Home / Kryesoret / PSP-ja i dorëzoi dy akuzat e para

PSP-ja i dorëzoi dy akuzat e para

Prokuroria Speciale Publike sot në Gjykatën Themelore Shkup 1 dorëzoi dy propozim akuza lidhur me veprat penale që dalin nga përgjimi i paligjshëm i bisedimeve.

Siç arsyetoi prokurorja Fatime Fetai, rasti i parë ka të bëjë me shkatërrimin e dokumenteve të marra nga përgjimi i paligjshëm që e kanë kryer të punësuarit në Drejtorinë e Pestë të MPB-së.

Sipas saj, janë shkatërruar 2047 shkresa zyrtare. Me urdhër gojor të të akuzuarit të parë, i punësuar në Drejtorinë e Pestë, në mënyrë të paligjshme është formuar komisioni i cili ka marrë vendim që të shkatërrohen shkresat për punën e sistemeve për ndjekjen e komunikimeve. Dokumentet, tha Fetai, janë shkatërruar në mënyrë të paligjshme, respektivisht janë djegur në lokacionin që e ka theksuar i akuzuari i parë.

Në këtë rast është ngritur akuzë kundër gjithsej shtatë personave, Fetai pohon se kanë mjaft fakte dhe dëshmitarë që do ta mbështesin akuzën dhe presin që Gjykata ta pranojë.

Rasti i dytë për të cilin është parashtruar propozim për ngritjen e akuzës del nga përgjimi i bisedës mes bartësve të lartë të pushtetit ekzekutiv në natën e 01.06.2013. Biseda, theksoi Fetai, është kryer pasi është përcaktuar seanca në Këshillin e komunës Qendër ku duhej të shkatërroheshin disa plane të hollësishme, mes të cilëve edhe për Ringun e vogël. Nga përmbajtja e bisedimeve sipas saj, ka dalë epilogu penal-juridik, respektivisht është kryer dhunë e rëndë ndaj kryetarit të komunës dhe grupit të këshilltarëve në komunën Qendër. Në këtë rast janë marrë në pyetje 20 dëshmitarë dhe janë grumbulluar dokumente. Akuza përfshin gjithsej 14 persona të dyshimtë për vepër penale dhunë, prej të cilëve pesë nxitës dhe nëntë zbatues.

Prokurorja e përgjithshme Katica Janeva në konferencën e sotme për shtyp ku u prezantua raporti gjashtëmujor i punës së PSP-së, apeloi tek Kuvendi që ta pranojë propozimin e tyre për ndryshimin e Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, me çka sipas saj shumë do të lehtësohen hetimet dhe procesimi i lëndëve që dalin nga përgjimi i paligjshëm i bisedimeve.

Janeva tha se PSP-ja do të vazhdojë me hetimet me qëllim që të konfirmojë, siç tha, se kush në periudhën prej vitit 2008 deri në vitin 2015 ka kryer vepra penale lidhur me përgjimin e paligjshëm, si dhe atë se kush ka bërë përgjime.

Janeva theksoi se është e gatshme ta prezantojë raportin gjashtëmujor para Kuvendit të RM-së dhe Këshillit të prokurorëve publikë.

Gjithashtu lexo

Sali Berisha: “Shkëndija” e Tetovës bën sot historinë!

Ish- kryeministri Sali Berisha i kushton një status ndeshjes mes Milanit dhe Shkëndijës së Tetovës, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *