Home / Shëndeti / Rregullat për të evituar prishjen e dhëmbëve

Rregullat për të evituar prishjen e dhëmbëve

Dhëmbët luajnë rol të rëndësishëm tek njeriu. Përveç copëtimit të ushqimit, ato na sigurojnë një buzëqeshje të bukur, ndërsa dëmtimi i tyre sjell probleme të mëdha. Sipas statistikave, rreth 90% e shqiptarëve vuajnë nga sëmundjet e gojës dhe një pjesë e madhe i dedikohet mungesës së kujdesit për shëndetin oral. Më poshtë do të gjeni disa fakte të rëndësishme lidhur me dhëmbët, si dhe kuriozitete të ndryshme që do t’ju bëjnë të jeni më të kujdesshëm ju vetë, por edhe familjarët tuaj në lidhje me dhëmbët.

A e dini se…

Sëmundjet e gojës ndikojnë në cilësinë e jetës së njeriut. Larja e dhëmbëve duhet të fillojë menjëherë pas daljes së dhëmbit të parë të qumështit. Pastat e dhëmbëve kanë në përbërje disa substanca që kanë rolin e tyre specifik. Numri i baktereve në gojë mund të jetë më i madh se popullsia e botës. Era e keqe e gojës mund të jetë shenjë e disa sëmundjeve. Higjiena e gojës është shumë e rëndësishme, sidomos gjatë shtatzënisë. Një person i rritur ka 32 dhëmbë që do të thotë 160 sipërfaqe për t’u pastruar.

Cilët janë disa nga faktorët që ndikojnë në prishjen e dhëmbëve?

Sipas stomatologëve disa nga faktorët që ndikojnë në sëmundjet e dhëmbëve janë: mungesa e kujdesit, konsumimi i duhanit dhe ëmbëlsirave, kequshqyerja etjPër të pasur dhëmbë sa më të shëndetshëm duhet bërë kujdes edhe me ato ushqime, të cilat përmbajnë një sasi të madhe sheqeri, duke favorizuar në këtë mënyrë prishjen e dhëmbëve. Ëmbëlsirat nuk janë të vetmet ushqime që nxisin formimin e acideve dhe kaviteteve. Shumë ushqime që njerëzit i konsiderojnë të shëndetshme, si: lëngjet e frutave, pijet energjike, frutat e thata dhe patatinat e llojeve të ndryshme, përmbajnë sasi të lartë të sheqernave të cilat nxisin kariesin dentar. Gjithashtu edhe pijet freskuese mund të dëmtojnë dhëmbët tuaj. Megjithëse pijet dietetike që përmbajnë sheqerna artificiale, ato mund të jenë të dëmshme për dhëmbët. Këto pije përmbajnë acide të cilat ndikojnë në tretjen e smaltit të dhëmbëve, duke nxitur hiper ndjeshmërinë dhe krijimin e kaviteteve.

Çfarë problemesh mund të shkaktojnë dhëmbët e prishur?

Shumë njerëz mendojnë se dhëmbët eprishur janë normalë dhe nuk krijojnë probleme shëndetësore. Ky fakt nuk është i vërtetë. Dhëmbët e pishur mund të shkaktojnë disa probleme si: − Erë të keqe. − Ngjyrosje të dhëmbëve. − Mbindjeshmëri dhe dhembje. − Vështirësi në ushqyerje. − Infeksione të dhëmbëve. Sipas stomatologëve disa shenja të dhëmbëve të prishur janë: shije e keqe në gojë, mishra të dhëmbëve të enjtur ose të skuqur, gjakosja nga mishrat e dhëmbëve, dhëmbë që lëvizin, dhembje gjatë përtypjes, gurëza në sipërfaqen e dhëmbëve. Nëse keni ndonjë nga këto shenja, drejtohuni menjëherë te mjeku stomatolog. Federata Shqiptare e Stomatologëve rekomandon shtim të kujdesit ndaj higjienës së gojës, për të evituar prekjen nga këto sëmundje.

Përse është e rëndësishme larja e dhëmbëve?

Gjatë natës sasia e pështymës ulet, duke lënë dhëmbët tuaj më pak të mbrojtur nga acidet bakterore. Për këtë arsye larja e dhëmbëve me furçë dhe përdorimi i fillit dentar në mbrëmje është shumë e rëndësishme. Larja e dhëmbëve duhet të zgjasë 2−3 minuta, 2 herë në ditë. Përdorni një furçë me qime të buta dhe përdorni të paktën një herë në ditë fillin dentar. Përdorni shpëlarës goje të fluorizuar, përpara periudhës së gjumit. Pas kësaj procedure përdorni shpëlarës goje të fluorizuar (pyeteni dentistin tuaj). Nuk rekomandohet të ushqeheni pas kësaj procedure. Nëse ndiqni këshillat e mësipërme, ju do të zvogëloni në mënyrë të konsiderueshme rrezikun e kaviteteve dentare.

Cila është mënyra më e mirë për mirëmbajtjen e higjienës së gojës?

Mënyra më e mirë për mirëmbajtjen e higjienës së gojës është larja e dhëmbëve çdo ditë, pas vakteve kryesore të ushqimit ose të paktën 2 herë në ditë, në mëngjes dhe në darkë me furçë dhe pastë dhëmbësh, ndërrimi i shpeshtë i furçës së dhëmbëve, si dhe kontrolli çdo 6 muaj te dentisti. Dentistët rekomandojnë që një furçë dhëmbësh të ndërrohet mesatarisht çdo 3 muaj. Shpëlarja e gojës me ujë pas vakteve ka pak efekt mbi acidet bakterore, megjithëse mund të ndihmojë në eliminimin e mbeturinave ushqimore.

Çfarë është dita botërore e shëndetit të gojës?

Dita Botërore e Shëndetit të Gojës e vendosur nga Federata Dentare Botërore (FDI), organizohet çdo vit më datë 20 mars. Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin si dhe të tregojë rëndësinë e madhe që ka shëndeti oral në shëndetin e përgjithshëm dhe mirëqenien. Higjiena e mirë e gojës është shumë e rëndësishme, pasi ajo favorizon një shëndet të mirë. Fillimisht Federata Dentare Botërore në Kongresin Botëror Dentar (AWDC) të mbajtur në vitin 2007 në Dubai, vendosi datën 12 shtator dhe deri në fund të vitit 2012 kjo datë njihej si Dita Botërore e Shëndetit të Gojës. Këtë vit Federata Dentare Botërore vendosi ndryshimin e kësaj date, duke përcaktuar datën 20 mars. Mesazhi i këtij viti ishte “Dita Botërore e Shëndetit Oral 2014, të promovojmë buzëqeshje të shëndetshme”. Përpjekjet tona do të jenë në mbrojtjen e dhëmbëve të popullsisë në mbarë botën, nga fëmijëria në moshën e rritur. Sipas Shoqatës së Stomatologëve Shqiptarë, sëmundjet e gojës janë më të përhapurat dhe prekin rreth 90% të popullsisë. Ato kanë një impakt domethënës në shëndetin e përgjithshëm të çdo individi.

Vetëm 60% e popullsisë, akses në kujdesin oral

60-90% e nxënësve në gjithë botën vuajnë nga kariesi dentar. Incidenca e kancerit oral shkon nga 1 deri në 10 raste për 100.000 njerëz në shumicën e vendeve. Dhembja e dhëmbit është një ndër arsyet kryesore për mungesat në shkollë të nxënësve në shumë vende. Konsumi i lartë i sheqerit është faktori kryesor i cili mund të sjellë prishjen e dhëmbëve dhe diabetin. Rreth 80% e vdekjeve për shkak të diabetit ndodhin në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta. Në vendet e zhvilluara barra e sëmundjeve orale është në rënie, ndërsa komplikacionet janë më të zakonshme, sidomos te pjesa më e moshuar e popullsisë. Faktorët kryesorë të rrezikut, si përdorimi i duhanit, pasiviteti fizik dhe një dietë e varfër në yndyrë, kripë dhe sheqer, ul ndjeshëm rrezikun për t’u prekur nga sëmundje të ndryshme të gojës. Risku për t’u prekur nga kanceri oral është 15 herë më i lartë kur kombinohen bashkë dy faktorët kryesorë të riskut, duhani dhe alkooli. 90 % e popullsisë së botës do të vuajnë të paktën një herë nga një sëmundje në gojë në jetën e tyre, duke filluar nga kariesi, sëmundjet periodontale, që çojnë në prishjen e dhëmbëve dhe kancerit të gojës. Cila është sëmundja kryesore që prek dhëmbët tanë? Sëmundja kryesore që prek dhëmbët tanë është kariesi, i cili është një infeksion që shkaktohet nga mikrobet që gjenden në hapësirën e gojës. Kariesi dentar është një sëmundje komplekse që shkaktohet nga bakterie dhe mund të lidhet me faktorë të rëndësishëm si:

− Konsumimi i ushqimeve dhe pijeve.

− Larja e dhëmbëve dhe përdorimi i fillit dentar.

− Vullneti juaj për të mbajtur dhëmbët e shëndetshëm. Bakteri kryesor përgjegjës për prishjen e dhëmbëve është Streptokoku Mutans.

Faktorët kryesorë që ndikojnë në shumimin e këtij bakteri dhe që përcaktojnë prishjen e dhëmbëve janë:

1. Dieta juaj.

2. Sasia e fluorit në sipërfaqet e dhëmbëve.

Disa rregulla për një shëndet oral sa më të mirë

1. Mbani një dietë të shëndetshme dhe zgjidhni ushqime nga grupet ushqimore si: Bukë, drithëra, fruta, perime, mish, peshk, qumësht, djath, kos.

2. Përdorni ujë pas ushqimit.

3. Mos konsumoni ushqime të thata dhe me shumë sheqer.

4. Lani dy herë në ditë dhëmbët me pastë me përmbajtje fluori.

5. Përdorni floss dentar (fije dentare) për heqjen e mbeturinave ushqimore mes dhëmbëve.

6. Reduktoni shpeshtësinë e marrjes së karbohidrateve (sheqernave) gjatë ditës.

7. Përdorni furçën e dhëmbëve 3 herë në ditë me pastë të fluorizuar.

8. Bëni kontrolle periodike te dentisti.

9. Ndërroni furçën e dhëmbëve çdo 6 muaj.

Gjithashtu lexo

10 të famshmit që nuk arritën t’i përmbushin standardet e bukurisë në Hollywood (Foto)

Shumë të famshëm duhet t’i përshtaten paraqitjeve të tyre në një kornizë strikte të Hollywoodit …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *