Home / Lajme / Botë / Trump deklarohet për protestat e grave kundër tij

Trump deklarohet për protestat e grave kundër tij

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thotë se “e njeh të drejtën” e qindra mijëra njerëzve në gjithë botën, që protestuan në mbështetje të “Marshit të grave”, në Uashington kundër tij.

“Protestat paqësore janë simbol i demokracisë sonë”, thotë Trump nëpërmjet në postimi të dielën në Twitter dhe shton “megjithëqë unë nuk pajtohem çdoherë, e njoh të drejtën e njerëzve për t’i shprehur pikëpamjet e tyre”.

Toni i këtij postimi dallonte nga një shkrim sarkastik që ishte postuar disa orë më parë, ku theksohej se “i ka parë protestat, por kishte ndjenjën se ne sapo kishim zgjedhje” dhe shton se “për çfarë arsye këta njerëz nuk votuan”.

Me këtë rast, presidenti Trump kritikoi edhe disa personalitete të njohura, që morën pjesë në marsh, duke thënë “ata e kanë dëmtuar rëndë çështjen”.

Këto ishin komentet e para të administratës së presidentit Donald Trump, lidhur me afro një milion njerëz, që vlerësohet se kanë demonstruar në marshet në Uashington dhe qytetet e tjera të Shteteve të Bashkuara dhe në gjithë botën më 21 janar, një ditë pasi Trump ishte inauguruar në postin e presidentit amerikan.

Raportohet se në protestën e femrave në Uashington merrnin pjesë më tepër njerëz se sa në inaugurimin presidencial, që u mbajt në ndërtesën Kapitoll në Uashington.

Raportet se në inaugurimin e parë të presidentit Barack Obama, kishin marrë pjesë më shumë njerëz, ka shkaktuar kritika të ashpra nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, i cili ka insistuar se mediet në mënyrë të rrejshme kishin raportuar për numrin e masës së njerëzve dhe se në inaugurimin e presidentit Trump ka marrë pjesë numri më i madh i njerëzve në histori.

Në këtë kuadër, është shprehur edhe Kellyanne Conway, këshilltare e lartë e presidentit Donald Trump, duke theksuar se kur zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, ka folur për numrin e rrejshëm të pjesëmarrësve në inaugurim nga mediet, ai nuk ka dhënë numra të falsifikuar, por “fakte alternative”.

Por, fotografitë nga ajri kanë treguar se masa e njerëzve në inaugurimin e Donald Trumpit ishte më e vogël se ajo me rastin e inaugurimit në vitin 2009, kur betimin për në Shtëpinë e Bardhë e dha Barack Obama, presidenti i parë me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara.

Shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Reince Preibus, i ka cilësuar si “sulme” raportet për inaugurim, raporton REL.

“Qëllimi nuk është madhësia e masës”, tha Preibus dhe shtoi se “qëllimi ishin sulmet dhe përpjekjet për delegjitimimin e këtij presidenti në një ditë”.

Në këtë kuadër, zoti Priebus i tha rrjetit Fox News se “ne nuk do të rrimë dhe ta pranojmë këtë”.

Ky zyrtar i lartë i presidentit të 45 amerikan, Donald Trump, ishte, po ashtu, i shqetësuar për raportin se administrata Trump e ka larguar shtatoren e ikonës së të drejtave civile, Martin Luther King, nga Zyra Ovale, në favor të shtatores së ish-kryeministrit britanik, Winston Churchill, duke e kthyer një lëvizje që ishte bërë nga ish-presidenti, Barack Obama.

Por, në fakt, shtatorja nuk ishte larguar nga Zyra Ovale dhe raporti më vonë ishte përmirësuar.

Reince Preibus tha se administrata e presidentit Donald Trump, “do të luftojë” me të gjitha mjetet e mundshme kundër asaj që ai i cilësoi si “sulme” të medieve.

Këshilltarja Conaway më vonë ka deklaruar se presidenti Trump, nuk do t’i publikojë taksat e tij, duke e thyer kështu traditën e gjatë të presidentëve amerikanë, që i bëjnë publike tatimet e tyre.

Gjithashtu lexo

Pakistan: Vdesin gjashtë ushtarë pas shpërthimit të bombës

Një bombë rrugore, e cila ka pasur cak një konvonj me trupa ushtarake në jugperëndim …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *