Home / Lajme / Rajon / Dyshohen për krime jashtë vendit me identitete të tjera, 30 zyrtarëve të lartë u merren shenjat e gishtave

Dyshohen për krime jashtë vendit me identitete të tjera, 30 zyrtarëve të lartë u merren shenjat e gishtave

Ligji “Për dekriminalizimin” sjell telashe të reja për zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të lartë në administratën shtetërore shqiptare, por edhe për të zgjedhurit në organet e qeverisjes lokale e qendrore.

Prokuroria e Përgjithshme, e cila ka në proces verifikimi 15 raste zyrtarësh, që u janë marrë shenjat e gishtave, pritet të kërkojë analizimin e gjurmëve edhe për 15 të tjerë. Në këtë mënyrë, siç mëson gazeta “Panorama”, numri i zyrtarëve të nivelit “të mesëm” dhe “të lartë” të cilëve, veç dokumentacionit dhe informacioneve të tjera, u kërkohen gjurmët e gishtave, do të shkojë në të paktën 30.

Prokuroria e Përgjithshme ka krijuar indiciet e saj për dënime ose precedentë penalë të këtyre zyrtarëve jashtë vendit në emigracion dhe pritet që brenda janarit të kërkojë analizimin e shenjave të gishtave.

Burime të gazetës kanë thënë se hetimi me analizimin e shenjave të gishtave është kërkuar “veçanërisht për ata zyrtarë, të cilët ka rezultuar se kanë përdorur disa identitete, duke u prezantuar me emra të ndryshëm gjatë qëndrimit në emigracion”.

Pikërisht, për shkak të këtyre identiteteve të ndryshme dhe mundësisë së manipulimit të dokumenteve, Prokuroria u ka kërkuar gjurmët e gishtave 15 zyrtarëve dhe ka gati listën edhe për 15 të tjerë, të cilët brenda janarit 2017 duhet të paraqiten për të dhënë shenjat e gishtave.

Në këtë listë ka zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të lartë, përfshirë edhe deputetë. Prokuroria nuk pranoi të bënte asnjë koment, duke deklaruar se hetimet janë ende në vazhdim dhe në fazë konfidencialiteti. Por, gjithsesi, burime të besueshme thanë se “në verifikim janë zyrtarë të lartë, përfshirë persona të zgjedhur”.

Ky nocion përfshin anëtarët e këshillave bashkiakë, kryetarët e bashkive dhe deputetët. Prania e këtyre të fundit në listën e zyrtarëve që po u analizohen shenjat e gishtave është konfirmuar nga burime të besueshme, që kanë thënë se për momentin nuk mund të jepen as numra dhe as emra.

Ajo çka konfirmohet është se Policia Shkencore dhe organet e Prokurorisë janë duke verifikuar aktualisht nëse shenjat e gishtave të marra prej disa deputetëve dhe zyrtarëve të lartë në Shqipëri përputhen me gjurmët e disa shtetasve të skeduar në Itali, Zvicër, Greqi dhe vende të tjera jo vetëm të BE-së.

Bazuar ne indiciet e marra prej burimeve të ndryshme të informacionit, por edhe nga institucionet shtetërore, Prokuroria ka krijuar indiciet e nevojshme dhe ka kërkuar të dhëna prej disa shteteve.

Burimet nga sektori i posaçëm i hetimeve “për dekriminalizimin” kanë thënë se përgjigjet në fjalë pritet të mbërrijnë në Shqipëri brenda janarit 2017. Më pas, shenjat e gishtave të zyrtarëve të dyshuar do të krahasohen me rekordet që ruhen në bankën e të dhënave të Europolit dhe Interpolit për personat e proceduar dhe të dënuar në vendet anëtare të këtyre organizatave./a.m.

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *