Home / Kryesoret / Epopeja e Koshares: Rrëfime interesante nga protagonistët e kësaj beteje! – (VIDEO)

Epopeja e Koshares: Rrëfime interesante nga protagonistët e kësaj beteje! – (VIDEO)

Beteja e Koshares është një nga epopetë më të rëndësishme të Luftës së Kosovës në vitin 1999. Ajo ishte fitorja simbolike që theu e para kufirin ndërmjet shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Zgjati tre muaj dhe ka pasur një kosto të lartë njerëzore, në Koshare kanë rënë 114 dëshmorë.

Naim Gorçi na Juniku, është njëri nga ish-luftëtarët e Koshares. Gorçi në atë kohë ishte 17 vjeçar dhe u plagos më 14 prill të vitit 1999. Naimi sot është 35 vjeç dhe kujton me hollësi çdo gjë.

“Dita e parë dhe e tretë kanë qenë më të vështirat. Ditën e parë të betejës, forcat serbe na kanë qëlluar e bombarduar nga të gjitha anët. Ishte një ferr i vërtetë. Por falë komandant Hysenit jemi gjallë ne që kemi shpëtuar. Arritëm të çajmë pritën”, thotë Naim Gorçi.

Bëhet fjalë për drejtuesin e grupimit zonal, Hysen Berishën, i cili, thekson se ka qenë një nga ngjarjet më të rëndësishme por edhe me humbje të mëdha.

Komandanti i Batalionit I, Hysen Berisha, thotë se zhvillimi i Betejës së Koshares ka ndodhur në një kohë kur Kosova ishte pothuajse në një gjendje të pa shpresë, sepse ushtria serbe kishte zbarkuar në Koshare me një arsenal të tërë ushtarak.

“Forcat serbe kishin zbarkuar me tërë arsenalin e armatimit dhe kishin intensifikuar veprimet e tyre deri në masën e gjenocidit”, thotë Hysen Berisha.

Në aspektin strategjik, beteja e Koshares kishte rëndësi të veçantë jo vetëm marrjen dhe pastrimin e kufirit por edhe krijimit të prapavijës së qëndrueshme për mbështetje dhe operacione logjistike, ndihmë mjekësore etj.

Komandant i Batalionit II, Fadil Hadërgjonaj, i cili ka vepruar në vendin e quajtur Rrasa e Koshares, thotë se të gjitha fazat e betejës janë kryer sipas planit dhe me shumë sukses.

Thyerja e kufirit në Koshare jo vetëm që shënoi një fitore të madhe morale, por ajo edhe praktikisht mundësoi furnizimin e luftës me armatim dhe municion, shkruan portali “te sheshi”.

Azem Syla ish-komandanti i parë i UÇK-së dhe ish-Ministri i Mbrojtjes në qeverinë që u krijua pas Rambujesë, thekson rëndësinë strategjike që pati thyerja e kufirit në Koshare.

“Parësore ka qenë thyerja e kufirit. Ne luftën e kemi bërë me furnizime të bëra përmes rrugëve malore, me vështirësi të shumta. Andaj, ishte e domosdoshme që kjo pikë të hapej për lëvizjen e ushtareve, furnizim dhe shumë begati që kishte ajo pikë”, thotë Syla.

Hysen Berisha, komandant i Batalionit I, sqaron se forcat serbe kishin bërë përpjekje të vazhdueshme që ta rikthenin kontrollin në atë pjesë, por kurrë më nuk ia kishin dalë. Kjo, thotë ai, tregon edhe fundin e zhbërjes së Jugosllavisë si shtet.

Beteja e Koshares më 9 prill të vitit 1999 mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.

Në Parkun e Dëshmorëve në Koshare sot prehen trupat e 114 dëshmorëve të kombit, tre prej tyre heronj të Kosovës: Agim Ramadani, Sali Çekaj dhe Abaz Thaçi.

Gjithashtu lexo

Bashkimi emocional pas 3 vjetësh, i fëmijës së rrëmbyer nga ISIS, me familjen e tij (Video)

Një djalë 12-vjeçar jazidi është bashkuar me nënën e tij në Kanada tre vjet pasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *