Home / Lajme / Rajon / Komisioni për Siguri propozon forcimin dhe avancimin e FSK-së

Komisioni për Siguri propozon forcimin dhe avancimin e FSK-së

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka diskutuar për shndërrimin e FSK-së në FAK, për çka ka thënë se në të ardhmen e afërt një gjë e tillë nuk do të jetë e mundur për shkak se nuk ka vullnet politik.

Andaj, kryesuesi i këtij komisioni, Daut Haradinaj, propozoi që kësaj force t’i jepen më shumë përgjegjësi, t’i rritet buxheti dhe të avancohet me plotësim-ndryshimin e Ligjit për FSK-në pa pasur nevojë t’i ndryshohet emri nga FSK në FAK.

“Është kjo gjendje qysh është duket që edhe një kohë FSK ose transformim i i saj do të jetë peng i Listës Srpska ose edhe i Beogradit, atëherë ne si deputetë dhe si anëtarë të komisionit mendoj edhe ekzekutivi duhet të bëjë plotësim-ndryshimin e ligjit të Forcave të Sigurisë, çka do të thotë kjo se me këtë plotësim-ndryshim ne i japim kapacitete të plota opercionale këtyre trupave, ua japim mundësinë dhe ua ndërrojmë misionin dhe natyrisht edhe u rritet buxheti për krijimin e atyre kapaciteteve. Kurrkush nuk na ndal në këtë drejtim, mendoj që është mirë kjo me u bë në bashkëpunim edhe me qeverinë por edhe me NATO-N por pse jo edhe me KFOR-in në Kosovë sepse qëllimi final në fund të fundit është Kosova pjesë e NATOS-s por nëse i shohim të gjitha materialet që i kemi para vetes që janë bukur voluminoze duket qartë që rruga e vetme në këto rrethana është plotësim ndryshimi i ligjit të FSK-së”, tha Haradinaj.

Haradinaj theksoi se lidhur me këtë forcë duhet të merren masa sa më parë duke e parë gjendjen e sigurisë në rajon e cila, sipas tij, nuk është shumë stabile.

“Besoj shumë se edhe angazhimi i deputetëve anëtarë të komisionit, i liderëve në Kosovë sepse kjo temë është politike kryekëput, siguria është jo bash stabile qysh po thonë ata, është fragjile, vendet tjera të rajonit po forcohen shumë ndërsa ne kemi mbet qe 5 vjet e kemi lënë FSK-në stand-by ata janë kthyer në një mjet konsumues asgjë më shumë, e ne tash është mirë me diskutuar hapur këtu por pse jo me marrë ju obligim me diskutuar edhe me kryetarët e juaj, qofshin edhe ët grupeve parlamentare, liderët politikë që me pa cili është opsioni më i mirë për me dalë prej kësaj situate”, u shpreh ai.

Madje, për të diskutuar për këtë çështje ku ishte i ftuar ministri i FSK-së, Haki Demolli, dhe komandanti i FSK-së Rrahman Rama, kryesuesi i komisionit, Daut Haradinaj kërkoi mirëkuptimin e mediave dhe pjesëmarrësve të tjerë që ta lirojnë sallën.

“Me na e liru sallën përpos ata që janë deputet, mirëkuptimin e të gjithëve kisha pas qef me dalë prej takimit për shkak se mendoj që do ti diskutojmë do tema që janë me interes”, u shpreh Haradinaj.
Por, Haradinaj gjatë kësaj mbledhje tha se ka marrë shumë shqetësime nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës sa i përket ligjit për nivelizimin e pagave i cili këtyre pjesëtarëve ua shkurton pagat për rreth 100 euro.

“Është një shqetësim i përgjithshëm tek policia e Kosovës për njësitë elite rrezikojnë të ju ulet paga dhe jo vetëm paga por rrezikojnë që ata e kanë edhe masën e rrezikshmërisë që u paguhet me përqindje të pagës dhe kjo i bie që për nja 100 euro do te ju zvogëlohet rroga në bazë të asaj që është parashikuar. E kish me qenë mirë që në perspektivën e afërt me e thirrë edhe ministrin e MPB-së, por ndoshta edhe sekretarin permanent të Ministrisë me shikua se si është bërë për shkak se është ligji për nivelizimin e pagave po i sanksionon pjesëtarët elitë të Policisë, do me thënë është një shqetësim i përgjithshëm dhe ish dashtë ne si komision me këqyr çka mundemi me bë në këtë drejtim”, deklaroi ai.

Për të diskutuar për këtë çështje Haradinaj tha se në një mbledhje të afërt duhet të thirret në mbledhje edhe ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni.

Ndërkohë, në rend të ditës në këtë mbledhje u fut edhe pika për shqyrtimin e projektligjit për dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta dhe municioneve dhe mjeteve eksplozive, i cili u miratua.
Kurse, sa i përket planit vjetor të punës, i cili u miratua në parim, Rexhep Selimi pati dy kërkesa.

Ai kërkoi të dijë nëse mbikëqyrja e zbatimit të ligjit për përgjimin e komunikimeve elektronike duhet të jetë kompetencë e Komisionit për Siguri apo e ndonjë komisioni tjetër.

“Dy gjëra desha pak a shumë që ti diskutojmë. Për në shtator është paraparë mbikëqyrja e zbatimit të ligjit për përgjimin e komunikimeve elektronike, tash në mandatin e kaluar, do me thënë legjislaturën e 4 ne e kemi pasur këtë draft ligj, e kemi shqyrtua dhe qeveria e ka tërheqë këtë ligj nga procedimi në komision dhe e ka dërguar ën komision tjetër . tash le ta sqarojmë këtë punë, në atë kohë kanë pas thënë që komisioni i sigurisë nuk mund të merret me këtë punë sepse i takon atij, dhe ne e kemi kundërshtuar nëse ju kujtohet, si të thuash na e kanë marrë prej procedimit këtë deh e kane qua diku tjetër për shkak se nuk mund bënin krejt qashtu qysh po donë, tash a të merremi vesh se kush e procedon, kush e mbikëqyr apo nuk po merren vesh sepse nuk po më duket diçka në rregull”, u shpreh ai.

Ndërsa, vërejtja e dytë e Selimit ishte futja e diskutimeve për FAK-un në muajin nëntor.

Ai tha se kjo çështje duhet të jetë në agjendën e komisionit në fillim të këtij viti.

“Dhe vërejtja ime e dytë është vërejtja, thirrje për diskutim më shumë muj me thënë për shkak se nuk i jap vetës të drejtë se jam as më i shqetësuar as më i preokupuar më shumë se ju për një temë siç është shqyrtimi i projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit të FSK-së dhe ligjeve që kanë të bëjnë me FAK-un. Rreshtimi i tij në agjendë në fund të këtij viti, në nëntor ma merr mendja është jo vetëm shumë vonë por gati thuajse çdo ligj që e kemi pasur ën nëntor nuk e kemi kryer nëse ju kujtohet sepse në nëntor futemi në procedim të ligjeve tjera, përmbyllje të vitit pastaj është ligji për buxhetin edhe zakonisht bartet për vitin tjetër, kështu që thërras prej jush edhe një herë nëse kem mundësi, normalisht nuk mund ta bëjmë këtë pa sponzorizuesin pa ministrinë që at kemi ën fillim ët vitit, që ti futemi punës, ne e dimë pak a shumë se jemi familjarizuar se çka duhet të ndryshohet në ligjet që kanë të bëjnë me FAK-un, ta kryejmë punë tonë dhe pastaj të ketë rrugën qeveria më të hapur që të krijoj FAK-un”, deklaroi ai.

Komisioni e miratoi edhe shqyrtimin e projektligjit për dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta dhe municioneve dhe mjeteve eksplozive, për çka u formua edhe një grup punues i cili do të merret me këtë çështje.

Daut Haradinaj, propozoi që udhëheqës i këtij grupi punues të jetë Rexhep Selimi dhe anëtarë Nuredin Ibishi dhe Fatmir Shurdhaj, propozim ky që u miratua nga anëtarët e komisionit.

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *