Home / Kryesoret / Biznesi i dasmave arrin në 100 milionë euro

Biznesi i dasmave arrin në 100 milionë euro

Me miliona euro harxhohen për çdo vit në Maqedoni për dasma, shkruan gazeta KOHA. Edhe përkundër shkurtimit të mjaft riteve të vjetra si dhe kursimeve në shpenzimet e dasmës të imponuara nga kriza ekonomike, prapëseprapë dasmat janë ceremoni tradicionale, për të cilat mjaft familje futen edhe në borxhe të mëdha, vetëm e vetëm për të organizuar një dasmë, për të mbledhur farefisin, por edhe shoqërinë e gjerë për të celebruar kurorëzimin e çiftit të ri.

Harxhimet e dasmave varen nga numri i mysafirëve të ftuar, kostoja për ushqimin që mund të shkojë edhe deri në 50 euro për menytë më të shtrenjta, harxhimet për yjet e estradës që lëvizin prej 1500 deri 6000 euro, stolitë e arit që kushtojnë prej 1000 deri 10.000 euro, fustanin e nusërisë që kushton prej 150 deri 3000 euro e kështu me radhë.

10 MIJË EURO PËR NJË DASMË

Edhe pse është vështirë që në mënyrë të saktë të përllogariten të hollat që qytetarët e Maqedonisë ndajnë për harxhimet e dasmave për çdo vit, megjithatë në mesatare në shtet harxhohen nga 10 mijë euro për një aheng familjar. Nëse marrim parasysh se një dasmë modeste kushton së paku 5 mijë euro, ndërsa një dasmë më e shtrenjtë kushton së paku 20 mijë euro, por edhe faktin se kemi edhe mjaft dasma me harxhime modeste, mund të themi se në mesatare në Maqedoni harxhohen së paku 10 mijë euro për një dasmë., përcjell KOHA

Një dasmë modeste fillon me 5 mijë euro, duke llogaritur menynë prej 8 euro për 300 të ftuar, stolitë e arit prej 1000 euro, muzikën prej 1500 euro për një këngëtar dhe fustanin e bardhë prej 200 euro. Nga ana tjetër, dasmat më të shtrenjta fillojnë me harxhimin për 15 euro për 400 mysafir që kushton 6000 euro, stolitë e arit që në rajonin e Pollogut kushtojnë  së paku 8000 euro, muzikën prej 4000-5000 euro, si dhe harxhimin për fustanin e nuses prej 1000 euro, del se një dasmë më luksoze kushton së paku 20 mijë euro. Këtu duhet shtuar edhe më mijëra euro të tjera që harxhohen për zbukurimin e nuses, rrobat e dhëndrit, dhuratat e ndryshme, harxhimet për incizimin me kamerë të dasmës, zbukurimin me balona dhe lule të sallonit të dasmës e kështu me radhë.

14 MIJË MARTESA NË VIT

Sipas të dhënave të Entit të Statistikës së Maqedonisë, për çdo vjet lidhen nga 14 mijë martesa. Nëse marrim parasysh se së paku një e treta e këtyre martesave kalojnë në mënyrë modeste me harxhime të vogla dhe vetëm me ndonjë drekë për rrethin e ngushtë familjar, ndërsa për pjesën e tjetër të mbetur prej 10 mijë martesash në mesatare harxhohen nga 10 mijë euro, del se së paku 100 milionë euro harxhohen për çdo vit në Maqedoni për biznesin e dasmave.

Nga dyqanet e fustaneve të bardha në Shkup, thonë se çmimet e fustaneve më të lira dhe më luksoze lëvizin prej 150 euro dhe deri në 3000 euro, ndërsa në mesatare kushtojnë 350 euro. Kjo do të thotë se vetëm për fustane të bardha në vit në Maqedoni harxhohen afër 5 milionë euro nëse llogaritet numri i martesave vjetore.

BIE BLERJA E ARIT

Lidhur me harxhimet për stolitë e nuses, ato në mesatare vetëm për rajonin e Shkupit lëvizin prej 60-70 mijë denarë. “Në parim, ka rënie të kërkesës për blerjen e floririt për dasma në Shkup dhe rrethinë si në vendbanimet urbane ashtu edhe rurale. Kohët e fundit, të gjithë çiftet e reja, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, orientohen në blerjen e stolive elegante të arit që është edhe e bukur në pamje, gjegjësisht dominon estetika dhe pamja vizuale, ku për një komplet harxhohen diku 1000 euro për një dasmë nëse flasim vetëm për rajonin e Shkupit “, thotë artari Muhedin Brava. Në ndërkohë, ekzistojnë edhe çifte që preferojnë të organizojnë vetëm një drekë solemne për familjarët më të ngushtë apo edhe ato që preferojnë pushime dyjavore për muajin e mjaltit në vend të dasmës tradicionale. Ndryshe, ndër harxhimet e dasmës llogariten edhe grumbujt e parave të përfituara nga bakshishet në dasmat tradicionale shqiptare, ku përveç pagesës për të kënduar gjatë natës, janë fitimet e pallogaritshme që këngëtarët shqiptarë marrin nga ahengjet e verës. Festat familjare, duke përfshirë edhe dasmat, janë bërë praktikë që të organizohen kryesisht gjatë kohës së pushimeve. E për këtë ditë të rëndësishme të jetës, paraja derdhet lumë për këngëtarët që mbajnë gjallë natën, kryesisht ata të muzikës popullore.

Në Maqedoni, në mesatare kostoja e grupeve muzikore dhe këngëtarëve apo këngëtareve që këndojnë nëpër dasmat lëviz prej 1000-3000 euro me përjashtim të yjeve të estradës që këndojnë edhe për shumë më të mëdha se 5000 euro.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *