Home / Shëndeti / Kur ushqimi mund të të vrasë

Kur ushqimi mund të të vrasë

Alergji ushqimore quhet një reaksion imunitar i trupit, i cili nxitet nga përbërës të caktuar të ushqimeve – zakonisht proteina të mëdha në përmasa dhe të pashpërbëra mjaftueshëm në aparatin tretës, të cilat kalojnë ne gjak dhe provokojnë aktivizimin e qelizave imunitare.

Këto përbërës quhen alergogjen dhe trajtohen nga sistemi ynë imunitar si një trup i huaj, që duhet të neutralizohet, kështu prodhohen antikorpe specifike për të realizuar mbrojtjen. Këto antikorpe lidhen me qeliza të specializuara të cilat çlirojnë histaminë dhe substanca të tjera inflamatore, kur antikorpet detektojnë sërish alergogjenin. Këto substanca qarkullojnë në gjak dhe shkaktojnë simptoma në aparatin tretës, lëkurë, sistemin respirator dhe në sistemin e qarkullimit. (Në disa raste, përgjigja imunitare kontrollohet nga qeliza imunitare dhe jo nga antikorpet). Ushqimet më të prirura për të shkaktuar alergji janë vezët, peshku, qumështi, kikirikat, prodhimet e detit në guackë, soja, frutat e thatë dhe gruri.

Ndryshimi midis alergjisë dhe intolerancës ushqimore

Duhet kuptuar qartë se midis këtyre dy situatave ka ndryshim thelbësor. Alergjia ndaj një ushqimi është reaksion i sistemit tonë imunitar ndaj një molekule – zakonisht proteine – që përmbahet në këtë ushqim. Ndërsa intoleranca ndaj një ushqimi është reagimi i organizmit ndaj përbërësve kimikë të këtij ushqimi, për shkak të një sëmundje të aparatit tretës ose dëmtimi i tij, si dhe prej mungesës totale ose të pjesshme të një enzime që përpunon një substancë të caktuar që ndodhet në ushqimin shkaktar. Këtu nuk kemi aspak implikim të sistemit imunitar. P.sh., intolerancë ndaj laktozës është situata ku enzima, -laktaza- që shpërbën sheqerin e quajtur –laktozë-, që gjendet me shumicë te qumështi si sheqeri kryesor i tij, mungon ose prodhohet pjesërisht.

Ky është një çrregullim gjenetik në të cilin, geni që është përgjegjës për kodimin e kësaj enzime është difektoz. Për këtë arsye, vërejmë se ndër individët me intolerancë ndaj laktozës, ka nga ata që e tolerojnë qumështin në sasi të vogla ose të gatuar së bashku me ushqime të tjera, e tolerojnë kosin i cili ka më pak laktozë nga qumështi, gjithashtu edhe djathin që ka akoma më pak. Këta janë personat që e prodhojnë laktozën me pakicë. Ata që nuk e prodhojnë fare, nuk e tolerojnë qumështin as në sasi të vogla.

Gjithashtu lexo

10 të famshmit që nuk arritën t’i përmbushin standardet e bukurisë në Hollywood (Foto)

Shumë të famshëm duhet t’i përshtaten paraqitjeve të tyre në një kornizë strikte të Hollywoodit …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *