Home / Lajme / Rajon / Tahiri letër INTERPOL-it: Anuloni urdhër-arrestin për Haradinajn (FOTO LAJM)

Tahiri letër INTERPOL-it: Anuloni urdhër-arrestin për Haradinajn (FOTO LAJM)

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, përmes një letre dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të INTERPOL-it, Jurgen Stock, kërkon rishqyrtimin dhe rivlerësimin e Urdhër-Arrestit ndërkombëtar për z. Ramush Haradinaj.

“Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të institucionit që unë drejtoj, të shpreh konsideratën më të lartë për punën tuaj si dhe t’ju falenderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer me policinë e shtetit shqiptar gjatë vitit të kaluar.

Nga ana tjetër, kam ndjekur me shqetësim të madh arrestimin e ish-kryeministrit të Kosovës, njëherazi dhe një nga udhëheqësit e luftës së Kosovës kundër genocidit serb, z. Ramush Haradinaj, në Paris në datë 4 janar 2017, në zbatim të një Urdhër-Arresti të INTERPOL-it”, shkruan ministri.

 Ministri Tahiri thekson në letër se zbatimi i këtij urdhër arresti, cënon parimet themelore të drejtësisë penale, si edhe të drejtat e njeriut

Haradinaj, subjekt i këtij Urdhër-Arresti është hetuar, gjykuar dhe gjetur i pafajshëm nga Gjykata për Krimet e Luftës në Ish-Jugosllavi, me seli në Hagë, një autoritet gjyqësor ndërkombëtar i posaçëm që ka marrë një vendim për pafajësinë e tij, pas një procesi të gjatë e të drejtë, në përputhje me të gjitha normat ndërkombëtare të drejtësisë penale.

Gjykimi dy herë për të njëjtën vepër penale është në kundërshtim të hapur me këto parime dhe në shkelje të të drejtave të njeriut, si dhe, në këtë rast, një precedent që bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare”, vë në dukje Tahiri.

Ministri nënvizon se Urdhër-Arresti ka gjithashtu probleme formale dhe proceduriale, duke renditur 3 prej tyre.

“Në këtë Urdhër-Arrest, z. Ramush Haradinaj konsiderohet ende shtetas i Republikës Federative të Serbisë dhe Malit te Zi, entitet shtetëror i cili ka pushuar së ekzistuari që në vitin 2006; më lejoni gjithashtu t’ju rikujtoj se personi subjekt i Urdhër-Arrestit ndërkombëtar në datë 6 qershor 2005 është ndaluar më parë nga autoritetet sllovene, bazuar në të njëjtin Urdhër Arresti dhe është liruar menjëherë pasi autoritetet e kanë konsideruar atë si të pazbatueshëm; është e nevojshme gjithashtu të rivlerësohet nëse Urdhër-Arresti ndërkombëtar plotëson kriteret e përcaktuara nga neni 3 i Kushtetutës së Interpol nga Konventa Evropiane për Ekstradimin”, pohon ministri i Brendshëm në letër. /albeu.com/

Gjithashtu lexo

Emigranti shqiptar gjen portofolin me dollarë në New York dhe ia dorëzon të zonjës

Një emigrant nga Dibra e Madhe, i cili jeton në Staten Island, Nju Jork, ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *