Home / Lajme / Kronika e zezë / Itali: Orteku vret katër persona

Itali: Orteku vret katër persona

Ekipet e shpëtimit janë vënë në garë me kohën duke gërmuar pa u ndalur mes borës dhe rrënojave të hotelit Rogopiano në Pescarese, i gllabëruar nga një ortek pas tërmeteve që përfshinë Italinë Qendrore.

Në ndërtesë gjendeshin rreth 35 persona, e deri më tani janë rikuperuar 4 trupa. Rreth 25 të tjerë rezultojnë të zhdukur dhe pavarësisht se shpresat për gjetjen e tyre të gjallë po zbehen nga ora në orë, autoritet nuk heqin dorë nga kërkimet intensive.

Orteku goditi hotelin me 43 dhoma pranë malit Gran Sasso të mërkurën pas lëkundjeve të shumta të tokës në rajon.  2 persona që gjendeshin jashtë strukturës në atë moment, i mbijetuan tragjedisë.

Tërmetet, 4 prej të cilëve ishin më të fortë se 5 ballë të shkallës Rihter, terrorizuan banorët e zonës të cilët edhe më herët po përballeshin me kushtet e vështira të motit, pasi reshjet e dendura të borës nxorën jashtë funksionit linjat telefonike dhe energjitike.

Kryeministri Paolo Gentiloni bëri thirrje për unitet kombëtar, duke thënë se Italia ishte mbërthyer nga një valë e paprecedentë i të ftohtit dhe tërmeteve. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker tha se pjesa tjetër e BE ishte në gatishmëri për të ndihmuar, pasi siç tha, një tërmet në Itali godet edhe Evropën.

Siç mësohet, tragjedia ka ndodhur ndërsa personat që gjendeshin në hotelin me 4 yje në zonën turisitike, ishin mbledhur në katin e poshtëm të tij për të pritur evakuimin pas tërmeteve. 22 vizitorë dhe 7 pjesëtarë të stafit ishin regjistruar në hotel, mes tyre edhe fëmijë, por autoritetet flasin për 35 vetë, transmeton tch.

Orteku vërshoi mes orës 16 e 30 dhe 17 e 40 sipas mesazheve dhe telefonatave të bëra nga njerëzit atje, duke rrëzuar pjesërisht çatinë e duke zhvendosur godinën 10 metra larg themeleve të saj. Alarmi është ngritur nga një person që në atë kohë gjendej jashtë hotelit, por deri në mbërritjen e ekipeve të shpëtimit kaluan më shumë se 10 orë për shkak të kushteve të vështira.

Mes personave të zhdukur shumica janë italianë, por mes tyre përfshihet edhe një shtetas zviceran e një rumun.

Gjithashtu lexo

Kontrollohen lokalet e zhurmshme në Tetovë – (VIDEO)

Të dielën  rreth orës 1.00 pjestarë të policisë nga Sektori për Punë të Brendëshme në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *