Home / Shëndeti / Anemia si pasojë e mungesës së hekurit, çfarë duhet të keni parasysh

Anemia si pasojë e mungesës së hekurit, çfarë duhet të keni parasysh

Mungesa e hekurit është mungesa ushqimore më e përhapur në botë. Kjo mangësi prek rreth 2 miliardë njerëz në botë. Edhe pse shkenca ka përparuar shumë dhe informacioni është mjaft kollaj i arritshëm, ¼ e popullsisë së botës mbetet anemike, gjysma prej të cilëve e pësojnë si pasojë e mungesës së hekurit në ushqim.

Në meshkujt adult dhe në moshën e tretë, kjo anemi shkaktohet si pasojë e humbjes kronike të gjakut. Te fëmijët dhe gratë, anemia mund të rezultojë si pasojë e marrjes së pamjaftueshme të hekurit nga dieta, humbje të gjakut, prodhim i ulët i rruazave të kuqe ose shtatzëni të shpeshta afër e afër.

Përgjithësisht, 90% e hekurit që hyn në organizëm ripërdoret dhe ushqimi zëvendëson humbjet e pakta të tij nëpërmjet djersës, feçeve, flokëve, thonjve dhe urinës, ndërsa te gratë në periudhën e riprodhimit zëvendëson humbjen nëpërmjet ciklit menstrual.

Më të prekurit nga anemia

Anemia e mungesës së hekurit është më e shfaqur te fëmijët, vajzat adoleshente, sportistët dhe gratë në moshë riprodhuese.
Bebet që ushqehen me qumësht lope përpara kohe mund të shfaqin humbje të gjakut nëpërmjet aparatit tretës dhe të kalojnë në anemi.
Personat që vuajnë nga sëmundje inflamatore të aparatit tretës mund të jenë gjithashtu të rrezikuar nga anemia.
Një pjesë e mirë e personave anemik mund të shfaqin “Pica” – një çrregullim që karakterizohet nga dëshira për të konsumuar lëndë jo ushqyese si akull, shkumës etj.

Si konstatohet mungesa e hekurit dhe anemia?

Matja e ferritinës në gjak është treguesi më i saktë i hekurit në organizëm. Nivelet e hemoglobinës dhe hematokritit janë gjithashtu tregues të mjaftueshmërisë së hekurit për formimin e rruazave të kuqe. Por, këto dy te fundit nuk tregojnë fazat fillestare të mungesës së hekurit. Fillimisht trupi e rregullon nivelin e hekurit në gjak duke e marrë atë nga depozitat në formën e ferritinës dhe kështu mund t’ia dalë për njëfarë kohe, deri sa depozitat të mbarojnë dhe të reflektojë ne ulje të hemoglobinës dhe hematokritit, pra në anemi.

Përthithja e hekurit

Kur depozitat e hekurit zbrazen, organizmi rrit automatikisht përthithshmërinë e tij. Burime të mira të hekurit janë mëlçitë, fasulet e bardha, mishi i viçit, mishi i errët i shpendëve, toni i freskët, frutat e thara dhe molusqet. Hekuri i mishit ka përthithshmërinë më të lartë. Hekuri i ushqimeve bimore ndikohet tej mase nga ushqimet e tjera që konsumohen me to. Prezenca e një sasie te vogël mishi e rrit shumë biodisponibilitetin e hekurit të ushqimeve bimore, si dhe prezenca e aciditetit e bën atë më të përthithshëm, si portokalli, domatet, qitro, specat e kuq, kivi dhe brokoli.
Personat me aciditet të ulët të stomakut janë më të rrezikuar të shfaqin mungesë hekuri.

Ushqimet që nuk duhen konsumuar bashkë me hekurin

Çaji jeshil
Kafja
Drithërat me krunde
Soja
Qumështi
Kakao, çokollata
Kujdes: fëmijët e moshës nën 2 vjeç nuk duhet të konsumojnë më shumë se 500ml qumësht në ditë.

Kur merrni suplement hekuri

Të gjithë personat që shfaqin anemi si pasojë të mungesës së hekurit duhet të marrin hekur plotësues.
Mos i jepni kurrë fëmijëve hekur pa u këshilluar me mjekun, pasi pasojat e mbingarkesës me hekur janë tepër të rrezikshme për ta.
Suplementi i hekurit duhet marrë të paktën 2 orë larg mjekimeve të tjera. Marrja e hekurit mund të pengojë veprimtarinë e ilaçit të tiroides (levotiroxinen), antibiotikëve dhe antidepresivëve.

Hekuri në formën “ferrous sulfate” është më i përthithshëm nga format e tjera. Ky lloj hekuri mund të merret bashkë me ushqimin, në ndryshim nga forma “ferric”, e cila duhet të merret larg ushqimit.

Përmirësimet në nivelet e hemoglobinës mund të duan nga 4 deri në 30 ditë të bëhen të dukshme në testin e gjakut. Plotësimi me hekur duhet të vazhdojë të paktën 2 muaj pasi nivelet e hemoglobinës rikthehen në normë, në mënyrë që të mbushen depozitat të cilat nevojiten 1-3 muaj të plotësohen. Nivelet optimale të ferritinës janë 40 -60microgram/L
Në shumë raste, fëmijë të shëndetshëm të ushqyer ekskluzivisht me qumësht gjiri, mund të kenë nevojë për plotësim me hekur të bio-disponueshëm.
Nuk është vetëm hekuri i rëndësishëm për aneminë

Përthithja e hekurit varet nga konsumi i mjaftueshëm i bakrit, vitaminës C dhe aciditetit të stomakut. Suplemente si kalciumi mund ta ulin përthithjen e hekurit. Hipotiroidizmi mundet të shkaktojë gjithashtu mungesë hekuri. Hemoglobina prodhohet nga proteina, hekur dhe bakër. Marrja e suplementeve me sasi të mëdha zinku mund të ulë nivelin e bakrit në gjak.
Rruazat e kuqe prodhohen në sajë të vitaminës B12, acidit folik dhe aminoacideve, prandaj është shumë e rëndësishme që dieta te jete e mjaftueshme ne keto perberes të cilët përmbahen kryesisht te:

Mishi i kuq, mëlçitë, shpretka
Fasulet, thjerrëzat
Panxhari i kuq
Lëngu i portokallit, qitros, limonit
Brokoli, lakra, asparagu
Bizelet, patatet
Rrushi i thatë

Këshillë e fundit

Sa herë që shihni të udhës të merrni një suplement ushqimor, këshillohuni më parë me mjekun dhe sigurohuni për dozën e duhur dhe elementet e tjerë që mund të ndikojnë apo ndikohen nga hekuri, në mënyrë që të mos shkoni për të rregulluar një parametër dhe prishni dhjetëra të tjerë.

Gjithashtu lexo

Zonja, kjo bimë bën që të mos shkoni kurrë tek gjinekologu RECETA

Problemet gjinekologjike, të cilat mund të jenë nga më të lehtat e deri tek më …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *