Home / Lajme / Rajon / Nëntë vjet shtet
Image processed by CodeCarvings Piczard ### FREE Community Edition ### on 2017-02-17 08:51:34Z | http://piczard.com | http://codecarvings.com

Nëntë vjet shtet

Kosova shënon sot nëntëvjetorin e pavarësisë së saj. Shteti më i ri evropian vazhdon të mbetet i izoluar, pa liberalizimin e vizave, por “krenohet” me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si hapin e parë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Fitorja e xhudistes Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike në Rio

Kosova, është bërë pjesë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, e Fedeartës Evropiane të Futbollit – UEFA dhe e Federatës Botërore – FIFA.

Me gjithë ngecjet në funksionimin e saj si shtet, për këto nëntë vjet, Kosova identifikohet në botë me shumë figura të sportit e kulturës, si “ambasadorët” më të mirë të saj.

Xhudistja Majlinda Kelmendi, është kurorëzuar me titullin kampione bote dhe kampione olimpike. Shumë futbollistë nga Kosova, sot janë idhuj të adhuruesve të sportit më të popullarizuar, qoftë në Zvicër, Shqipëri deri në sknadinavi.

Kurse, në botën e muzikës, Kosova sot admirohet në mbarë botën kur përmenden emrat si Rita Ora, Dua Lipa apo Era Istrefi.

Por, tregimi i bukur për Kosovën, zbehet kur shihet ana tjetër e zhvillimit të brendshëm, funksionimit të institucioneve dhe pafuqia në vendimmarrje.

Edhe nëntë vite nga shpallja e pavarësisë, Kosova po përballet me sfidat e shtrirjes së sovranitetit në pjesën veriore, të populluar nga shumica serbe, ku ndikimi i Serbisë mbetet ende i fuqishëm.

Kurse në planin e jashtëm, Kosova ende nuk e ka rrumbullakuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar, duke mos e vën në plan afatshkurtë mundësinë e anëtarësimit të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Kosova, ka proklamuar si orientim integrimet euro-atlantike. Por, evropianët e rinj, mbeten më të izoluarit e Evropës, jashtë procesit të liberalizimit të vizave. Kurse proklamimi për integrime evropiane, sfidohet bindshëm nga pesë vendet anëtare të BE-së të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Ndërhyrjet e Serbisë në pjesën veriore, mbajtja e strukturave paralele të pushtetit dhe diplomacia agresive kundër shtetit të Kosovës, kishte shtyrë BE-në që në vitin 2011 të niste një dialog midis Prishtinës dhe Beogradit, i cili si synim ka normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Dialogu, po vazhdon ende, por përmbyllja e procesit me normalizim të marrëdhënieve nuk duket të jetë afër.

Paraprakisht, Kosova kishte fituar betejën e parë ndërkombëtare ndaj Serbisë, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 22 korrik të vitit 2010 kumtoi verdiktin, sipas të cilit, shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte legjitime dhe në harmoni me të Drejtën Ndërkombëtare.

Në aspektin e brendshëm, dy vitet e fundit Kosova ndodhet buzë kolapsit në vendimmarrje. Raportet pushtet – opozitë, kanë rrezikuar seriozisht vendimmarrjen, madje edhe për çështjet e cilësuara si interes nacional, siç është liberalizimi i vizave, për çka pushteti dhe opozita nuk arritën të vendosin as një komunikim normal për tejkalimin e krizës.

Krahas funksionimit jo efikas të institucioneve, mungesa e sundimit të ligjit, sidomos në planin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit mbeten kritere ende të papërmbushura në nivelin e kënaqshëm, çka potencohet edhe nga Bashkimi Evropian.

Në raportin e fundit të Transparency International, Kosova rënditet vendin e 95-të, në mesin e 178 vendeve të vlerësuara. Luftimi i kësaj dukurie është po ashtu kusht që Kosova të marrë liberalizimin e vizave.

Me një rritje ekonomike prej rreth 4 për qind, Kosova nuk po arrinë të zbus papunësinë dhe varfërinë.

Sipas shifrave zyrtare, shkalla e papunësisë në Kosovë arrin në 26.2 për qind. Kurse, për çdo vit, në tregun e punës hyjnë 25 deri 30 mijë të rinj. Ndërkohë që shifrat jo zyrtare, flasin për një shkallë shumë më të lartë të papunësisë.

17 shkurt 2008, në pritje të shpalljes së pavarësisë

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, duke i dhënë fund një kapitulli të gjatë të shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë.

Deklarata e pavarësisë, u bazua në Planin Gjithëpërfshirës të presidentit Marti Ahtisaari, si dokument i koordinuar mes autoriteteve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian, që e njohën shtetin e Kosovës.

Shpalljes së pavarësisë, i kishte paraprirë faza e vendosjes së Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, në qershor të vitit 1999, mbi bazën e rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit, e arritur si kompromis ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe perëndimit në njërën anë dhe Rusisë në anën tjetër.

Vendosja e Kosovës nën administrimin e OKB-së (misionit të UNMIK-ut), pati pasuar konfliktin e armatosur dhe fushatën e regjimit serb të Sllobodan Millosheviqit për spastrimin etnik të Kosovës, nga shqiptarët, çka kishte nxitur fushatën ajërore të NATO-s, mbi caqet serbe.

Gjithashtu lexo

Tiranë: Vret bashkëshorten e më pas vetëvritet – (VIDEO)

Një telefonatë e mbërritur paraditen e së dielës në numrin e emergjencave 112, ka lajmëruar …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *