Home / Lajme / Maqedoni / Negociatat për Qeverinë e Re, heshtin VMRO dhe LSDM

Negociatat për Qeverinë e Re, heshtin VMRO dhe LSDM

Ndonëse zyrtarisht partia e tyre ka fituar më tepër mandate se subjektet tjera, përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së dy javë pas mbajtjes së zgjedhjeve nuk japin asnjë informacion nëse kanë filluar negociatat me ndonjërën nga partitë shqiptare për formimin e qeverisë së re.

Nga ana tjetër fituesi i zgjedhjeve në bllokun shqiptar, partia e Ali Ahmetit, BDI, thotë zyrtarisht se ende nuk kanë filluar bisedimet me asnjërën nga partitë maqedonase. Zëdhënësi Bujar Osmani përmes një njoftimi me shkrim tha se për negociatat së shpejti do të vendosin organet partiake.

“Pas konfirmimit të rezultateve nga ana e KSHZ-së dhe fillimit të bashkërendimit me partitë shqiptare pritet që së shpejti organet e partisë të mblidhen që bashkë të vendosim për hapat e mëtejshëm”, njoftojnë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Ndryshe nga BDI-ja e cila nuk përjashton mundësinë e bisedimeve me asnjërën nga partitë maqedonase, kreu i LR-PDSH-së Ziadin Sela ka qëndrim të prerë, ai nuk do të koalicionojë asnjëherë me politikanë si Nikolla Gruevski që ofendojnë shqiptarët. Nga ana tjetër, drejtuesit e Unitetit janë më të përmbajtur.

“Besoj se do të vendosim ashtu siç është më mirë për republikën e Maqedonisë, për politikën e saj të brendshme dhe të jashtme për të respektuar miqtë tanë ndërkombëtar”, tha Gëzim Ostreni, Uniteti.

Edhe Afrim Gashi nga Lëvizja Besa thotë se parimisht kjo parti nuk koalicionon me politikanë të inkriminuar si Gruevski, megjithatë ai sqaron se për të gjithë ofertat vendos kryesia partiake.

“Kjo është çështje e kombinatorikave konkrete dhe ne për kombinatorika konkrete do të ulemi edhe një herë në kryesinë e partisë dhe do të merremi vesh. Në parim ne do të përkrahim ne do të përkrahim çdo gjë që është në interes të shqiptarëve dhe shtetit”, deklaroi Afrim Gashi, Lëvizja Besa.

Ndërkohë, partia e Zaevit mbetet e mbyllur për temën e negociatave. zëdhënësi i LSDM-së Petre Shilegov, nuk tregoi nëse kjo parti ka filluar bisedime me ndonjë parti, ndërsa shkurt tha se gjithçka do të bëhet publike me kohë, pasi të ketë diçka konkrete në këtë drejtim.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *