Home / Kryesoret / Hajredini: BDI-ja është deri në fyt fajtore për krizën politike

Hajredini: BDI-ja është deri në fyt fajtore për krizën politike

BDI-ja dhe taktikat e saj për të “luftuar” krimin brenda partisë dhe në shtet janë një lojë e re e BDI-së për të shpëtuar Gruevskin”, kështu vlerëson për Gazeta Express analisti politik Xhevdet Hajredini.

Ai thotë se tani më filloi faza e re e lojës të BDI-së për të shpëtuar Gruevskin dhe vetveten! Por, prapëseprapë, shpëtim nuk ka; as për Gruevskin e as për pjesën më të madhe të krerëve të BDI-së.

“Nuk është e vërtetë, zoti Ali Ahmeti, se partitë shqiptare nuk janë fajtore për krizën në të cilën u përfshi Maqedonia. Mos u përpiq t’i futësh në të njëjtin thes të gjitha partitë shqiptare. Deri në zgjedhjet e fundit, partive të tjera shqiptare, ti dhe zëdhënësi yt nuk ua dinit as adresat!”, thekson Hajredini.

Sipas tij, BDI-ja është deri në fyt fajtore për krizën në të cilën u zhyt Maqedonia.

“BDI-ja është fajtore jo vetëm për gjërat që ka bërë keq, por edhe për ato që ka mundur dhe nuk ka dashur t’i bëjë. BDI-ja lejoi kuadrot e saj të krijojnë lidhje joparimore me shefin e DSK-së dhe të veprojnë sipas urdhrave të tij”, konsideron ai.

Hajredini konstaton se gjatë ditëve të ardhshme, fokusi i shqiptarëve duhet të përqendrohet tek veprimet e kryetarit të BDI-së.

“Në qoftë se vazhdon, sikurse deri më tani, të zvarrit procesin e marrjes së vendimeve duke u arsyetuar me nevojën e “konsultimeve dhe analizave të gjithanshme, të thella e serioze” – për shkak se vendimet qenkan shumë të rënda dhe se, siç thotë, ai qenka në hall të madh – atëherë duhet të jemi të bindur se ai vazhdon të veprojë në favor të Gruevskit. Ali Ahmeti, edhe pse deklarohet se i respekton dhe vepron në pajtim me “miqtë tanë ndërkombëtarë”, nuk e ka bërë këtë as në të kaluarën e as tani kur u përshkallëzua kriza në vend. Asnjëherë nuk e dëgjuam Ali Ahmetin të drejtojë qoftë edhe një kritikë ndaj kriminelit Nikolla Gruevski, përkundrazi, jo njëherë i ka bërë leksione Zoran Zaevit se si duhet të veprojë”, konsideron Xhevdet Hajredini.

Është fakt, shtoi ai se për të cilin dëshmon edhe vet ndërmjetësuesi i BE-së, zoti Pitter Van Houtte se Ali Ahmeti edhe gjatë bisedimeve për marrëveshjen e Përzhinës ka vepruar nën presionin e Nikolla Gruevskit.

“Ali Ahmeti shtiret si i shurdhët kundrejt mbështetjes që Rusia ia jep qeverisë së Gruevskit dhe BDI-së. BDI-ja hesht edhe kur Gruevski kërcënon haptas se nuk do të lejojë koalicion mes BDI-së dhe LSDM-së, duke e paralajmëruar se në BDI, e dinë vet se si do ta bëjë ai këtë. Vetëm ky është shkaku përse BDI-ja vazhdonte ta mbante hapur opsionin se do shkonte në opozitë duke përkrahur në këtë mënyrë qeverinë e pakicës, e cila, merreni me mend, do të hetonte veprat penale të mundshme për të cilat u folka nëpër kafene”, vlerëson Hajredini./ Gazeta Express/

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *