Home / Lajme / Rajon / Qeveria me qasje të re ndaj dialogut
Image processed by CodeCarvings Piczard ### FREE Community Edition ### on 2017-01-19 10:46:11Z | http://piczard.com | http://codecarvings.com6Dÿ#;ñ#k

Qeveria me qasje të re ndaj dialogut

Qeveria e Kosovës do ta mendojë sërish ridefinimin e formatit të dialogut me Serbinë, konfirmojnë zyrtarët e ekzekutivit të vendit.

Faton Abdullahu, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se për të qenë Kosova faktor stabiliteti dhe për të ndjekur politikat e normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore në rajon, si dhe për të qenë korrekte në hapat e saj drejt integrimeve evropiane, ajo është e obliguar të dialogojë.

Por, sipas tij, dimensioni i ri i veprimeve dhe retorikës nga autoritetet e Serbisë, e sidomos veprimet, siç i quan ai, provokuese, siç janë: treni provokues, ndërtimi i murit joligjor në Mitrovicë të veriut, si dhe fletë-arrestet e pakuptimta të lëshuara nga shteti serb, sikurse në rastin e ish kryeministrit Ramush Haradinaj, e shtyjnë Qeverinë e Kosovës të mendoj se si do t’i qaset tash e tutje dialogut me këtë shtet.

“Elementet e kësaj natyre na bëjnë neve, si Kosovë, të jemi të shtrënguar që të rimendojmë për një ridefinim të formatit të dialogut. Sikurse edhe e ka thënë kryeministri Isa Mustafa, ne nuk mund të vazhdojmë kështu, duke u marrë vesh për mosmarrëveshjet pse nuk janë zbatuar marrëveshjet e mëhershme. Kjo logjikë na dëmtoi. Ne jemi shumë konstruktiv deri më tash. Duam që Bashkimi Evropian ta kuptojë se me çfarë Serbie të re, delikuente, po ballafaqohemi dhe të na ndihmojë edhe Brukseli që ta ridefinojmë këtë dialog”, ka thënë Abdullahu.

Në anën tjetër, subjektet politike opozitare edhe më parë kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta ndërpresë dialogun me Serbinë.

Pal Lekaj, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, sqaron se kërkesa e këtij subjekti opozitar për ndërprerjen e dialogut ka të bëj me formatin e tanishëm të dialogut. Madje, sipas tij, veprimet destruktive të Serbisë në vazhdimësi, e sidomos ato të fundit, siç thotë ai, arrestimi i liderit të këtij subjekti, Ramush Haradinajt, treni provokues, muri në Mitrovicë të veriut, si dhe pretendimet territoriale, e bëjnë të palogjikshëm vazhdimin e dialogut në formatin e tanishëm.

Lekaj thotë se Qeveria e Kosovës duhet të mendoj për një format të ri të dialogut me Serbinë, ku kriteret dhe kornizat do të jenë të qarta për të dyja vendet.

“Nën një, që të bëhet njohja nga Serbia, pra, ta njeh Kosovën si shtet. Pastaj, të pagjeturit dhe kriteret tjera që i ndihmojnë Kosovës dhe jo të bëhet dialog me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës, siç ka ndodhë deri më tani. Prandaj, Aleanca, thënë shkurt, është për ndërprerjen e këtij lloj dialogu. Të bëhen kriteret, të riformatohet dialogu dhe pastaj dialogohet me Serbinë”, theksoi Lekaj.

Publicisti Halil Matoshi, njohës i zhvillimeve politike në vend, thotë për Radion Evropa e Lirë se dialogu me Serbinë nuk duhet ndërprerë, por duhet intensifikuar pas zhvillimeve të fundit që kanë acaruar raportet edhe ashtu të brishta ndërmjet dy vendeve.

Por, sipas tij, Kosova nuk duhet ta vazhdojë praktikën e deritashme në dialog, siç thotë ai, e cila i ka shkuar për shtati agjendës së Serbisë, kryesisht rreth kapitullit 35 të negociatave të saj me Bashkimin Evropian.

“Është koha që Kosova ta krijojë dhe ta shtyjë përpara agjendën e vet në Bruksel. Kur e them këtë i kam parasysh kërkesat që duhet t’i bëhen Brukselit për të bërë presion te Serbia, që Kosova përfundimisht të hiqet nga preambula e Kushtetutës së Serbisë dhe të anulohen fletë-arrestet për komandantët dhe pjesëtarët tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto janë dy premisat thelbësore, pa të cilat, unë besoj, dialogu më nuk do të ketë efekt”, tha Matoshi.

Matoshi ka shtuar se qëndrimi i Brukselit, deri më tash, ka qenë i habitshëm, për faktin se nuk ka bërë presion të duhur ndaj palëve në dialog, që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura. Sipas tij, dialogu pa afate dhe i përhershëm, për të njëjtat tema, është i pakuptimtë.

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *