Home / Lajme / Rajon / Serbia synon destabilizimin e Kosovës
Image processed by CodeCarvings Piczard ### FREE Community Edition ### on 2017-01-09 08:44:35Z | http://piczard.com | http://codecarvings.com

Serbia synon destabilizimin e Kosovës

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati e ka cilësuar arrestimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, një akt të padrejtë dhe të dënueshëm.

Sipas tij, lëshimi i fletë arresteve nga Serbia dhe keqpërdorimi i Interpolit është një veprim i qëllimshëm që synon të destabilizojë Kosovën.

Bushati: Akuzat ndaj Ramushit e kanë zanafillën në 2004, kur asokohe kryeministër la detyrën për të shkuar në Hagë për tu ballafaquar me drejtsinë ndërkombëtare. Dy dhomat e Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi e çliruan nga çdo akuzë. Këto janë fakte të njohura botërisht. Për rrjedhojë, lëshimi i fletë arresteve nga Serbia, keqpërdorimi i Interpolit dhe shpërfillja e vendimeve të drejtësisë ndërkombëtare, është një veprim i qëllimshëm që synon të destabilizojë Kosovën, të denigrojë imazhin e një personaliteti dhe përmes tij të njollosë luftën çlirimtare të Kosovës.

Duke komentuar deklaratat e kryeministrit serb Vuçiç dhe të presidentit Nikoliç për ndalimin e Haradinajt, Bushati thotë se ata pretendojnë të nxjerrin kapit politik me Kosovën.

Bushati: Deklaratat e tyre dëshmojnë se jetojnë në të kaluarën e errët, duke bërë pjesë për fat të keq tek ata politikanë që ende mendjonë se mund të nxirret kapital politik me Kosovën. Përdorimi i “viktimologjisë”, si metodë politike, kombinuar me “teatralitetin” dhe “agresivitetin”, mund të prodhojë efekte befasuese në planin afatshkurtër, por është tërësisht kundërproduktive në planin afatgjatë.

Kreu i diplomacisë shqiptare është i mendimit se e gjithë kjo situatë do të ketë impakt në dialogun Kosovë-Serbi.

Bushati: Unë nuk mund të them se cilat do të jenë vendimet e Kosovës. Dialogu është një proces të cilin Shqipëria e ka mbështetur që në krye të herës. Duke besuar se është në të mirë të Kosovës dhe si pjesë e angazhimeve të saj me miqtë e partnerët, me Bashkimin Europian. Ky proces nuk bëhet për të kënaqur Serbinë, por për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy fqinjëve.

Pas gjashtë vite dialog, mendoj se ka ardhur koha për një “rivlerësim të angazhimeve”. BE-ja duhet të jetë së pari e zëshme dhe e angazhuar për të parandaluar qëndrime dhe veprime që minojnë procesin e normalizimit. Duhet po ashtu të jetë më e angazhuar jo vetëm në arritjen e marrëveshjeve, por edhe për të siguruar zbatimin e tyre. Në të kundërt, marrëveshjet do të kthehen në letra pa vlerë. Vini re paqartësinë që ekziston mbi murin që u ngrit në Mitrovicë. Një proces që u nxit e ndërmjetësua nga BE si proces për ndërtimin e urave po rrezikon të kthehet në ndërtim muresh. Siç ndodh në të tilla raste, një mur që kërkon veç pak ditë për t’u ngritur, kërkon vite për t’u kthyer në urë përmes bisedimesh e ndërmjetësimesh diplomatike.

Sa më shumë kalon koha po kristalizohet pikëpamja se Serbia është i llastuari i perëndimit e që në të njejtën kohë flirton me lindjen. Që procesin e dialogut me Kosovën po e koncepton si një mundësi për t’u “rikthyer” në Kosovë, duke vënë në pikëpyetje funksionalitetin e shtetit më të ri të Europës. Dialogu me Kosovën i ka hapur Serbisë dyert e BE-së edhe pse Serbia vazhdon të refuzojë kokëfortësisht të bashkohet me qendrimet e BE-së në politikën e përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë. Kontrasti nuk mund të jetë më i madh kur Kosovës i kërkohen gjykata speciale, i refuzohet lëvizja e lirë me kritere sui generis, i sugjerohen modele strukturash e rregullimesh të cilat, duke qenë të patestuara dhe duke pasur parasysh implikimin agresiv, të vazhdueshëm e të toleruar të Serbisë nga ana e BE-së, mund të rezultojnë të padobishme për funksionimin e saj në të ardhmen.

Rasti Haradinaj ka prekur palcën e Kosovës. Ndaj, nuk do të çuditesha që kjo ngjarje të ndikonte edhe në ecurinë e procesit të bisedimeve. Kush mund të mendojë se mund të shkohet në Bruksel për të rënë dakord për çështje shpesh herë delikate, kur ndërmerren veprime të tilla qëllimshëm destabilizuese? Normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë kërkon mëndjemprehtësi, durim dhe vullnet të vazhduar. Normalizimi nuk do të ndodhë duke krijuar pengesa apo duke ngritur mure aty ku duhen forcuar urat e kontaktet.

I pyetur nëse ky qëndrim i Serbisë zyrtare vërteton deklaratat e politikanëve kosovarë që çështjet mes Kosovës e Serbisë nuk zgjidhen nga takimet e kryeministrit Rama me kryeministrin Vuçiç, ai shprehet:

Bushati: Jean Jaures, udhëheqësi socialist i fillim shekullit XX sugjeronte të dallojmë distancën mes “ideales” dhe “reales”. Ne nuk jemi angazhuar për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë sepse ajo ka ndryshuar qëndrim ndaj Kosovës, edhe pse ne besojmë se procesi i dialogut do të duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve, pajtimin mes tyre dhe në njohjen e ndërsjellë.

Normalizimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, varet nga ecuria e normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë dhe nga zbatimi i angazhimeve të ndërmarra nga kjo e fundit në këtë proces. Në mbështetje të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë do të vijojmë të kërkojmë nga Serbia që të respektojë marrëveshjet e arritura, të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale dhe të inkurajojë komunitetin serb në Kosovë që të marrë pjesë në institucionet legjitime të saj.

Nuk besoj se i ka shpëtuar ndokujt fakti që kryeministri Rama ka thënë për Kosovën në Beograd pikërisht ato që ka thënë në Tiranë, në Bruksel, në Berlin apo në Washington. Natyrisht që frutet e kësaj qasje angazhuese duan kohë të materializohen. Ndonëse kam dëgjuar e lexuar me vëmendje çdo kritikë në këtë drejtim, asnjë prej kritikëve nuk ka paraqitur deri tani një platformë alternative për të përfocuar bashkëpunimin rajonal dhe për të promovuar rrugëtimin europian të Ballkanit Përendimor.

Ministri i Jashtëm ka komentuar dhe zhvillimet në politikën e Maqedonisë.

Bushati: Partitë parlamentare shqiptare kanë përgjegjësinë e madhe, por edhe shansin që t’i japin Maqedonisë një shumicë të qëndrueshme dhe të ndikojnë që vendi të dalë nga kriza, të rifutet në rrugën e reformave e procesit të integrimit euro-atlantik. Me votën e tyre, zgjedhësit u kanë kërkuar aktorëve politike, të të dy komponentëve shtetformues të Maqedonisë, një kontratë të re për vendin.

Pikërisht këtë u kemi thënë aktorëve politikë shqiptarë: të tregohen në lartësinë e momentit, të marrin përgjegjesitë që u takojnë, të respektojnë kërkesat e elektoratit të tyre, të ngrihen mbi dasitë ideologjike dhe të bashkohen përmes një programi që shkon në të mirë të zgjedhjesve të tyre dhe Maqedonisë.

Në këtë kontekst, ne mbështesim marrëveshjen e partive parlamentare shqiptare, e cila përbën një platformë të qartë e koherente në respekt të frymës se barazisë në Maqedoni. Ne mbështesim gjithashtu krijimin e Tryezës Ndërpartiake si një mekanizëm koordinimi e harmonizimin të aksionit politik dhe për komunikimin e brendshëm dhe të jashtëm.

Platforma thekson frymën e Marrëveshjes të Ohrit, një gur themeltar për stabilitetin dhe zhvillimin e Maqedonisë, dhe nevojën e masave për të avancuar drejt forcimit të Maqedonisë europiane, demokratike dhe shumëetnike.

Gjithashtu lexo

Bashkimi emocional pas 3 vjetësh, i fëmijës së rrëmbyer nga ISIS, me familjen e tij (Video)

Një djalë 12-vjeçar jazidi është bashkuar me nënën e tij në Kanada tre vjet pasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *