Home / Kryesoret / Shqiptarët nuk heqin dorë nga kërkesat
Image processed by CodeCarvings Piczard ### FREE Community Edition ### on 2017-01-10 18:58:43Z | http://piczard.com | http://codecarvings.com

Shqiptarët nuk heqin dorë nga kërkesat

Bisedimet formale mes VMRO-DPMNE-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim si fitues në bllokun politik shqiptar, nuk kanë filluar…

Por, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka deklaruar tashmë për disa media se fillimisht do të fillojnë bisedimet me partinë e parë që ka marrë mandat. Ahmeti ka hedhur poshtë zërat se bisedimet tashmë kanë filluar duke pohuar se deri tani nuk ka pasur asnjë takim zyrtar.

Nga Lëvizja BESA janë me qëndrim të qartë. Kombinatorikë e mundshme për formim të qeverisë me partinë maqedonase që ka më shumë mandate mund të ketë vetëm atëherë kur VMRO-DPMNE të pastrohet nga njerëzit e inkriminuar dhe publikisht dalin dhe thonë se pranojnë ridefinimin e shtetit, por edhe kërkesat tjera të kësaj partie.

“Gjatë kësaj kohe, por edhe gjatë fushatës, VMRO-DPMNE bashkë me kryetarin e saj, Nikolla Gruevskin, disa herë kanë shfaqur haptazi kundërshtime me parimet elementare të Lëvizjes BESA, siç janë ridefinimi i shtetit, përkrahja për Prokurorinë Speciale, si dhe parime tjera, siç është: nuk hymë në koalicion me njerëz që janë të inkriminuar. Nëse VMRO pastrohet nga njerëzit e inkriminuar dhe publikisht dalin dhe thonë se ne pranojmë ridefinimin e shtetit dhe jemi për vazhdimin e mandatit dhe funksionimin normal të PPS-së, atëherë do të vinim në një situatë normale që të diskutonim a ka gjasa që të flitet për ndonjë ofertë, nëse mendojnë se BESA mund të jetë pjesë e ndonjë kombinatorike për formim të qeverisë”,- tha Afrim Gashi nga Lëvizja BESA.

Nga “Aleanca për shqiptarët” thonë se është moment i duhur që partitë politike shqiptare të veprojnë bashkërisht edhe pse mandatari, Nikolla Gruevski, nuk premton shumë, sepse që nga fillimi është kundër kërkesave prioritare të partive shqiptare.

“Insistimi ynë i vazhdueshëm ka qenë që të bëjmë unifikimin e spektrit politik shqiptar dhe prandaj kemi dhënë një kontribut mjaft të madh si Aleancë.  Mendoj se bisedimet duhet të formohen në formë të përbashkët, megjithatë ne i kemi dilemat tona për mandatarin aktual, Nikolla Gruevskin, duke ju referuar të gjitha deklaratave, sidomos atyre të fundit, që kanë të bëjnë me kontestimin e tij të deklaratës së përbashkët të partive shqiptare, me theks në elementin e gjuhës shqipe, si dhe rezervat e tij ndaj PPS-së për ta vazhduar mandatin e saj, që e vështirësojnë ose të them e pamundësojnë një bisedim të tillë me Nikolla Gruevskin”,- u shpreh përfaqësuesi i Aleancës, Flakron Bexheti.

Nga PDSh thonë se liria, barazia dhe drejtësia fitohen vetëm me ndryshimin e statusit juridiko-kushtetues të shqiptarëve në Maqedoni, me Parlament dydhomësh, me vendimmarrje konsensuale mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe më e rëndësishmja me ndarje të drejtë dhe të barabartë të buxhetit.

PDSh thotë se “shqiptarët do të ndjeheshin të barabartë vetëm me atë partner koalicioni që i pranon këto pika, bashkë me to edhe zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe në të gjithë territorin, regjistrim të popullatës, deetnizim të simboleve, ndarjen e re territoriale, decentralizimin e mirëfilltë në kompetenca dhe në financa, amnistinë e plotë për të burgosurit në procese të montuara politike… Vetëm kështu flitet për barazi në qeverisje”,- thonë nga PDSH.

Gjithashtu lexo

Tym, zjarr e mbeturina në komunat shqiptare, politikanët bëhen gati për fushatë,rinia pa shpresa

Partitë shqiptare në Maqedoni kanë filluar përgatitjen për fushatën e zgjedhjeve lokale të cilat pritet …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *