mëshirës në Vatikan. Kështu, data 4 shtator, ditë e diel, do të shënohet në Kalendarin Apostol, pikërisht si Dita e Shenjtores shqiptare Nënë Tereza e Kalkutës.

Gjithashtu lexo

Bashkimi emocional pas 3 vjetësh, i fëmijës së rrëmbyer nga ISIS, me familjen e tij (Video)

Një djalë 12-vjeçar jazidi është bashkuar me nënën e tij në Kanada tre vjet pasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *