Home / Lajme / Rajon / PD: 22 vjeçari me 3 gram hashash çohet në vdekje, “Escobari” bredh i lirë

PD: 22 vjeçari me 3 gram hashash çohet në vdekje, “Escobari” bredh i lirë

Partia Demokratike ka reaguar dje në lidhje me vetëvrasjen në burgun e Rrogozhinës të të riut Estref Halili nga Kolonja e Lushnjes. Me një deklaratë për median nga selia blu, Grida Duma foli për dy standardet e qeverisë: qëndron në krah të bandave e trafikantëve, shtyp pa mëshirë të vobektit.

Sipas Dumës, ata që kapen me sasi të vogla hashashi përballen me dënime të rënda dhe monstruoze, ndërsa ata që drejtojnë trafikun e drogës në vend lëvizin të lirë dhe kanë mbështetjen e shtetit. Grida Duma nuk ka nguruar të akuzojë drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama.

“Me Edi Ramën, Klement Balili që e kërkon gjysma e policive të Europës, e cilësohet nga CNN si, Eskobari i Ballkanit, trafikanti më i madh i drogës në rajon, gëzon mbrojtje, liri, pushtet, madje dhe zyrë të lartë drejtuese në shtet, dhe asgjë nuk e gjen atë, edhe pse duhej arrestuar prej majit të vitit 2016”, u shpreh Duma. Sipas saj, me Edi Ramën, një i ri 22-vjeçar, Estref Halili, i arrestuar nga policia sipas familjarëve të tij me 3 gram hashash, trajtohet pa mëshirë, dhe shtyhet drejt vetëvrasjes në qeli. “Këto janë dy standardet e Edi Ramës. Në shërbim të trafikantëve, të krimit të organizuar, të bandave që kontrollojnë drogën në rajon, dhe i dhunshëm me të pamundurin, me të vobektin që është kapur me 3 gram hashash. Kjo është padrejtësia që ka mbjellë ai, në këtë vend, që po trondit sot shoqërinë, që po vret shpresën. Ne e dimë se frymëzuesi e kësaj klime është Edi Rama, por ata që kanë direkt dorë në vdekjen e 22 vjeçarit, duhet të dalin para drejtësisë”, deklaroi Grid Duma gjatë një dalje për mediat.

Në fund të fjalës së saj, sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike gjithashtu i bëri thirrje Prokurorisë që të nisë menjëherë hetimet në lidhje me rastin në fjalë. “Partia Demokratike i bën thirrje prokurorisë të hetojë me urgjencë dhe seriozitet të gjithë procedurat që janë ndjekur nga policia dhe autoritetet e burgjeve në rastin e 22-vjeçarit Estref Halili. Të hetojë e të nxjerrë para ligjit përgjegjësit”, tha Duma.

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *