Home / Kryesoret / Ivanovi nuk ia jep mandatin Zaevit shkaku i platformës shqiptare

Ivanovi nuk ia jep mandatin Zaevit shkaku i platformës shqiptare

Kriza paszgjedhore në Maqedoni përshkallëzohet edhe më tej. Presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov, ashtu siç paralajmëruan disa zëra në Shkup dhe jashtë tij, refuzoi t’i japë mandatimin kreut të LSDM-së, Zoran Zaev.

Ivanov doli para mediave në një konferencë për shtyp rreth orës 16:30, ku bëri publik vendimin e tij.

“As Kushtetuta dhe as vetëdija ime nuk më lejojnë që të jap mandatimin për dikë që minon pavarësinë dhe sovranitetin e Maqedonisë”, tha ai, transmeton Televizioni Koha.

Ai u ndal tek platforma e partive shqiptare, duke akuzuar sërish se kjo platformë është përgatitur nga një vend tjetër.

“Platforma e nxitur nga një shtet i huaj është një pengesë për mua që të mandatoj kreun e LSDM-së Zoran Zaev”, tha Ivanov, raporton Televizioni Koha.

Në fund ai ka dashur të qetësojë protestuesit maqedonas që kanë dalë në rrugë kundër zyrtarizimit të gjuhës shqipe.

“Sa të jem unë President i Maqedonisë nuk do t’i jap mandat askujt që angazhohet, ose që në program të tij ka rrënimin e pavarësisë dhe sovranitetin e Maqedonisë”, thotë Ivanov, transmeton Televizioni Koha.

Pas këtij vendimi të Presidentit maqedonas, vendi me gjasa do t’u drejtohet sërish kutive të votimit ose deputetët kanë të drejtë të thirrin Kuvendin dhe të votojnë Qeveri e cila do të jetë plotësisht legjitime, vlerësojnë ekspertët.

“Duke e pasur parasysh se Qeveria zgjidhet nga Kuvendi, ndërkaq deputetët i zgjedh populli, ekziston opsion që edhe deputetët të thirrin seancë në Parlament dhe ta konstituiojnë Qeverinë e re, e cila do të ishte plotësisht legjitime. Shembull të tillë patëm mundësi të shohim në Slloveni”, deklaroi eksperti nga sektori joqeveritar, Andreja Stojkovski.

Sipas profesorit të së Drejtës Kushtetuese, Osman Kadriu, neni 90 parasheh dhe lejon, nëse Ivanov nuk ia jep mandatin Zaevit, Parlamenti vet të zgjedhë Qeveri.

“Zaev si përfaqësues i koalicionit i cili ka siguruar shumicë parlamentare, me 67 nënshkrime për mandat, mund të kërkojë nga udhëheqësi i tanishëm, Trajko Veljanovski, menjëherë të thirr vazhdim të seancës konstituive, në të cilën do të zgjidhet kryetar i ri i Kuvendit, i cili do ta thirrë seancën e radhës për zgjedhjen e Qeverisë. Në këtë seancë, Zaev duhet të propozojë programin qeveritar. Nëse Veljanovski nuk e fton seancën, atëherë shumica parlamentare nëpërmjet deputetit më të vjetër mund ta caktojë vazhdimin e seancës konstituive. VMRO-DPMNE nuk ka mundësi juridike që ta kontestojë zgjedhjen e këtillë, kuptohet nesë BDI, BESA dhe Aleanca për Shqiptarët e përkrahin dhe jo të jenë të qëndrimit, nënshkrimet i kanë dhënë, por Qeveri nuk përkrahin”, thotë Kadriu.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *