Home / Kryesoret / Maqedonia jo atraktive për brendet H&M, Ikea, Lidl

Maqedonia jo atraktive për brendet H&M, Ikea, Lidl

Brendet e njohura si HM, Ikea, Lidl, Mark dhe Spensers, Pica Hat e kështu me radhë, ende nuk janë prezentë në Maqedoni për dallim nga shtetet e rajonit. Në Serbinë fqinje, në muajt e fundit janë intensifikuar punët për ndërtimin e më shumë lokacioneve të brendit të njohur suedez Ikea, që me dizajnin tërheqës dhe çmimet mjaft të volitshme tani më është prezentë me dyqane edhe në Bullgari dhe Greqi.

Në Kroaci dhe Serbi, krahas Ikeas, punon edhe brendi i njohur i veshmbathjes HM, si dhe shumë brende të tjera me renome ndërkombëtare. Ekonomistët thonë se tregu i vogël, fuqia e ulët blerëse madje edhe për brendet që renditen në klasën e mesme, si dhe jostabiliteti politik, janë shkaqet kryesor pse në Maqedoni mungojnë mjaft nga markat e njohura tregtare të veshmbathjes dhe artikujve shtëpiak, që tani më janë prezentë në shtetet fqinje.

“Brendet preferojnë të punojnë në ato tregje ku ka shitje, ndërsa në Maqedoni, por edhe në Kosovë apo Shqipëri për shembull, kemi treg të vogël dhe mungojnë brendet e njohura që janë prezentë për shembull në Bullgari apo Serbi, me një treg prej nga 8 milionë banorë. Shkaku tjetër është edhe fuqia e ulët blerëse e popullatës në shtet, që jo se nuk e di se çka është brendi dhe cilësinë e tij, por nuk kanë mundësi që me këto paga minimale që i marrin, ta blejnë atë”, thotë profesori universitar Mislim Zendeli.

Sipas tij, mund të vërehet se në qendrat tregtare në Shkup, Tiranë apo Prishtinë, janë prezentë të njejtat brende. Mund të ndodhë që edhe situata politika jostabile të ndikojë që kompanitë e njohura të huaja të hezitojnë të investojnë në Maqedoni, shton më tej Zendeli.

Nga ana tjetër, vlerësohet se popullata zgjedh “garderobën” sipas thellësisë së xhepit dhe mundësisë financiare. Një pjesë më e vogël e popullatës që ka mundësi preferon blerjet në qendrat tregtare në Selanik apo Sofje, ose në qendrat tregtare në Shkup. Ndërkaq, pjesa e mbetur e popullatës blejnë në butiqet e ndryshme marka vendore apo rajonale tregtare dhe jo brende. Veshmbathje dhe këpucë me cilësi solide të prodhuesve vendor për shembull blihen nga Shtipi apo Kumanova, pastaj blerje bëhen në dyqanet e dorës dytë, si dhe malli të lirë kinez në treg apo shitoret të tjera.

Ndërkohë, fuqinë ulët blerëse në Maqedoni e vërtetojnë edhe statistikat jozyrtare, të cilët tregojnë se një butik me mall luksoz ka të ardhura më të vogla se i njëjti në shtetet e rajonit, për shkak të tregut të vogël dhe fuqisë së ulët blerëse. Gjithmonë sipas të dhënave jozyrtare, diku 2000 euro në vit bën qarkullim një metër katrorë dyqani, ndërsa në shtetet e rajonit ky qarkullim është së paku 5000 euro në vit.

Njohësit e tregut të veshmbathjeve në Maqedoni thonë se tek ne me vështirësi shiten brendet, madje edhe ato të shtresës së mesme, e të mos flasim për brendet e shtrenjta. Hyrja e brendeve nënkupton investim të madh prej së paku një milion euro në fillim, ndërsa të ardhurat janë të kufizuara dhe shumë më të vogla në raport me shtetet e zhvilluara ekonomike. Karakteristikë tjetër e tregut në Maqedoni është se grupacioni “Inditeks”, me brendet Zara, Bershka, Pull dhe Bear, Massimo Duti dhe Stradivarius, që janë prezentë vetëm në qendrën tregtare “Siti Moll”, por jo edhe në qendër të Shkupit, edhe pse në të gjitha metropolet evropiane dhe botërore këto brende kanë dyqanet e tyre në lokacionet kryesore në zonat ku lëvizin këmbësorët.

Ndryshe, në Maqedoni, pas tërheqjes së zinxhirit ndërkombëtar të ushqimit të shpejtë “Mekdonallds” nuk ka paralajmërime për kthimin e tij në tregun vendor, ndërsa zinxhiri Burger King ka filluar zgjerimin e rrjetit të tij në tërë vendin. /KOHA/

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *