Home / Kryesoret / Maqedoni – 1/3 e grave që punojnë, fitojnë më pak se 200 euro

Maqedoni – 1/3 e grave që punojnë, fitojnë më pak se 200 euro

Barazia gjinore në Maqedoni nuk ka ndryshuar shumë në 15 vitet e fundit, thonë organizata që avokojnë në këtë fushë, duke e vlerësuar si aspak të mirë.

Organizata Zdruzhenka që merret me këtë problem, merr si shembull rajonin e Pollogut, ku hulumtimet në terren kanë treguar se në 45% të familjeve nuk ka asnjë grua të punësuar. Përveç kësaj nga kjo organizatë ngrenë alarmin se një e katërta e grave nuk e kanë idenë se ku dhe si duhet të paraqitet dhuna në familje.

“Edhe më tej kemi nivel të lartë të mosaktivitetit, nivel të lartë të papunësisë. Pjesa më e madhe e grave në Maqedoni kanë të ardhura të vogla, gjegjësisht një e treta e të punësuarve me të ardhura më të larta se 12 mijë denarë janë gra. Shërbimet për mbrojte të grave nga dhuna, diskriminimi dhe keqtrajtimi seksual, tanimë nuk ekzistojnë. Mungon qasja në shërbimet gjinekologjike për gratë në më shumë se gjysmën e komunave të vendit”, thotë Marija Savovska, nga organizata për barazi gjinore “Zduzhenska”.

Edhe pse përfaqësimi i grave në listat e kandidatëve është i rregulluar me ligj, përfshirja e tyre në vendimmarrje zvogëlohet sa më shumë që ato ngjiten në hierarkinë institucionale.

Kështu të dhënat e kësaj organizate tregojnë se 90% e grave të Pollogut nuk janë përfshirë asnjëherë në bashkësi vendore, dhe forume, rreth 70 % nuk janë përfshi në parti politike, OJQ ose iniciativa qytetare. Hulumtimi po ashtu tregon se vetëm 5 % e grave marrin pjesë në planifikimin e buxhetit komunal.

“Nëse flasim për përfaqësimin e grave në politikë, janë të bëra disa përparime, kryesisht për shkak të detyrimeve ligjore që kanë për ti vendosur në lista, megjithatë nëse flasim për përfaqësinë e grave si qytetare, në proceset e vendimmarrjes gjendja është dramatike, sepse ato janë thuajse të përjashtuara nga proceset vendimmarrëse, sidomos në nivel lokal”, u shpreh Savovska.

Në fillim të javës u dha një pasqyrë për gjendjen e grave dhe nivelin e përfaqësimit gjinor në Maqedoni, i cili u prodhua në kuadër të programit “Barazia dhe përfaqësimi gjinor përtej kufijve”.

Por, përfaqësimi i barabartë i dy gjinive nuk është problematik vetëm në Maqedoni. Një prej studiuesve të këtij disbalanci në Kosovë, thotë se kjo është sëmundje e gjithë rajonit, i cili vuan nga i njëjti mentalitet.

“Sipas të dhënave të fundit që kemi mbledhur pothuajse në asnjërën nga ministritë nuk respektohet ligji për barazi gjinore. Jo vetëm në rastin e grave por ka edhe ministri të cilat kanë më shumë gra dhe më pak burra. Të gjitha proceset që po ndodhin në rajon, jo vetëm në Kosovë, por edhe në  Maqedoni, Shqipëri, Serbi, Mal të zi, janë pak a shumë në të njëjtën fazë, jo vetëm sa i përket barazisë gjinore, por edhe çështje të tjera. Mentaliteti është gjithashtu, pak a shumë, në të njëjtin nivel”, thotë Lavdi Zymberi, nga Qendra Kosovare për studime gjinore, raporton Tv 21.

Të dhënat e publikuara nga punimi rajonal, tregojnë se në Maqedoni vetëm 50 % e burrave dhe grave shqiptare thonë se gratë janë të barabarta në vendimmarrje në familje. Përderisa tek çiftet maqedonase barazia e deklaruar gjinore në vendimmarrje, është rreth 80%.

Gjithashtu lexo

UNICEF: Investim në sistem efikas për mbrojtje sociale të fëmijëve të varfër

Qeveritë nga rajoni të investojnë në sistem më përkatës të mbrojtjes sociale të fëmijëve, kërkuan …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *