Home / Lajme / Botë / SHBA – Apeli lë në fuqi pezullimin e urdhrit të Presidentit për emigracionin

SHBA – Apeli lë në fuqi pezullimin e urdhrit të Presidentit për emigracionin

Donald Trump e ka humbur betejën gjyqsore sa i përket planit të tij për emigrantët edhe në Gjykatën e Apelit, teksa trupa gjykuese me një vendim unanim 3-0, nuk ka pranuar që të mbështesë riaktivizimin e platfomës së Presidentit për emigracionin. Ky vendim nuk është pritur mirë nga lideri i Uashingtonit, i cili tha se bëhet fjalë për një verdikt me prapavijë politike dhe se do t’a dërgojë çështjen në Gjykatën Supreme. Vendimi i kësaj gjykate do të jetë përfundimtar dhe palët nuk do të kenë më mundësi për të apeluar.

Gjykata e Apelit në Shtetet e Bashkuara ka refuzuar kërkesën e Presidentit Donald Trump për të riaktivizuar planin e tij të papreçedent, i cili parashikonte ndalimin e hyrjes në SHBA për 90 ditë të emigrantëve që vijnë nga shtatë vende me shumicë popullsie myslimane si dhe pezullim tërësor të politikave për emigracionin në një afat 120 ditor.

Apeli vendosi që të mos e bllokojë verdiktin e dhënë Gjykata Federale e Seattle-it, e cila u shpreh kundër urdhrit ekzekutiv nga lideri i Uashingtonit.

Trupa gjykuese e përbërë nga tre antarë votoi 3-0 në favor gjyqtarëve të Seattle-it. Ky vendim nënkupton se shtetasit nga Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni do të mund të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara në rast se disponojnë viza.

Gjithashtu, këtë gjë mund t’a bëjnë të gjithë shtetasit e tjerë në mbarë botën.

Vendimi i Gjykatës së Apelit nuk është pritur aspak mirë nga Presidenti Donald Trump, i cili preferoi që të reagonte nëpërmjet rrjetit social twitter.

Lideri i Uashingtonit shkroi: ‘Shihemi në Gjykatë, pasi flitet për sigurinë tonë kombëtare’.

Në këtë mënyrë, Presidenti amerikan ka lënë të kuptohet se Shtëpia e Bardhë nuk ka ndërmend të dorëzohet me kaq dhe se do t’a dërgojë çështjen në gjykatën më të lartë amerikane, e cila është pikërisht Gjykata Supreme.

Trupa gjykuese më pas do të marrë një vendim përfundimtar për të cilin palët nuk do të kenë mundësi që të apelojnë.

Në komnetet e bërë prej tij, Trump lëshoi edhe njëherë akuza ndaj pushtetit gjyqësor, duke u shprehur se ky ishte një vendim politik që kërcënon sigurinë e qytetarëve amerikanë.

Politikat e liderit të Shteteve të Bashkuara janë pritur me kritika të ashpra nga qytetarë të shumtë të cilët kanë protestuar në vende të ndryshme.

/Oranews.tv/

Gjithashtu lexo

Pakistan: Vdesin gjashtë ushtarë pas shpërthimit të bombës

Një bombë rrugore, e cila ka pasur cak një konvonj me trupa ushtarake në jugperëndim …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *