Home / Lajme / Maqedoni / Lazim Destani apelon: Diaspora shqiptare të investojë dhe të afrojë të ardhme për të rinjtë në atdhe

Lazim Destani apelon: Diaspora shqiptare të investojë dhe të afrojë të ardhme për të rinjtë në atdhe

Biznesmeni i njohur Lazim Destani ka apeluar që diaspora shqiptare të investojë dhe ofrojë të ardhme për të rinjtë në atdhe. Ai si afarist me kompaninë Ecolog tash e shumë vite po bënë përpjekje që potencialin investues ta orientojë sa më shumë drejt tregjeve shqiptare

Biznesmenët e diasporës shqiptare kanë premtuar investime dhe përkushtim në trojet shqiptare. Ky është mesazhi që diaspora shqiptare po përcjellë nga Tirana, kryeqyteti shqiptar i zgjedhur që të mbahet Samiti i Parë i Diasporës shqiptare ku janë mbledhur tash e dy ditë rreth një mijë përfaqësues nga 40 vende të botës.

Kryetari nderi i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, dhe Drejtuesi i Bordit Mbikëqyrës në kompaninë “Ecolog International”, Lazim Destani ka apeluar që potenciali ekonomik, financiar, i dijes dhe përvoja e diasporës të orientohet në mënyrë të drejtë e të saktë. Në këtë Samit, Destani e ka quajtur diasporën një potencial për zhvillim në trojet shqiptare. Ai në fillim të fjalës së tij para të pranishmëve në Samit, ka përgëzuar Qeverinë dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama për nismën, të cilën e ka vlerësuar shumë të rëndësishme dhe të munguar deri më tani në nivelin më të lartë shtetëror. “Emërtimi i këtij paneli tingëllon shumë bukur. Vetë titulli i tij dëshmon se te diaspora jonë ekziston potencial, jo vetëm ekonomik dhe financiar por mbi të gjitha, përvojë, dije dhe partnerë në bizneset tona gjithandej. Ky potencial duhet të kanalizohet në mënyrë të drejtë e të saktë”, ka thënë Destani. Ai ka theksuar se mërgata shqiptare gjithnjë ka qenë e organizuar në shoqata komunitetesh nëpër vendet ku veprojnë, por ka bërë të ditur se i ka munguar një bashkërendim i mirëfilltë siç e kanë shumë komunitetet tjera nëpër botë.

Diaspora shqiptare drejt rolit udhëheqës në zhvillimin ekonomik të atdheut

“Vetëm remitancat dhe transfertat vjetore për konsum nga diaspora përbëjnë një vlerë bukur të madhe të produktit vendor në trojet tona. Nëse do ta merrnim në konsideratë edhe potencialin investues, kjo vlerë mund edhe të dyfishohej. Kjo tregon se pothuaj nuk ka kategori tjetër ekonomike më të rëndësishme se ky potencial. Prandaj mendoj se është identifikuar dhe targetuar shumë drejt si potencial për zhvillim”, ka thënë Destani.

Në këtë drejtim, ai ka përmendur shembullin e mirë të Ministrisë së Diasporës së Kosovës me mbështetjen e së cilës, sipas Destanit vitet e fundit u krijuan Rrjete të bizneseve të Diasporës Shqiptare në Evropë dhe SHBA. Destani ka thënë se diaspora edhe tani është një nga pistonat më funksionalë të motorit të ekonomisë shqiptare. “Me pak koordinim për aktivitete konkrete, ajo shumë kollaj mund ta marrë rolin udhëheqës në zhvillimin ekonomik të atdheut dhe kështu të bëhet shembull edhe për investuesit e huaj. Prandaj, Institucionet shtetërore duhet të bëjnë më shumë për të krijuar lehtësira dhe motivim për angazhimin e diasporës si në formë individuale ashtu dhe në formë të organizuar”, tha ai.

 Destani: Mërgata shqiptare ka kapital të vlefshëm njerëzor

Destani ka shprehur përshtypjen e tij se të gjithë janë dakord për këtë, por ai ka theksuar se sado të dobishme që janë mbledhjet dhe diskutimet e këtilla nëse nuk ndërmerren aksione konkrete, në fund do mbetet vetëm shija e mirë e bisedave vëllazërore. “Çfarë do të ishin aksione konkrete mbetet të diskutohet mes palëve të interesuara. Por, për shembull, fare mirë mund të formoheshin konzorciume për projekte të caktuara. Siç është, bie fjala, projekti i Zonës për Zhvillim Teknik dhe Ekonomik në Spitallë, Durrës. Më tutje, një hap konkret shumë i nevojshëm do të ishte themelimi i një fondi investimesh, por pse jo edhe një bankë me kapital të mërgatës shqiptare”, tha ai.

Destani ka thënë se ai edhe personalisht si afarist me grupimin Ecolog në tregjet globale tash e shumë vite po bën përpjekje që potencialin investues ta orientojë sa më shumë drejt tregjeve shqiptare. “Deri më sot kemi bërë investime të konsiderueshme, kryesisht në Kosovë e Maqedoni, dhe nga viti 2014 edhe në Shqipëri”, ka thënë Destani.

Përveç kapitalit financiar, mërgata shqiptare, ai tha se ka një kapital tjetër shumë më të vlefshëm- Kapitalin njerëzor. “Do të ishte shumë më ekonomike dhe më e dobishme sikur institucionet shtetërore të kërkonin këshilla dhe ekspertizë nga ekspertë shqiptarë të dëshmuar botërisht në fushat ku veprojnë, përpara se këto t’i kërkonin prej kompanive të huaja. Për këtë do të duhej të kompletohet databaza e profesionistëve shqiptarë nga diaspora si dhe nga rajoni ynë”, ka theksuar Destani.

Destani thërret për iniciativë që të rinjtë të punësohen e jetojnë në vendin e tyre

Një tjetër iniciativë të cilën mbase mund ta udhëheqë Ministria e Ekonomisë, Destani e ka paraqitur në formulimin e një programi të posaçëm për zhvillimin e tregut për Diasporën si kornizë për lehtësimin e inovacionit dhe ndërmarrjes ndërmjet shqiptarëve që jetojnë në atdhe dhe mërgatës.

“Pra, për të dëshmuar se këto organizime nuk janë vetëm shkëmbime vlerësimesh me njëri tjetrin, sugjeroj që në organizimet e ardhshme institucionet dhe diaspora të paraqesin portfolio projektesh të cilat do të mund të ishin me interes për investim dhe zhvillim. Perëndimi na ka mësuar t’i besojmë fatit për të cilin punojmë shumë. Jemi të gatshëm ta luajmë rolin tonë për zhvillimin e atdheut”, ka thënë Destani në ditën e dytë të Samitit të mbajtur të shtunën.

“Mbi të gjitha, ne duhet ta lidhim zhvillimin ekonomik me përfitimet për njerëzit”, ka bërë thirrje ai.

Ai ka vlerësuar se pasi të jetë realizuar kjo, atëherë të rinjtë do të kishin hapësirë të bollshme për ta gjetur veten dhe të ardhmen e tyre këtu brenda trojeve shqiptare. “Kështu njerëzit do ta jepnin maksimumin sepse këtu edhe do ta merrnin maksimumin! Është kaq e thjeshtë. Le ta bëjmë!”, ka ftuar ai institucionet dhe bizneset.

Punimet e ditës se dytë të Samitit të Diasporës janë përqendruar kryesisht në mundësitë konkrete që u ofrohen emigrantëve për më shumë lidhje me Shqipërinë.

Në një nga panelet, Mark Gjonaj, anëtar i asamblesë së demokratëve në Nju Jork, ka theksuar se duhet të ketë më shumë bashkëpunim ndërmjet shoqatave të shqiptarëve jashtë vendit dhe për këtë, e ka vlerësuar të domosdoshme që të ketë kontribut edhe shteti shqiptar. Përfitimet për këtë, sipas tij, do të ishin mjaft të mëdha për komunitetet. Në një tjetër panel, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj ka përmendur tri ide sesi mund të afrohen më shumë emigrantët me kryeqytetin e Shqipërisë.

Samiti i Parë i Diasporës shqiptare, ka nisur të premten në Tiranë dhe do të përmbyllet të dielën, më 20 nëntor. Në hapjen e Samitit, në pritjen e organizuar nga kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *