Home / Lajme / Rajon / Revoltohet bashkëshorti i sportistes: E vrau para fëmijëve, ky vend ka marrë fund

Revoltohet bashkëshorti i sportistes: E vrau para fëmijëve, ky vend ka marrë fund

Andrea Memollari, drejtuesi 20-vjeçar i automjetit që përplasi për vdekje Dhurata Dokun (Priftin), nënën e dy fëmijëve, në korrik të vitit 2016 në Tiranë, rrezikon të dënohet me 10 vite heqje lirie.
Prokuroria e Tiranës ditën e djeshme i kërkoi gjykatës këtë masë dënimi për të riun e akuzuar për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen dhe “largim nga vendi i aksidentit”.

Sipas përfaqësuesit të akuzës, i pandehurit Memollari duhet të deklarohej i fajshëm, pasi rezulton se është autori i ngjarjes së rëndë të ndodhur më 13 korrik 2016 në kryqëzimin e rrugës “Jordan Misja” me Unazën, i njohur si kryqëzimi i burgut, raporton “Panorama”.

Prokurori kërkoi dënim me një dekadë burg, por i pandehuri nuk do ta vuajë këtë masë, as nëse gjykata pranon kërkesën e Prokurorisë. Në seancat e kaluara gjykata ka pranuar kërkesën e tij për gjykim me procedurë të shkurtuar, lloj gjykimi nga i cili i pandehuri përfiton uljen e një të tretës së dënimit.

Kërkesa e Prokurorisë u dëgjua dje në sallë nga avokati mbrojtës i Memollarit, pasi vetë i pandehur kishte zgjedhur të mos ishte prezent. Nga ana tjetër, interes për seancën kishin paraqitur familjarët e të ndjerës Doku.

Përmes një avokateje ata kërkuan të bëheshin palë në proces. Kërkesa e tyre nuk u pranua nga gjykata, si kërkesë e paraqitur jashtë afateve të përcaktuara në ligj. Në përfundim të seancës, gjyqtari Gerd Hoxha i dha kohë avokatit deri më 24 janar për të paraqitur konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes.

Të afërmit e të ndjerës Dhurata Doku-Prifti e konsideruan qesharak parashikimin ligjor të masës së dënimit. Arjan Prifti, bashkëshorti i viktimës së aksidentit të shkaktuar nga Memollari, tha se i pandehuri duhet të dënohej të paktën me maksimumin e dënimit, raporon “Panorama”.

“Për mua ai duhet të ishte minimumi 25-30 vjet në burg. Minimalisht me këtë ligj qesharak që është, ai duhet të merrte maksimumin. Nëse nuk merr maksimumin, atëherë ky vend ka marrë fund. Unë dua vetëm që drejtësia të vihet në këtë vend”, tha Prifti në një prononcim për median, jashtë sallës së gjyqit.

Duke iu referuar faktit se bashkëshortja e tij ishte bashkë me dy fëmijët e tyre të mitur në momentin e aksidentit, Prifti i krahasoi rrethanat e aksidentit me ngjarjet e luftës në Siri.

“Unë jam një bashkëshort dhe një prind i plagosur nga ikja në një mënyrë tragjike, si me qenë fëmijët e mi në Siri. Edhe në Siri vriten kalamajtë para nënës së tyre. Kjo është një ngjarje e rëndë, nuk është si gjithë aksidentet e tjera. Po të pyesësh çdo shqiptar, çdo nënë, çdo prind, nëse do t’u ndodhte kjo në familjen e tyre, t’u vritej nëna para fëmijëve, çfarë do të thoshte babai i tyre?”, u shpreh bashkëshorti i së ndjerës./Panorama

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *