Home / Kryesoret / Dehari 4 vite në krye të Kërçovës, pranon se ka mundur të bëjë edhe më shumë

Dehari 4 vite në krye të Kërçovës, pranon se ka mundur të bëjë edhe më shumë

Kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari përmes një shkrimi ka rikujtuar 4 vjetorin e fitores së tij si kryetar komune dhe sfidat që është përballur gjatë mandatit.

Ja letra e plotë:

Të dashur baskëvendas të mi. Sot, po rrumbullakësohet i katri vit që kur ma besuat mandatin për të bërë atë që nuk ish bërë kurrë, ose thënë ndryshe, atë që të tjerët e kishin stërkequr për të mos ngjarë asnjëherë në qenësinë shqiptare. Por, uragani Juaj ishte përgjigja e vërtetë, bindja e plotë se e drejta edhe mund të vonohet, por ajo si një feniks vjen e shfaqet sërisht për të zënë fronin e vet. Kjo tmerroi të kundërtën e bardhësisë që e reflekton e vërteta absolute.

Ardhja Juaj për të më mbeshtur mua, ishte dëshmia e ekzistencës së fuqisë Suaj, e vendosmërisë për të sjellë fitoren meritore Tuajën, sepse Ju shfaqët vlerën e madhështisë shqiptare, të mençurisë , të vullnetit të madh e të lotit të gëzimit, ndërsa unë isha vetëm një emër i juaji, një zë i kushtrimit Tuaj e asgjë më tepër. Ju erdhët të vulosni tapinë e Uskanës së lashtë në shtizën e së cilës valvitët flamurin e mbretëreshës qiellore, shqiponjës sonë dykrenare. Ju u bëtë burimi i motivit të punës sime, i dëshirës për ta bërë atë që shpresonit se do ta gjeni e do ta shihni me ardhjen Tuaj. Ju u bëtë simbol i guximit tim, i përndritjes së ideve për një fillim të ri, për një mbarësi e përmbushje amanetesh. Për këtë kisha nevojë të qëndroj pranë Jush kudo që shtrinit veprimtarinë në Europë e Amerikë.

U mirëprita me po atë entuziazëm, sepse ju më shtonit frymëzimin, më jepnit kurajon, më ngritnit kur e kisha tepër vështirë. Kjo përpjekje e përbashkët, mendoj se dha rezultatete të jashtëzkonshme që i ndien gjithsecili, sepse e mira nuk mund të quhet e tillë nëse bëhet me qëllime selektive. Në natyrën tonë është mirësia e përgjithshme për të qenë në shërbim të çdo qenieje njerëzore. Mu për këtë ne ndërtuam infrastukturën rrugore të qytetit, hapëm kanalizime të reja, riparuam ujësjellës, ofruam në shumë lokalitete ujë të pijshëm, kthyem funksionimin normal të shkollave duke i lehtësuar nga borxhet mbytëse. Shpëtuam dhe ngritëm nga shtrati i vdekjes Ndërmarrjen Publike, punësuam një energji të re në administratën komunale e në ndërmarrje të tjera. Vazhduam me trotuaret, ndriçimet publike, me projektet madhore si ai i pastrimit të ujërave të zeza.Sollëm plane të reja të detajuara për nevoja të qytetarëve, për zhvillime të tjera infrastrukturore, për lehtësimin e marrjes së hapësirave për investime e kështu me radhë. Shfaqja e vlerave kulturore mori një hov të jashtëzakonshëm në frymën e ndiesive folklorike e pasurive etnokulturore.

Mbase në përpjekjet tona mund të kishim pasur edhe ngecje të natyrave të ndryshme politike e inateve të pakuptimta. Mbase do të ishte dashur që disa gjëra t’i bënim edhe më mirë. Por kjo gjithsesi na ka mësuar edhe si të bëhemi më efikas. Pa dyshim se vetë ju keni përvoja të ndryshme për të cilat ne kemi nevojë dhe mund të mësojmë shumëçka. Prandaj, qëndruam deri në fund në idenë dhe domosdoshmërinë për të mos u ndarë nga njëri-tjetri edhe atëherë kur zërat ndaj nesh në hove-hove ashpërsoheshin tej mase.

Assesi nuk u keqkuptuam, përkundrazi çdo qortim ishte vëllazëror dhe kurrsesi ndryshe. Kështu, ne u bëmë edhe më të lidhur me njëri-tjetrin. Kështu më lehtë dimë ta ndërtojmë të nesërmen. Mbase nuk i përmbushëm të gjitha detyrimet dhe premtimet që i bëmë nga dëshira e flaktë për ta bërë të dukshëm çdo ndryshim në kontekstin e më të bukurës. Por, këto mbeten objektiva të përbashkëta Tuajat e tonat lehtë a rëndë të përballueshme.
Nuk ka si ta përfundoj ndryshe, përveç me një falenderim të përzemërt ndaj jush, të dashur bashkëvendas të mi, njëkohësisht edhe me një falje të përshpirtshme ndaj gjithsecilit ndaj të cilit mund të jemi treguar jo në nivelin e duhur e të dëshirueshëm . Festofshim dekada përvjetoresh të fitoreve të mëdha, sepse Ju jeni më meritorët e këtyre ngadhnjimeve!” theksohet në letërn e Deharit.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *