Home / Kryesoret / Rama: Qeveria e kaluar u uli rrogat policëve, sa i rrisim sipas kategorive

Rama: Qeveria e kaluar u uli rrogat policëve, sa i rrisim sipas kategorive

Tiranë, 12 tetor 2016, NOA.al- Kryeministri Edi Rama thotë se Policia e Shtetit tre vite më parë ishte një nga institucionet më të pabesueshme, por se tashmë është institucioni më i besuar i shqiptarëve në sajë të transformimit të pësuar.

Kreu i qeverisë e cilësoi si rezultat të një pastrimi shembullor që ju bë Policisë së Shtetit, duke larguar nga radhët e saj një pjesë të trupës të akuzuar për shpërdorim detyre dhe abuzime nga më të ndryshmet.

Sipas tij, kjo nuk do të thotë se lufta e brendshme me këtë traditë të shpërdorimit të detyrës në uniformë ka përfunduar, duke shtuar se është luftë që vazhdon me vetëdijen se sot ende në Policinë e Shtetit vazhdojnë të shfaqen fenomene me të cilat policia është ndarë me vendosmëri dhe që dëshmohet përditë.

Ai deklaroi se me marrjen e drejtimit të qeverisë u bë rritje pagash për policinë si asnjëherë më parë.

“Policinë e gjetëm si organizatë të madhe punësimi për gjithfarë militantësh, kushërinjsh apo fukarenjsh, që për të veshur kapelen e policit paguanin para”, tha Rama.

Në vitin 2013, ai tha se u rrit rroga për policët me diplomë, por sipas tij paga reale në fund të tetë viteve ishin më të varfër dhe se nuk ka pasur rritje reale, por se është ulur në krahasim me vitin fillestar 2005, të qeverisjes së kaluar.

Ai mori si shembull inspektorin e policisë duke thënë se mes viteve 2005- 2013, paga bruto është rritur 18.9%, ndërkohë që siç tha ai po në këtë hark vitesh çmimet janë rritr 24.2%, duke thënë se kësisoj fuqia blerëse ka rënë me 5.3%.

Sipas tij paga neto e punonjësit të policisë ishte 400 mijë lekë, ndërsa sot tha se është 482 mijë lekë, duke shtuar se rritja reale është 82 mijë lekë.

“Policia që ne trashëguam mbulonte vetëm 55% të territorit të vendit dhe ishte e pranishme vetëm në qytete, ndërkohë që pavarësisht të gjitha këtyre filluam një rritje page të strukturuar dhe menduar jo vetëm për të shtuar ca lekë dhe për t’i marrë nga ana tjetër, por për të rritur fuqinë blerëse të çdo punonjësi policie”, deklaroi Rama.

Sipas tij punonjësit më të diskriminuar ishin të terrenit dhe se për ta, sot është përmbysur piramida e vjetër. Sot siç tha ai, baza është në terren dhe përqendrimi në zyra është më i vogël dhe më efikas. Ai tha se sot familja e një dëshmori përfiton dhjetë paga njëherësh dhe një pension të përhershëm.

Rama deklaroi se gjatë vitit 2016 buxheti i ministrisë së Brendshme është më i larti ndonjëherë dhe investimet mbi 60%.

Në vijim informoi rritjen e pagave sipas kategorisë me 17% për punonjësit bazë, për inspektorët rritje me 15%, kryeinspektori do ketë një rritje për t’u definuar mbi 10%, nënkomisari rritje deri në 10%.

“Komisari do të ketë një rritje për t’u definuar më pak se nënkomisari dhe kështu me radhë. Për të ardhur te drejtorët, të cilët në mos do të marrin sa ministri, do t’i afrohen shumë ministrit, i cili ka bërë punë të mirë por nuk i është rritur rroga dhe as Kryeministrit”, deklaroi Rama.

Duke folur në aktivitetin e ditës së sotme “Policia e gjeneratës tjetër”, Kryeministri tha se nuk është harruar të çmohet mundi i madh i të gjithë punonjësve të policisë për atë që i kanë dhënë Policisë së Shtetit, por nënvizoi se mbetet ende larg të qenit të shpërblyer siç duhet, në të gjitha aspektet që nga aspekti financiar deri te i mirënjohjes shoqërore.

“Nuk ka qeveri të përsosur dhe çdo ditë e më shumë i besoj fjalës së Ronald Revan, ‘qeveria nuk është zgjidhja por gjithmonë problemi’, një problem që çdo shoqëri është e detyruar të bashkëjetojë se nuk ka zgjidhje më të mirë. Nëse ka një forcë kritike për çfarë duhet të bëjë më mirë policia e Shtetit, nuk është opozita, jemi ne. Nëse do bënim një debat për aftësi kritike, do e fitonim ne, jo opozita, në vendosjen e gishtit mbi dobësinë të metat dhe problemet e Policisë së Shtetit. Ambicia jonë është shumë më e madhe dhe më e fortë nga sa kemi bërë deri tani”, u shpreh Rama.

Ai deklaroi se për fat të keq opozita sot nuk është një fuqi alternative që siç tha ai, është shtysë për të bërë më shumë, ndërsa e cilësoi si një forcë energjie negative që dënon moralin dhe pasionin e çdo punonjësi policie.

Duke ju drejtuar policëve, ai deklaroi se është munduar të vihet disa herë në lëkurën e atyre që ndahen në mëngjes nga familja dhe nisen në një punë që gjithçka mund të ndodh dhe më pas kthehen dhe janë të detyruar të dëgjojnë shumë shpifje, akuza dhe gjëra që nuk kanë lidhje me atë që në fakt atë që ai bën.

“A ka në Policinë e Shtetit njerëz që nuk meritojnë të jenë në uniformë dhe duhet të ishin në burg se e tradhtojnë uniformën? Patjetër! Por a e meriton gjithë kjo trupë që i ka dhënë vendit një shpresë te re dhe vlerësim të ri se ne mund të bëjmë shtet që për hir të atyre që përmenda pak më parë të marrë çdo ditë dhe mbrëmje një pjesë të baltës që lëshohet me furi në kurrizin e vet gjithë baltën që hidhet? Absolutisht jo”, deklaroi Rama.

Për kreun e qeverisë, armiku më i madh i policisë nuk është krimi por vetmia, vetmia që krijon mungesa e mbështetjes nga shtypja apo mungesa e vëmendjes për të dëgjuar, ajo që ndodh çdo ditë ndaj Policisë së Shtetit është shtypja që vjen përmes një dhune verbale.

Rama tha se në asnjë vend në rajon dhe as të botës nuk gjendet një opozitë që i kundëvihet policisë me gjithë furinë e saj, duke përcjellë energjinë negative që dëmton moralin e çdo punonjësi të policisë që shërben në këtë detyrë, se i shërben shtetit në drejtimin e cilësdo parti që populli do i japë mandatin për të qeverisur.

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *