Home / Kryesoret / Në Kosovë drogë përdorin 1.6 për qind e popullatës

Në Kosovë drogë përdorin 1.6 për qind e popullatës

Trafikimi me narkotikë akoma paraqet një nga problemet ose shqetësimet kryesore për Policinë e Kosovës.

Po ashtu, Kosova akoma mbetet vend transit i narkotikëve dhe kryesisht i drogave të cilat janë të lehta, u tha në konferencën e organizuar nga Policia e Kosovës dhe OSBE-ja me temë: “Vlerësimi i kërcënimit nga krimet e rënda dhe krimi i organizuar”, ku u publikua edhe raporti i të dhënave rreth kësaj çështje.

Drejtori i Departamentit për Krime të Rënda në Policinë e Kosovës, Riza Shillova, tha se në Kosovë janë nga 15 mijë deri në 30 mijë përdorues të drogave apo rreth 1.6 për qind e popullatës, derisa sipas tij, grupmosha e cila është përdorues më i madh i narkotikëve është ajo 18 vjeçare.

“Sa i përket analizës ne i kemi identifikuar edhe rrugët ose format me të cilat bëhet transportimi me narkotikë që kryesisht bëhet në sasi të vogla përmes territorit të Kosovës e jo në sasi të mëdha duke e përdor kryesisht transportin tokësor përmes mjeteve të ndryshme përfshirë transportin e mallrave dhe të udhëtarëve…Kryesisht rrugët e trafikimit janë rrugë përmes Kosovës, Serbisë, Hungarisë por janë edhe rrugë tjera që përdoren në raste tjera përmes territorit të Shqipërisë, Italisë etj. Gjithashtu analizë e veçantë i është kushtuar nivelit të përdoruesve të drogave që është shqetësim për shëndetin e qytetarëve. E kisha potencu një statistikë që është nxjerrë si konkludim i përbashkët i këtij fenomeni ku konsiderohet që në  Kosovë ekzistojnë diku  15 mijë deri në 30 mijë përdorues ose shprehur në përqindje është diku 0.8 deri në afërsisht 1.6 e popullatës që përdorin narkotikë. Mosha më e atakuar e personave të cilët e përdorin narkotikët është mosha rreth 18 vjeçare por nuk do të thotë që është vetëm kjo moshë sepse ka edhe mosha tjera që janë përdorues të narkotikëve”, tha Shillova.

Sipas Shillovës, në bazë të raportit të hartuar, i cili do të bëhet publik sot për të gjithë qytetarët, rreziqet kryesore në vend aktualisht janë: trafikimi me narkotikë dhe ai me njerëz.

Kurse, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka deklaruar se vlerësimi mbi këtë raport bazohet mbi njohuritë ekzistuese dhe ekspertizën që është bërë.

Ai tha se për hartimin e këtij raporti të gjitha agjencitë kombëtare brenda shtetit dhe agjencitë tjera kanë ofruar kontribut të vlefshëm ashtu siç kanë bërë edhe institucionet tjera në nivel kombëtar.

Maxhuni tha se raporti “Softa” do të kontribuojë në parandalimin e krimit të organizuar.

“’Softa’ do të jetë një hap i rëndësishëm për të ngritur nivelin e bashkëpunimit në mes të autoriteteve të ndryshme kompetente brenda vendit, kjo do të kontribuojë në zhvillimin e mëtutjeshëm të synimeve të përbashkëta në parandalimin e krimit serioz dhe krimit të organizuar, duke iu referuar raportit të Softa-s do të investohet në potencialin tonë në përgjithësi në fushën e zhvillimit në kuadër të kapaciteteve të Policisë së Kosovës, duke synuar që të arriturat maksimale për të krijuar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Në vazhdimësi si pjesë e projektit të njëjtë të përkrahur nga OSBE dhe qeveria zvicerane, Policia e Kosovës së bashku me policinë e shtetit shqiptar, do të dalin së shpejti me një vlerësim të përbashkët të kërcënimit nga krimet e rënda dhe krimi i organizuar që është një hap tutje në identifikimin e krimeve të përbashkëta dhe harmonizimin e veprimeve të nevojshme operacionale që duhet pasuar”,  tha Maxhuni.

Raporti është mbështetur nga OSBE dhe prej sot do të bëhet publik në ueb-faqen e Policisë së Kosovës për të gjithë qytetarët e vendit.

Gjithashtu lexo

Specialja mbetet me një prokuror më pak!? (Video)

Prokuroria Speciale mund të mbetet edhe me një prokuror më pak. Sipas burimeve jo zyrtare, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *