Home / Sport / De Biasi në telashe të mëdha para ndeshjes me Italinë (Foto)

De Biasi në telashe të mëdha para ndeshjes me Italinë (Foto)

Përveç mungesës së tre yjeve, Etrit Berishës, Mërgim Mavrajt dhe Berat Gjimshitit, Gianni De Biasi ka telashe të mëdha me lojtarët e terë të Kombëtares, të cilët nuk po luajnë në skuadrat t tyre

Nëse për ndeshjen me Italinë mund të mendoni se mungesat e Etrit Berishës, Mërgim Mavrajt dhe Berat Gjimshitit janë i vetmi shqetësim, atëherë gaboheni. Ky, nuk është i vetmi problem me të cilin duhet të përballet Gianni de Biasi për këtë takim.

Lehtësisht mendja shkon te forma e lojtarëve të Italisë, të cilët janë thuajse të gjithë në shpërthim dhe duke kaluar formë shumë të mirë. Për fatin tonë të keq, kjo nuk gjen të njëjtin nivel në skuadrën tonë kombëtare.

Mbase, kjo mund të jetë forma më e dobët e kuqezinjve përpara një ndeshjeje kualifikuese, referuar mungesës së tre titullarëve dhe faktit që disa të tjerë nuk po luajnë me ekipit e tyre, apo edhe ka prej tyre që sapo kanë nisur fazën e dytë të kampionateve.

FORMA

Në 11-shen bazë të Kombëtares, shumë nga lojtarët janë jashtë formës. Disa prej tyre nuk luajnë prej muajsh, të tjerë janë jashtë forme ndërkohë që ka edhe futbollistë që sapo kanë nisur sezonin. Ermir Lenjani është jashtë skuadrës së Renesit, kjo jo për faj të mesfushorit shqiptar, por për shkak të sjelljes aspak profesionale të stafit të skuadrës franceze që e lë jashtë në çdo ndeshje, ndërkohë që fare mirë mund të kishte lejuar largimin gjatë afatit kalimtar të janarit.

Jashtë forme janë edhe Arlind Ajeti, qendërmbrojtësi i vetëm natyral i Kombëtares i gatshëm për këtë takim, por edhe Abrashi i cili po qëndron shumë në stol gjatë këtij edicioni. Jahmir Hyka është tashmë në Amerikë, por ka nisur sezonin prej fare pak ditësh.

Gjithashtu, edhe Llullaku, Balaj e Roshi janë thuajse në të tillë situatë, pasi kanë nisur vitin prej fare pak ditësh. Kjo, jo domosdoshmërisht është tregues negativ për formën e tyre nga përfundimi i fazës përgatitore, por gjithsesi kanë pak minuta në këmbë në krahasim me të tjerë lojtarë, shkruan Panorama Sport.

Sokol Cikalleshi, krahas dëshirës dhe vullnetit për të qenë në formën më të mirë, i dihet të përballet edhe me një dëmtim që po e lë pas. Rey Manaj është në kërkim të golit me Pizën, ndërkohë që Edgar Çani e ka të vështirë të fitojë minutash të plotë, pikërisht në rivalitet me sulmuesin kuqezi, Manajn.

SHPRESA

Ndonëse Italia është një nga skuadrat më të forta të grupit, referuar formës së përgjithshme të lojtarëve, kuqezinjtë e De Biasit kanë në favor treguesit e disa prej titullarëve, ndonëse janë minorancë në 11-tëshen baze. Thomas Strakosha dhe Alban Hoxha, po luajnë rregullisht (në Serinë A dhe në Superligë) që është një shenjë pozitive për trajnerin, cilindo që do të zgjedhë prej tyre.

Në krahët e mbrojtjes, si kapiteni Ansi Agolli por edhe Elseid Hysaj, jo vetëm që po luajnë rregullisht me ekipet e tyre dhe në nivelet maksimale, por kanë treguar formë të mirë. Gjithashtu, në mesfushë, Taulant Xhaka dhe Migjen Basha po shfaqen mirë, respektivisht me Bazelin dhe Barin.

Një tjetër futbollist me formën e duhur është edhe Burim Kukeli, por mesfushorit mund t’i duhet që të rikthehet në prapavijë për të bërë rolin e qendërmbrojtësit

Në sulm, Armando Sadiku shihet si shpëtimi i kuqezinjve për këtë takim. Kjo, për vetë formën e mirë që po kalon te Lugano, ku ka shënuar 4 gola në pesë takime. Eros Grezda dhe Endri Çekiçi janë dy të rinj me shumë perspektivë që po luajnë vazhdimisht te Lokomotiva e Zagrebit dhe do të ishin alternativa cilësore për këtë grumbullim, nisur nga minutazhi me skuadrat.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *