Home / Kryesoret / Tetova si Las Vegasi

Tetova si Las Vegasi

Rreth 50 kazino në një qytet me 200 mijë banorë, kështu është Tetova. Sipas disa të dhënave, kazinot dhe lojërat e fatit jo rrallë herë janë cak edhe i grup-moshave të reja.

Sociologu Ali Pajaziti për Gazetën Express tha se rritja e numrit të kazinove është simbol i varfërisë permanente tek shqiptarët. Edhe Pajaziti thotë se grup-mosha që rrezikohet më së shumë nga kjo dukuri është rinia.

“Hapja e kazinove dhe lokaleve të shumta të lojërave të fatit në Tetovë, por edhe gjetkë nëpër vendbanimet shqiptare flet për dukurinë e varfërisë, që ka kapluar popullatën vendore e cila mundohet dhe kërkon alternative për të siguruar mjete për jetesë përmes aparateve që japin para e pasurim me një “click” e që në fakt ofrojnë vetëm thellim në oqeanin e mjerimit. Pra kemi të bëjmë me një botë iluzore që po përhapet si orteku që po përfshin në veçanti pjesën më vitale të shoqërisë, rininë, e cila për fat të keq tanimë punën, djersën e derdhur për kafshatë ka filluar t’i perceptojë si diçka “demode”, e tejkaluar.“ tha, Sociologu Ali Pajaziti.

Kazinot po dhe bastoret po e konsumojnë pamëshirshëm kafshatën e fëmijëve të varfër thotë, sociologu Ali Pajaziti.

“Objektet e quajtura kazino dhe bastore janë vjedhëset e ardhmërisë sonë, janë instanca që mashtrimin e kanë mjet benefiti dhe përfitimi ekonomik dhe përhapja e tyre është e barabartë me një atak virtuel ndaj shtresave të ndryshme shoqërisë që kur janë duke u fundosur kapen për kashte. Sociologjikisht, çdo kazino është një kazermë qytetarësh pasivë dhe e konsumuesve të buxhetit familjar.” shtoi Pajaziti.

Se këto kazino dhe bastore vizitohen nga persona të mitur e thotë edhe vet policia e Tetovës. Një një apel të lëshuar para 1 muaji, policia e Tetovës thotë se shpesh rastisin në thyerjen e ligjit ose në të mitur që luajnë loja fati, qoftë në kazino ose bastore.

“Disa vite më parë, në rajonin më të gjerë të Pollogut, veçanërisht në Tetovë dhe Gostivar, është rritur shumë numri i bastoreve sportive dhe kazinove, në të cilat çdo ditë dhe veçanërisht gjatë vikendit, qëndrojnë gjithnjë e më shumë persona, të cilët janë jashtëzakonisht të dhënë, gjegjësisht të varur pas lojërave të fatit dhe në bastoret sportive mbushin dhe paguajnë tiketa me kombinime nga më të ndryshimet. Në mesin e atyre të cilët i vizitojnë këto objekte, parasegjithash bastoret sportive, shpesh për fat të keq mund të vërehen edhe të mitur, edhe pse ata në asnjë mënyrë nuk mundet dhe nuk guxojnë që të marrin pjesë në lojërat e fatit, në pajtueshmëri me Ligjin e lojërave të fatit dhe lojërave zbavitëse”, thuhet në apelin e Policisë së Tetovës.

Në ndërkohë, qytetarët e Tetovës të revoltuar me këtë dukuri, kanë ndërmarrë disa iniciativa për mbylljen e kazinove, si kjo që shihet në foto.

Vetëm në lagjen e studentëve në Tetovë, muajin e fundit janë hapur 2 kazino të reja.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *