Home / Kryesoret / Ndihmë juridike falas kanë kërkuar 640 qytetarë

Ndihmë juridike falas kanë kërkuar 640 qytetarë

Nga fillimi i projektit “Qasje drejt drejtësisë në Maqedoni”, nga janari i këtij viti deri më tani në shoqatat e autorizuara për ofrimin e ndihmës juridike falas janë drejtuar gjithsej 640 qytetarë. Vetëm 32 kanë kërkuar avokat falas, ndërsa të tjerëve u është nevojitur këshillë juridike dhe/apo informacion.

Pothuajse 80 për qind të qytetarëve ndihmë falas u është nevojitur në sferën e mbrojtjes sociale, marrëdhëniet pronësore-juridike dhe familjare.

Shoqatat të cilat e zbatojnë projektin njoftojnë se afatet e shkurtra për shtrimin e ankesës apo padisë të cilët zakonisht janë prej 15 deri në 30 ditë, janë një prej shkaqeve se pse pak qytetarë vendosin të shtrojnë kërkesë për avokat falas. Sipas tyre, Ministrisë së Drejtësisë mesatarisht i nevojiten 45 ditë të sjellë vendim me të cilin miratohet ndihma juridike falas, gjegjësisht miratohet avokati, që do të thotë se afati për ankesë, gjegjësisht padi tashmë ka skaduar.

“Derisa kërkesa për ndihmë juridike falas është miratuar, qytetarët kanë të drejtë të fillojnë kontest adminsitrativ para Gjykatës Administrative. Nga aktgjykimet e grumbulluara dhe të përpunuara deri më tani të Gjykatës Administrative mund të thuhet se gjykatës i duhen prej pesë deri në 14 muaj t’i përgjigjet padisë. Kjo është periudhë e gjatë kohore për qytetarët të cilëve ndihmë juridike falas u duhet menjëherë”, deklaroi koordinatorja e projektit, Hristina Vasilevska.

Pothuajse të gjitha aktgjykimet e Gjykatës Administrative, siç shtoi ajo, janë në dobi të qytetarëve, gjegjësisht lënda përsëri kthehet në shqyrtim te Ministria e Drejtësisë, për arsye se nuk është përcaktuar në mënyrë të drejtë gjendja faktike.

“Në këso rastesh qytetarët të cilët janë të rrezikuar në aspektin social, mbeten pa asistencë sociale ose jetojnë në bashkësi martesore në të cilën e durojnë dhunën vetëm për atë që institucioneve u nevojitet shumë kohë që të vendosin”, deklaroi Vasilevska.

Shoqatat të cilat e zbatojnë projektin “Qasje drejt drejtësisë në Maqedoni” kumtuan se vazhdojnë të angazhohen për qasje të barabartë drejt drejtësisë për të gjithë qytetarët, përmes këshillimit dhe informimit në kuadër të asaj që ua lejon Ligji.

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *