Home / Kryesoret / A do të ndryshohet pozicioni politik i shqiptarëve në Maqedoni pas deklaratës së përbashkët të partive?
Image processed by CodeCarvings Piczard ### FREE Community Edition ### on 2017-01-10 13:38:46Z | http://piczard.com | http://codecarvings.com

A do të ndryshohet pozicioni politik i shqiptarëve në Maqedoni pas deklaratës së përbashkët të partive?

Aleanca për Shqiptarët, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Koalicioni Rilindje me Besë janë tri partitë shqiptarë në Maqedoni që dolën me një deklaratë të përbashkët. Sipas tyre, deklarata ka për qëllim të tregojë përkushtimin për t’i realizuar të drejtat kombëtare në mandatin e ardhshëm qeveritar duke u mbështetur në Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën e Maqedonisë.

Një akt i tillë u mbështet nga zyrtarë të lartë shtetëror të Shqipërisë e Kosovës. Sipas Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, “Hapi historik i bashkimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni përbën një moment pjekurie politike, në të njëjtën kohë nevojë urgjente e avancimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Republika e Shqipërisë mbështet këtë deklaratë si një kornizë e përbashkët veprimi e faktorit politik shqiptar në Maqedoni në funksion të avancimit të të drejtave, lirive dhe barazive të mundësive mes komuniteteve shtet-formuese në Maqedoni”. Ndërkaq, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka përgëzuar liderët e partive shqiptare në Maqedoni për bashkimin e tyre rreth një platforme, e cila sipas tij siguron se do të punohet edhe më fuqishëm për realizimin e të drejtave të shqiptarëve.

Megjithatë, analistët politikë shprehen skeptikë se deklarata e partive do të mund ta ndryshojë pozicionin politik të shqiptarëve në Maqedoni.

“Vështirë se me një palë zgjedhje ndërron pozicioni politik i shqiptarëve të Maqedonisë, aq më tepër pas marrëveshjes për unifikim të qëndrimeve. Janë tri arsye kryesore që e bëjnë të pamundshëm lëvizjen e pozitës politike të shqiptarëve në Maqedoni. E para, nënshkruesit e kësaj marrëveshje, hiq Lëvizjen Besa, që të gjithë janë të taborit të vjetër politik, pra, të BDI-së dhe PDSH-së. Këto dy parti edhe në klimaksin e tyre politik, kur BDI e PDSH kishin afër 30 deputet një gjë e tillë nuk bënë kurrë. Aq më tepër, kur BDI-ja dihet që është një parti e shantazhuar, e vështirëson edhe më shumë procesin. E dyta, mungesa e një garantuesi dhe mbikëqyrësi mbipartiak, autoritet që tejkalon autoritetin e partive aktuale, si p.sh. MPJ të Shqipërisë, e bën edhe me të vështirë realizimin dhe konsekuencën e kësaj marrëveshjeje. E treta, mos definimi saktë i kërkesave të marrëveshjes, apo, mos përcaktimi i saktë në formë përfundimtare se: “Shqiptarët nuk hyjnë në asnjë qeveri me partitë maqedonase veç në rast se koalicionit i paraprinë një marrëveshje e gjerë politike, gjithëpërfshirëse për ndryshime kushtetuese”, marrëveshjen e nënshkruar pos një sensacioni mediatik, nuk e bën asgjë më tepër”, thotë në një prononcim për Gazeta e Re analisti dhe njohësi i proceseve politike në Maqedoni, Latif Mustafa.

Sipas Mustafës, insistimi i BDI-së që me çdo kusht, Besa të jetë në tavolinë, lë të nënkuptohet se BDI e konsideron Lëvizjen Besa faktor relevant politik, se vetëm një përafrim i mundshëm me të, mund ta zbusë zemërimin e shqiptarëve ndaj BDI-së. “Në anën tjetër, ulja e Lëvizjes Besa me BDI-në një tavolinë, nënkupton njohjen e saj si lojtarë politik dhe Lëvizja Besa shpreh respektin për votuesin e BDI-së. BDI nuk ka ndërruar asnjë parim, por është vënë në kërkim të legjitimitetit politik, duke shfrytëzuar momentin, gjë që edhe e ka fituar. Por, duhet theksuar se nënshkrimi i kësaj deklarate nga BDI-ja, nënkupton mbi të gjitha, pranimin e dështimit të BDI-së dhe se për kaq vite sa ka qenë në pushtet BDI, asnjërën nga këto pika s’ka mund t’i realizoj dhe tash kërkon gjak të freskët që mund t’iu bëj ballë partive Maqedonase. Lëvizja Besa, edhe pse është deklaruar se “marrëveshja për unifikim” është në frymën e “Platformës Ridefinimi”, sidoqoftë, në këtë kontekst, ja vlen të shqyrtohen disa fakte. Marrëveshja për unifikim, është shumë e përgjithshme dhe ka kundërshtitë e veta brenda saj”, thotë Mustafa duke shtuar se shumë pika të marrëveshjes lënë të dyshosh nëse deklarata është substanciale, e menduar mirë dhe e nënshkruar me vetëdije të plotë, sidomos nga partitë e reja apo veç një sensacion mediatik për të legjitimuar një pushtet të ardhshëm të çfarëdoshëm.

Sa i përket rolit të Shqipërisë për unifikimin e partive shqiptare në një deklaratë, Mustafa e sheh si pozitiv faktin që Shqipëria për herë të parë merr një qëndrim që t’i ofroj shqiptarët së bashku, “por mos garantimi i kësaj marrëveshje nga Qeveria Shqiptare apo Ministria e Jashtme e Shqipërisë, rrezikon ta shndërrojë këtë marrëveshje në një makijazh politik për të mbuluar dështimet në politikën e brendshme të Shqipërisë”.

Sipas publicistit Nijazi Muhamedi, deklarata e përbashkët e partive shqiptare nuk është më shumë se “sherr brenda shqiptarëve”. “Kjo e ashtuquajtura “Deklaratë unifikimi e partive shqiptare” është një rreng, një sherr brendashqiptar për dobi të pazarxhinjve politikë të votës shqiptare, që “unifikimin” e përdor si instrument mistifikues për ta legjitimuar këtë stratagjemë (përrallë që në fund mbaron me dredhi) për dobi të tyre dhe jo për të ndryshuar pozicionin politiko-kushtetues të shqiptarëve. Sepse, autorë të saj janë ata që oportunitetin e ndryshimit të pozicionit politiko-kushtetues të shqiptarëve në tërësinë shtetërore të Maqedonisë, që u krijua me Konfliktin e vitit 2001, e shitën keqazi, duke e kthyer atë oportunitet, atë rrethanë të re, në një gjoja “Marrëveshje Historike” që e definonte atë pozicion në rrafsh të dinjitetit të barabartë politik të shqiptarëve dhe maqedonasve. Por që në fakt ajo ishte dhe doli se është një stratagjemë politike antishqiptare, sepse në thelbin e saj qëndronte dhe qëndron manipulimi për të fshehur gjunjëzimin dhe vetëgjunjëzimin politiko-kushtetues të shqiptarëve si një “komunitet” të padefinuar politikisht dhe juridikisht që vetënjihet si i tillë gjoja “me vullnetin e vet demokratik të shprehur edhe përmes konfliktit politik të armatosur” nën lakun e shtetit etnik maqedonas”, thotë Muhamedi.

Sipas tij, deklarata e partive është një interpretim politik që vazhdon t’i bëhet Marrëveshjes së Ohrit dhe se është një mashtrim që bëhet nga politikanët për. “Deklarata që tash po tundet si “vullnet historik unifikimi” në fakt është një tekst mishmashi të turpshëm historik, që turpëron mendjen politike mbarëshqiptare, që degradon turpshëm vullnetin politik të shqiptarëve për dinjitet të barabartë politik të shqiptarëve në tërësinë shtetërore të Maqedonisë, që degradon turpshëm trajektoren e tyre politike nga fillimet e pluralizmit e gjer në ditët e sotme, por që gjunjëzon po ashtu turpshëm vullnetin politik të shqiptarëve për të qenë protagonistë autonomë të zhvillimeve politike në përputhje me aspiratat legjitime demokratike dhe të pacenueshme për t’i drejtuar këto zhvillime për dobi të ardhmërisë së tyre, që tash del edhe më tepër e kërcënuar nga këto manipulime antishqiptare që i bëhen përmes mistifikimeve të reja “bashkimtare”. Kjo deklaratë, në fakt, institucionalizon mercenarizmin politik shqiptar tash dhe për kohët që vijnë, e jo përpjekjet e vullnetit të përbashkët shqiptar për të konsoliduar subjektivitetin kolektiv shqiptar në artikulimin e vullnetit politik kolektiv shqiptar në përputhje me aspiratat e tij legjitime”, thotë për Gazeta e Re Muhamedi.

Tutje, ai konsideron se Shqipëria ka luajtur një rol të pandershëm me mbështetjen e kësaj deklarate. “Këtë lojë të pandershme mashtrimtare që e luajti Tirana për t’i dhënë kësaj deklarate “legjitimitet unifikues” dhe të besueshëm, gjoja si përpjekje të saj, ndërsa dihet se, pas saj qëndrojnë aktorë politikë shqipfolës për interesa të tyre, e jo të shqiptarëve. Unë ende kujtoj dhe pres se kryeministri Rama do të reflektojë ndershmërisht për të korrigjuar këtë lajthitje me pasoja poshtërimi kundruall shqiptarëve në Maqedoni, duke thirrur në përgjegjësi ministrin e tij të punëve të Jashtme dhe ambasadorin e tij në Shkup…Ky do të kishte kujtoj gjesti më i ndershëm që do të mund ta bënte pa vonuar kryeministri Rama”, potencon Muhamedi.

Nga ana tjetër, opinionisti Fadil Lepaja, konsideron se deklarata e partive shqiptare në Maqedoni është një hap përpara në unifikimin e angazhimeve politike.

“Kjo platformë edhe pse nuk shkon me kërkesa maksimaliste si do të dëshironin disa, eviton përplasjet ndër shqiptare kur është fjala për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni dhe mundëson bashkëpunim edhe të partive të cilat në fushat e tjera kanë dallime serioze. Deri tash këto dallime ishin shfrytëzuar për të përqarë korpusin shqiptar edhe rreth çështjeve krejt tjera, pra rreth të drejtave kombëtare e qytetare të shqiptarëve. Definitivisht roli i Shqipërisë ishte vendimtar në këtë plan aq më tepër që me gjasë ajo ka edhe përkrahjen ndërkombëtare për këtë”, thotë Lepaja për Gazeta e Re.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *